E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrjet e paligjshme në rrjet lënë Kukësin pa ujë

Banorë të fshatrave Nangë e Shtiqën kanë shpërthyer tubin kryesor të ujësjellësit duke e përdorur ujin për vaditje

KUKËS- Kukësi mes ujërash po vuan mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta gushti, ndërkohë që bashkia e këtij qyteti ndjehet e pafuqishme në administrimin e ndërmarrjes së Ujësjellësit. Dy lagje të këtij qyteti prej një muaji nuk furnizohen për asnjë minutë me ujë të pijshëm, ndërkohë që lagjet e tjera furnizohen vetëm me një orë ujë përgjatë 24 orëve. Mungesa e ujit të pijshëm ka krijuar mjaft probleme edhe në shërbimin spitalor të këtij qyteti. Zyrtarë të bashkisë e lidhin mungesën e ujit të pijshëm me pakësimin e prurjeve, por specialistë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit thonë se ky është një justifikim nga ana e bashkisë, pasi prurjet janë të mjaftueshme për një furnizim pesë herë më të madh nga ky që po ndodh aktualisht. Shkak kryesor, sipas specialistëve të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, janë ndërhyrjet e shumta në rrjetin e ujësjellësit nga banorë të fshatrave nga ky po kalon tubi i ujësjellësit. Banorë të fshatrave Nangë e Shtiqën kanë shpërthyer tubin kryesor të ujësjellësit duke e përdorur ujin për vaditjen e tokave, madje me ujin e pijshëm banorët e këtyre fshatrave kanë instaluar edhe impiante në formë shiu, pasi uji i kanalit vaditës nuk e ka presionin e nevojshëm për këtë lloj vaditje.“Disa herë i kemi ndërprerë lidhjet e paligjshme, por banorët e kanë lidhur serish, pasi nuk i kanë frikën askujt”,- shprehet një specialist i Ujësjellësit. Ndërkohë që në drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukesit sqarojnë se policia është vënë në dispozicion të bashkisë sa herë që i është kërkuar, por megjithatë oficerët e policisë gjyqësore nuk kanë hapur asnjë proces penal për ndërhyrjet e paligjshme në ujësjellës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›