Sarandë, zjarri shkrumbon katër shtëpi
SARANDË- Zjarret në rajonin e Sarandës dhe Delvinës pothuajse kanë qenë të përditshme në këto dy muajt e fundit. Territoret e prekura nga flakët kapin gjithë sipërfaqet e kullotave, pjesërisht drufrutorët, por më të prekurit nga zjarret e fundit kanë qenë ullinjtë. Një vatër zjarri e nisur të martën në komunën e Vergoit, në fshatin Kalasë, ka marrë përmasa të mëdha të mërkurën dhe ka vazhduar natën e kësaj dite. Për shuarjen e tij, veç banorëve të Kalasës, kanë marrë pjesë edhe grupet zjarrfikëse të repartit të Delvinës. Panajot Kucuqi, komandant i këtij reparti, thotë se janë djegur katër shtëpi dhe 605 rrënjë ullinj . Nga burimet e komunës mësohet se katër banesat ishin të braktisura kohë më parë dhe në to nuk jetonte njeri. Sipas zjarrfikësve, muaji korrik dhe gushti kanë qenë muaj të mbingarkuar që shpesh iu është dashur të kthehen në familjet e tyre pas tre e me shumë ditësh. Sipas policisë, për vënien e zjarrit në Kalasë është marrë informacion nga burime operative për autorin e mundshëm të vënies me qëllim të zjarrit. Një zjarr tjetër në ditën e mërkurë përfshiu varrezën e makinave në dalje të fshatit Shijan në rrugën Sarandë- Delvinë. Varreza e mbushur me makina jashtë përdorimit u dogj plotësisht, ndërsa shkaku dhe autori mbetën pa u identifikuar. Me gjithë masat e organeve pyjore dhe atyre të rendit, ende nuk është ndaluar kush, ende nuk është gjobitur njeri dhe askujt nuk i është prishur kontrata për shkak të vënies së zjarrit në parcelat e marra me kontratë. Vetëm repartet e zjarrfikësve po ndjejnë barrën e ngarkesës për shuarjen e zjarreve.