Ndërkombëtarët duan konsensus të brendshëm për veriun

Bashkimi Evropian, ngurron të japë çfarëdo komenti rreth paralajmërimeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për qëllimin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Por privatisht zyrtarët e BE-së pranojnë se vendimet e takimit të Vjenës gjithsesi kanë të bëjnë edhe me punën e BE-së në Kosovë në të ardhmen.
Në anën tjetër, shumica e madhe e anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar janë vende anëtare të BE-së. Por për shkak të qëndrimit neutral ndaj statusit BE-ja nuk mund të komentojnë vendimet në Vjenë e as të japë deklarata rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, pasi Bashkimi Europian as që e ka pranuar ndonjëherë formalisht pavarësinë e shpallur të Kosovës e madje as Pakon e Ahtisaarit, shkruan e përditshmja “Koha Ditore”.
Ajo që mbetet e paqartë është se si do të rregullohet baza ligjore e angazhimit të Bashkimit Evropian në Kosovë pas mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Për Kosovën vlerësohet se nuk do të jetë e pranueshme që prania e BE-së të ketë si bazë vetëm Rezolutën 1244 dhe prandaj shpresojnë se “autoritetet e Kosovës” do të zgjasin ftesën e tyre për vazhdimin e pranisë së BE-së, përfshirë edhe EULEX-in. Ajo që nuk mund të parashikohet me saktësi është se a do të mund Kosova vullnetarisht të japë BE-së edhe “fuqi ekzekutive” nëse e njëjta BE nuk e njeh dhe nuk e trajton Kosovën si shtet. Por të gjitha këto dilema s`janë më pak urgjente sesa paralajmërimi se do të nisë procesi i zgjidhjes së çështjes së veriut, i cili proces lidhet ngushtë edhe me realizimin e qëllimit të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Zyrtarë ndërkombëtarë në Bruksel thonë se tashmë në një mënyrë ka nisur procesi i përgatitjeve për zgjidhjen e problemit të veriut dhe si dëshmi për këtë shohin propozimin prej katër pikash të presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, si dhe takimin e parë që ka bërë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me shumicën e liderëve të opozitës.
“Tashmë kemi 4 pikat e presidentit Tadiç. Presim që edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të dalë me një propozim për veriun, i cili duhet të jetë zemërgjerë ndaj serbëve të asaj pjese të Kosovës dhe ndaj Serbisë”, i ka thënë “Kohës Ditore” një diplomat i lartë evropian.
Ai ka thënë se “kësaj radhe edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të kenë kujdes dhe të mos përsërisin nxitimin e treguar rreth dialogut që po zhvillohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e BE-së”.
“Çështja e veriut, e cila duhet të zgjidhet, është shumë më e ndjeshme edhe se pikat rreth të cilave bisedohet në dialog. Prandaj nuk dëshirojmë që gjithë barrën mbi vete ta marrë personalisht vetëm kryeministri Thaçi me eksponentët e tij, siç është rasti i dialogut, i cili nuk ka gëzuar përkrahjen as të opozitës e as shoqërisë civile në Kosovë. Thaçi e ka të qartë këtë dhe ne dëshirojmë që në Kosovë të krijohet sa më shpejt një konsensus i brendshëm për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për veriun. Sa i përket vetë kryeministrit Thaçi, ai ka shfaqur shenja se është konstruktiv dhe pragmatik rreth veriut, por na duhet mbështetje edhe nga faktorët tjerë politikë në Kosovë”, ka thënë një diplomat tjetër nga një shtet mbështetës i Kosovës.