PS: Taksa e pastrimit në faturën e ujit, e paligjshme
Taksa e pastrimit është faturuar bashkë me ujin para se Bashkia e Tiranës të lidhte marrëveshje me ujësjellësin. Kreu i këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, zbulon skandalin që vërtetohet dhe me anë të dokumenteve, ndërkohë që i kërkon Bashkisë të sqarojë se si dhe kur do të kompensohen familjet në nevojë që nuk e përballojnë dot këtë taksë. Fatura e ujit që ka mbërritur në familjet e kryeqytetit këtë muaj mban datën 30 janar, ndërsa në një letër që nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, i çon njësive bashkiake thuhet se në 31 janar ka bërë kontratën me Ujësjellësin, pra një ditë pasi faturat janë printuar për qytetaret. Sipas Dalipit kjo është komplet e paligjshme. Si mundet që qytetarët të paguajnë për një kontratë, e cila është lidhur një ditë pasi faturat janë nisur në drejtim të tyre, edhe me taksën e pastrimit? Këtë përgjigje le ta japë Lulzim Basha sepse asnjë qytetar nuk ja ka borxh askujt që me taksat e tyre të tallet kushdo qoftë, deklaroi Dalipi.
Grupi i këshilltarëve të PS-së ka zhvilluar takime me qytetarë, të cilët kanë shprehën shqetësimin e tyre, në lidhje me taksën e pastrimit, e cila tashmë i është bashkangjitur faturës së Ujësjellësit. Sipas Dalipit bëhet fjalë për kategoritë në nevojë, sikurse janë pensionistët, veteranët dhe invalidët e luftës, familjet që marrin ndihmë ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët paraplegjikë e tetraplegjikë, kategori kjo qe përfitonte deri në 2011 një pagesë minimale, e cila nuk është marrë parasysh në faturimin e ujit të muajit janar, për taksën që bashkia mban përgjegjësi. Kështu, kjo pjesë e qytetarëve, të cilët i përkasin shtresave në nevojë, kanë paguar të plotë faturën pa iu marrë parasysh statusi i tyre. Sipas tij, ky veprim është tërësisht pasojë e një keqmenaxhimi të hapur të administratës dhe kryetarit të bashkisë dhe përgjegjësia përpara qytetarit është direkt vetëm e tyre. PS kërkon që të merren masat e kompensimit të shtresave sociale në nevojë.