Ndërkombëtarët “e mjelin” PTK-në

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) për 13 vjet prej kur operon Vala, i ka paguar rreth 250 milionë euro Monaco Telekomit për shfrytëzimin kodit telefonik +377. Mjete këto të mjaftueshme me të cilat do të mund të ndërtohej një Postë e re.
Për çdo vit kjo kompani ka përfituar rreth 20 milionë euro nga PTK vetëm për shfrytëzimin e kodit telefonik, duke mos llogaritur mjetet tjera që ka përfituar nga trafiku në ardhje.
Këto të dhëna zyrtarët e ndërmarrjes më profitabile në vend i mbajnë tepër sekret. Në zyrën për informim të PTK-së nuk i janë përgjigjur kërkesës për të mësuar se sa para i janë paguar Monako Telekomit.
Ish- Kryeshefi i PTK-së, Shyqyri Haxha ka thënë për gazetën “Tribuna” ka zbuluar detaje rreth humbjeve që ka shteti i Kosovës si pasojë e mos pajisjes me kod telefonik.
“Në kohën kur kam qenë unë drejtor përftimet e Moncaos nga PTK janë sjell në rreth 20 milionë euro në vit, mirëpo kjo mund të jetë edhe më e lartë, ngase trafiku në ardhje dhe marrëveshjet që Monaco Telecom i bënë me operator ndryshëm jashtë, ato ne nuk i shohim”, është shprehur Haxha. Sipas tij, humbjet e përgjithshme vjetore të Kosovës në mungesë të kodit shtetëror telefonik janë mbi 50 milionë euro, të cilat i përfitojnë shfrytëzuesit e kodeve telefonike nga Serbia, Monaco dhe Mobiteli i Sllovenisë.
Qeveria dhe ndërkombëtarët favorizojnë Monacon
Haxha ka thënë se në kohën kur ishte udhëheqës i PTK-së kishte kërkuar që të nënshkruhej një kontratë e re me Monaco Telcomin përmes së cilës do të uleshin shpenzimet e PTK-së për 7 milionë euro. “Marrëveshjen e parë kur unë e kam negociuar dhe shkonte në favor të PTK-së përreth 7 milionë euro në vit. Mirëpo, këtë marrëveshje nuk e pati aprovuar Këshilli Ndërministror që atëherë Ministër i Ekonomisë dhe Financave ishte Ahmet Shala”, ka tënë Haxha. Por, në fund të vitit 2011 Posta dhe Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar kontratë të re me Monaco Telecomin për shfrytëzimin e kodit telefonik +377, siq thuhej me kushte shumë më të favorshme sesa ajo paraprake. Në njoftimin e PTK-së thuhej se gjatë negociatave të zhvilluara nga kreu i PTK-së është arritur pajtueshmëri e plotë mes dy palëve që të ulen shpenzimet e PTK-së për 50 për qind krahasuar me kontratën e vjetër. Ajo kontratë ishte nënshkruar nga u.d. i Kryeshefit Eekzkutiv, Nuredin Krasniqi.
Megjithatë, për ish-kryeshefin e PTK-së, Shyqyri Haxha, shpëtimi i vetëm i Kosovës është pajisja me kod shtetëror telefonik që sipas tij, nuk ka asnjë pengesë ligjore që Kosova të pajiset me kod të tillë, po të mos ishin pengesat nga misionet ndërkombëtare në Kosovë.
“Kam bërë përpjekje maksimale që të kemi kodin tonë, që të mos kemi nevojë që të përdorim kodin e Monaco e as të Sllovenisë dhe as të Serbisë, mirëpo unë jam shantazhuar me metodat me çnjerëzore nga individë ndërkombëtarë që janë në Kosovë”, është shprehur Haxha.
Ky është krim
I të njëjtit mendim është shprehur edhe eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti i cili thotë se nuk ishte mirëpritur ideja e tij nga ndërkombëtarët për kodin shtetërorë të Kosovës. Hamiti ka vlerësuar se krimi më i madh ekonomik në Kosovën e pas luftës është bërë me kontratën e PTK-së me këtë kompani të telekomunikacionit.
Hamiti për mediat e vendit ka thënë se humbjet e Kosovës nga kjo kontratë janë më të mëdha se vlera e të hyrave nga i gjithë privatizimi që është bërë deri sot, që është rreth 600 milionë euro. Fajtor sipas tij, për një kontratë të tillë është administrata e atëhershme e UNMIK-ut, e cila qëllimisht ka penguar Kosovën të pajisej në atë kohë me kod telefonik. /Indeksonline/