E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr në Shkodër, rrezikohen municionet e vjetra

Lagjet Tepe e Draçin janë përfshirë nga flakët. Gjetja e një predhe mortaje ka evakuuar për disa orë banorët

SHKODËR- Zjarri ka përfshirë shkurre në kodrat e lagjeve Tepe e Draçin në qytetin e Shkodrës duke rrezikuar dhe disa banesa pranë vatrës së zjarrit. Ka qenë ora 14.30 e së mërkurës, kur zjarri shkaqet e rënies së të cilit akoma nuk dihen saktësisht është shfaqur tek kodrat e lagjes Tepe në periferi të qytetit të Shkodrës, jo larg depos kryesore të ujit të pijshëm. Zjarri që është shfaqur fillimisht në shkurre, është përhapur me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe me drejtim në krahun e lagjes Draçin, në kodrat mbi këtë lagje. Zjarrfikëset që kanë shkuar tek vatra e zjarrit e kanë pasur të vështirë të afrohen për shkak të terrenit. Atyre u është dashur të ndjekin një rrugë tjetër në mënyrë që zjarri të rrethohej prej tyre në dy anë dhe të mos lejohej përhapja e mëtejshme. Në ndihmë të tre mjeteve zjarrfikëse kanë ardhur dhe tre furgonë të FNSH dhe forca policie, të cilat kanë marrë pjesë në shuarjen e zjarrit por dhe kanë rrethuar zonën për të mos lejuar banorët të afrohen. Kjo pasi në lagjen Tepe, dhe pse thuhet se janë të mbyllura e izoluara, ndodhen depo me armatimi, ndërsa pranë vatrës së zjarrit ka qenë dhe një vend ku hidheshin mbeturinat. Në këtë vend janë dëgjuar shpërthime kapsollash. Sipas banorëve që jetojnë aty, në zonën ku ka rënë zjarri ka mjaft municione të shpërndara, veçanërisht kapsolla e fishekë të mbetur nga shpërthimi i depove më 1997. Jo larg dy shtëpive banimit, është parë një predhë mortaje rreth 40 cm e gjatë, e cila ishte fare pranë zjarrit dhe kjo ka bërë që personat që jetonin në dy banesat të evakuoheshin provizorisht. Predhës për disa orë nuk ka mundur t’i afrohet njeri, për shkak të rrezikut të shpërthimit të saj nga nxehtësia. Vetëm pasi zjarri është vënë nën kontroll dhe predha është ftohur, specialistët përkatës të policisë kanë bërë demontimin e saj. Sipas banorëve që jetojnë aty pranë, kjo predhë është prej kohësh e vendosur në këtë vend dhe askush nuk i afrohet pasi kanë pasur frikë. Dëmet nga zjarri janë vetëm në shkurre ndërsa rreziku i rishfaqjes së tij ka bërë që një mjet zjarrfikës të qëndrojë për disa kohë në gatishmëri në vendin ku u shfaq zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›