Ndërkombëtarët tërhiqen nga të gjitha godinat qeveritare në Afganistan (FOTO)
Të gjithë këshilltarët amerikanë dhe ndërkombëtarë janë tërhequr nga godinat qeveritare afgane pasi dy oficerë të lartë amerikanë u vranë në zyrën e tyre në Ministrinë e Brendshme në Kabul.
Një kolonel dhe një major u qëlluan në kokë nga një afgan, që mendohet se është një oficer policie që kishte akses në atë zonë të ruajtur me masa të larta sigurie.
Vrasja e dy këshilltarëve të lartë ushtarakë amerikanë duket se është një hakmarrje ndaj trupave amerikane që dogjën kopjet e Kuranit.
Talibanët kanë marrë përgjegjësinë duke thënë në faqen e tyre në internet se heroi muxhahid Abdul Rahman vrau këshilltarët pas djegies së Kuranit.
Pas këtij sulmi, personeli i NATO-s është larguar nga ministritë afgane.
Situata në Afganistan është shumë e brishtë, ndërkohë që forcat e NATO-s po tentojnë të sjellin stabilitet në rajon përpara se trupat e huaja të tërhiqen në fund të vitit 2014.
Pavarësisht se edhe vetë presidenti amerikan kërkoi falje për incidentin e djegies së librit të shenjtë mysliman, protestat e përgjakshme kanë vazhduar. Të premten u vranë 12 persona në këto protesta. Sot gjashtë ushtarë afganë u vranë duke u përpjekur të çaktivizonin një bombë.
Sikur të mjaftonte kjo, protestat kanë shpërthyer edhe në Pakistan pasi myslimanët kanë marshuar në rrugë për të protestuar kundër djegies së Kuranit.
Mendohet se 27 persona kanë vdekur që kur shpërthyen protestat për këtë çështje të martën.









