Ndërtimi i depozitave të gazit në Shqipëri - dhjetëra kompani interes për licencën e tregtimit

Më 15 gusht, gati udhëzuesi mes agjencive energjetike të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për ndërtimin e TAP
Hapat drejt gazifikimit të vendit kanë filluar të hidhen dhe zhvillimet aktuale njoftojnë për një proces, i cili pritet të finalizohet në një të ardhme të afërt.
Sipas burimeve pranë Ministrisë së Ekonomisë, janë dhjetëra kompani qe kanë shfaqur që tani interes për marrjen e licencës së tregtimit dhe shpërndarjes së gazit në Shqipëri, gjë që do të bëhet e mundur pas ndërtimit të depozitave të gazit nga konsorciumi i projektit TAP.
Bëhet e ditur se në 15 Gusht përfundon udhëzuesi i përbashkët mes Enteve Rregullatore të Energjisë së Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë. Pas kësaj date, Entet do të marrin në analizë kërkesat e kompanive private për zhvillimin e tregut të gazit dhe brenda muajit Tetor do të merret vendimi për kompanitë fituese.
Sipas burimeve zyrtare pranë Entit Rregullator të Energjisë, bëhet e ditur se ndryshimet ligjore marrin parasysh ruajtjen e konkurrueshmërisë në tregun e gazit dhe janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian.
Sipas përllogaritjeve, nevojat vjetore te Shqipërisë për gaz arrijnë në rreth 200 milionë metër kub pasi të ketë përfunduar e gjithë infrastruktura e shpërndarjes.
Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, janë disa kompani ndërkombëtare që kanë shfaqur interes për marrjen e licencës së tregtimit dhe shpërndarjes së gazit në vend, pasi të ketë përfunduar faza e ndërtimit të infrastrukturës.
Gazsjellësi TAP, që do të kalojë përmes Shqipërisë, po shqyrton mundësinë e ndërtimit të depozitave nëntokësore të gazit në vendin tonë. Kjo do të rrisë në mënyrë efektive besueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit me gaz në rajon, në rast se do të ketë ndonjë ndërprerje të furnizimit.
Sipas inxhinierëve të TAP-it, këto depozita do të vendosen në Dumre dhe Divjakë të Lushnjës dhe parashikohet të rezervojnë 3 miliardë metër kub gaz. Depozitimi do të shërbejë për furnizimin me gaz në rast të mungesës nga Kaspiku.
Mësohet se këto dy depozita kanë një interes të madh për projektin, pasi do të ulin koston për ndërtimin e depozitave të reja, ndërkohë që do të sjellin për shtetin përfitime të tjera ekonomike.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është tubacioni i vetëm që mund të përmbushë dëshirën e Evropës Juglindore për të marrë gazin e Kaspikut në një mënyrë me kosto efektive dhe teknikisht të besueshme. I fokusuar në rritjen potenciale të kërkesës për gaz në rajon, TAP është parë në këtë mënyrë si një nga rrugët e duhura, prej të cilës do të përfitojë edhe Shqipëria.
Mendohet se, pasi TAP të realizohet, atëherë lidhjet me tregjet e Evropës Juglindore nëpërmjet tubacionit Adriatik-Jon dhe sistemeve të tjera, mund të zbatohen shumë shpejt. Projekti ka për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.
Gjatësia totale e tubacionit është rreth 800 kilometra. Kapaciteti fillestar i tubacionit do të jetë 10 miliard metra kub në vit. Aksionarët TAP janë EGL në Zvicër (42.5 për qind), Statoil i Norvegjisë (42.5 për qind) dhe E.ON e Ruhrgas së Gjermanisë (15 për qind). Ndërsa gazi i prodhuar në kuadër të fazës së dytë të fushës Shah Deniz së Azerbajxhanit është konsideruar të jetë edhe burimi kryesor për projektin e gazit TAP.
Në tetor, TAP së bashku me projektet e tubacioneve të tjera paraqitën një propozim gjithëpërfshirës të transportit të konsorciumit Shah Deniz 2, i cili do të marrë vendimin e saj në rrugën e transportit të preferuar deri në fund të këtij viti.