Sherri banal, plagoset emigranti i sapoardhur
TEPELENË- Kthehet në atdhe për pushime, por mbetet i plagosur pas një sherri. Ngjarja ndodhi orët e vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Tepelenës. Të paqarta motivet e saj, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit, identiteti i të cilit mbahet sekret.
Ka qenë ora 22.00 e mbrëmjes së djeshme, kohë në të cilën pas një sherri banal të ndodhur në vendin e quajtur Kalaja e Tepelenës, shtetasi Denis Shena, 25 vjeç ka mbetur i plagosur nga dy plumba pistolete. Plagosja e tij ka ardhur pas një sherri që 25- vjeçari ka pasur me një tjetër person, që sipas policisë nuk është identifikuar ende. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se Shena është goditur në të dy këmbët dhe pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spitalin rajonal “Omer Nishani” aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilat janë duke punuar për të zbardhur ngjarjen. Ndërkaq, ende nuk është bërë e mundur zbardhja e motiveve të kësaj ngjarjeje, që tronditi qytetin e vogël të Tepelenës. Mendohet se versioni zyrtar do të jepet pas marrjes në pyetje të të lënduarit dhe arrestimit të autorit të ngjarjes. Policia është vënë ndërkohë në ndjekje të autorit të ngjarjes. Për këtë arsye janë ngritur dhe forcuar postblloqet në të gjitha akset rrugore të qarkut Gjirokastër. Mësohet se 25-vjeçari i plagosur është emigrant në Belgjikë dhe aktualisht ishte kthyer në Shqipëri për pushime.