E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërlidhja mes demokracisë dhe islamit

Debati shumëvjeçar për atë se a mund të bashkë-ekzistojnë demokracia dhe islami ka arritur një pikë të jashtëzakonshme të kthesës. Që nga fillimi i Pranverës Arabe në vitin 2010, islami politik dhe demokracia u bënë gjithnjë e më të ndërvarura. Asnjëra tani nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.

Në shtetet e Lindjes së Mesme, të cilat gjenden në tranzicion, e vetmja mënyrë për islamistët që të ruajnë legjitimitetin e tyre është nëpërmjet zgjedhjeve. Kultura e tyre politike ndoshta ende nuk është demokratike, por ata tani definohen nga harta e re politike dhe janë të detyruar të ri-definohen-pikërisht sikur se edhe kisha e krishtere pranoi parimet dhe institucionet demokratike, edhe përkundër faktit se praktikat e saj mbeten oligarkike.

Në të njejtën kohë, demokracia nuk do të lëshojë rrënjë në shtetet arabe në tranzicion, pa ngërthyer në vete grupet kryesore islamike, siç janë Vëllazëria Myslimane në Egjipt, Enahda në Tunisi apo Islah në Jemen. E ashtuquajtura Pranverë Arabe hapi rrugën për islamistët. Dhe edhe përkundër faktit se pjesa më e madhe e islamistëve nuk ndajnë kulturën demokratike të demonstruesve, islamistët duhet të kenë parasysh fushën e re të lojës, të cilën e krijuan demonstratat.

Debati për islamin dhe demokracinë ka qenë dikur çështje e pulës dhe e vesë: cili ishte i pari? Demokracia me siguri se nuk është në thelbin e ideologjisë islamike. Vëllazëria Myslimane në Egjipt historikisht ka qenë e centralizuar dhe i është nënshtruar një udhëheqësi suprem. Dhe islami nuk ka shërbyer si promovues i demokracisë sekulare. Skeptikët për një kohë të gjatë kanë argumentuar se islami dhe demokracia bien ndesh mes vete.

Or bota e jashtme ka supozuar gabimisht se islami fillimisht duhet të përjetojë një reformim religjioz, para se ithtarët e islamit të përqafojnë demokratizimin politik.

Zhvillimi si i islamit politik, ashtu edhe i demokracisë, tani duket se po zhvillohet në mënyrë paralele, edhe pse jo në të njëjtin shteg. Skena e re politike po transformon islamistët, po aq sa po transformojnë islamistët skenën politike.

Sot, çështja e përputhjes së islamit me demokracinë nuk përqendrohet në çështjet teologjike, por më parë në mënyrën se si e praktikojnë besimtarët besimin e tyre në hapësirën politike që po ndryshon me shpejtësi.

Kur islamistët u forcuan në vitet e 70-ta dhe të 80-ta, ata fillimisht u dominuan nga lëvizjet revolucionare dhe taktikat radikale. Sidoqoftë, gjatë tri dekadave që pasuan, ringjallja religjioze në shtetet arabe dallonte. Një rol luajtën edhe mediet e lira, të cilat nuk janë nën kontrollin e shtetit.

Nga mesi i viteve të 90-ta, Al Jazeera u bë kanali i parë i pavarur televiziv në botën arabe. Brenda një gjenerata, kemi tani mbi 500 kanale të këtilla. Shumë prej tyre ofruan programe të ndryshme religjioze, gjë që nguliti idenë e shumëllojshmërisë.

Islamistët ndryshuan gjithashtu si pas fitoreve, ashtu edhe pas humbjeve. Si rezultat i përvojës së tyre me dhunën shtetërore, islamistët gjithnjë e më shumë u interesuan që të hyjnë apo që të mbesin në lojën politike.

Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane ka marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare sa herë që është lejuar, pasi që kishte bërë aleanca taktike me partitë sekulare. Gjenerata e islamistëve, të cilët u detyruan që të shkojnë në mërgim, gjithashtu ka luajtur një rol në ridrejtimin e këtyre lëvizjeve. Shumë prej tyre ranë në kontakt me disidentë sekular apo liberal, lidhje këto të cilat mundësuan rrjedhjen e ideve dhe evoluimin e lëvizjeve të tyre.

Rachid Ghannouchi, bashkëthemelues i partisë Ennahda në Tunisi, qysh para 20 viteve kishte ardhur në përfundim se demokracia është një mjet shumë më i mirë për të luftuar një diktaturë, se sa lufta e shenjtë apo ligji islamik.

Islamistët kanë ndryshuar, ngase kanë ndryshuar edhe shoqëritë. Gjenerata e re ka hyrë në hapësirën politike, në veçanti në qytetet e mëdha. Është kjo gjenerata e sheshit Tahrir, epiqendrën e kryengritjes në Egjipt kundër Hosni Mubarakut. Kur filloi kryengritja, dy e treta e protestuesve ishin nën moshën 30 vjet. Ata janë më të edukuar dhe më të lidhur me botën, se sa gjeneratat paraprake. Shumica prej tyre flasin një gjuhë të huaj. Femrat janë shpesh po aq ambicioze, sa edhe meshkujt.

Ky transformim është i dukshëm madje edhe në mesin e salafistëve të ri në Egjipt, të cilët po bëhen pjesë e kulturës botërore.

Për dekada të tëra, salafistët kundërshtuan përfshirjen në politikë. Por pas kryengritjes, ata ndryshuan qëndrimin. Ata hynë në politikë, duke u regjistruar me nguti si parti politike.

Islamistët e ri gjithnjë e më shumë do të ndërlidhin modernizmin teknokratik dhe vlerat konservatore. Megjithatë, shumë lëvizje islamike ende nuk ndajnë kulturën demokratike të kryengritjeve. Por duke pasur parasysh ithtarët që tentojnë të joshin, ata duhet të kënë parasysh fushën e re të lojës, të krijuar nga demonstratat. (Foreign Policy)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›