E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderhyrje ne drejtesi Krasniqi Duam gjykata te pavarura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për siç ka thënë ndërhyrjen e politikës në drejtësi. Reagimi i kryeparlamentarit Krasniqi që njëherit është edhe sekretar i përgjithshëm i PDK-së, vjen një ditë pasi EULEX-i vendosi masën e arrestit shtëpiak për deputetin e partisë së tij, Fatmir Limaj i cili do të përballet me akuzat për krime lufte të supozuara se janë kryer në fshatin Kleçkë gjatë luftës.

“Kemi një vendim të Gjykatës dhe ne si institucione por edhe i njerëz që ia duam të mirën këtij vendi dëshirojmë që gjykatat në Kosovë të jenë vërtetë të pavarura, të marrin vendime të drejta mbi bazën e fakteve dhe jo mbi baza politike. Derisa në sistemin e drejtësisë ndërhynë politika dhe për fat të keq ajo ka ndërhyrë gjithnjë rrezikohet funksionimi normal i drejtësisë”, tha Krasniqi.

Në mbështetje të deklaratës së Krasniqit kanë dalë edhe përfaqësuesit partive opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje të cilët po ashtu konsiderojnë se ka ndërhyrje të politikës në rastin Limaj dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

“Drejtësia në Kosovë është nën ndikimin e politikës me vetë faktin  se z. Limaj njëherë është akuzuar gjoja për krime lufte, pastaj është liruar nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë , pastaj UNMIK-u është marrë me këtë Lëndë, tani EULEX-i. Në të njëjtën kohë janë dy akuza, njëra që ndërlidhet me gjoja krimet e luftës tjetra me korrupsionin gjë që tregon për joseriozitetin e drejtësisë në Kosovë dhe ndikimet politike që po bëhen”, u shpreh  Ahmet Isufi, Deputet i AAK-së.

“Kemi të bëjmë me një qeveri policore e cila dëshiron që t’ua mbyll gojën përfaqësuesve të popullit me metoda policore dhe mendoj se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë kontributin e saj që t’i hapë rrugën këtij shteti policor”, theksoi Glauk Konjufca, Deputet i Vetëvendosjes.

Partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar vetë dorëzimin e Limaj në gjykatë pas aktvendimit të shpallur nga Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se tani është radha që gjykata ta thotë fjalën e vet në lidhje me këtë rast.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›