E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarizohet problemi i referendumit të plehrave. Shqipëria në një krah me Ukrainën e Bjellorusinë

Ngrirja e procedurave të referendumit të plehrave prej KQZ u paraqit si shqetësim në Gjenevë në takimin e vendeve anëtare (Shqipëria është palë) të Konventës mbi Aksesin në Informim, Pjesëmarrjen e Publikut në vendimmarrje dhe Aksesin në Drejtësi për Çështje Mjedisore (Konventa e Aahrusit) më 3-5 shtator, 2012.

Grupi përfaqësues ndërkombëtar i shoqërisë civile mjedisore, Eco-Forum paraqiti në seancë plenare rastet e dhunimit të aktivistëve mjedisorë në vende të ndryshme, duke përfshirë në të dhe rastin e referendumit të plehrave.

Komiteti i Përputhshmërisë së Konventës së Aahrusit pak vite më parë e gjeti qeverinë shqiptare jo në përputhje me këtë Konventë për rastin e TEC-it të Vlorës, vepër që rezultoi dështim e për të cilin u ndalua dhe kryerja e referendumit lokal. Aktualisht shqetësim është ngrirja prej autoriteteve të shtetit shqiptar të referendumit kombëtar kërkuar kundër importit të mbetjeve nga shoqëria civile, gjë që bëhet për të shtyrë sa të jetë e mundur kryerjen e referendumit, tha përfaqësuesi, z. Ilya Trombitsky.

Rasti i cenimit të Konventës së Aahrusit nëpërmjet veprimit arbitrar të KQZ me anë të bllokimit të procedurave për 6 muaj u trajtua si dhunim i të drejtave të shoqërisë civile krahas 2 rasteve të tjera në Ukrainë e në Bjellorusi.

Në Ukrainë, Z. Volodymyr Honcharenko, një ambientalist i mirënjohur, aktivist dhe shkencëtar ishte rrahur egërsisht në 1 gusht dhe vdiq në spital nga plagët. Ataku fatal ndodhi 4 ditë pasi Honcharenko bëri publik një informacion shumë shqetësues rreth rrezikut serioz nga ndotja kimike në qytetin Kryvy Rih. Ai pohoi që kompania Ukr-Euro mbante në magazinë 183 ton skrap metali të kontaminuar me helm të rrezikshëm hexachlorobenzene. Në Bjellorusi, katër aktivistë paqësorë antinuklearë u arrestuan më 18 korrik 2012 në Minsk ndërsa ushtronin në mënyrë jo të dhunshme të drejtën humane themelore të tyre për të protestuar ndaj qeverisë. Sekretariati i Komitetit të Përputhshmërisë së Konventës së Aahrusit kërkoi raportim të mëtejshëm për të 3 rastet paraqitur për Ukrainën, Bjellorusinë dhe Shqipërinë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›