Ndërmarrësia prioritet i Ministrisë së Kulturës

Në kuadër të Projektit për zhvillimin e rinisë, projekt ky i përbashkët ndërmjet MKRS-së dhe Bankës Botërore, sot në Prishtinë u bë ndarja e granteve për pajisje dhe vegla pune për 49 përfitues në fushëveprimtari të ndryshme, si bletari, elektrikë shtëpiake, rrobaqepësi, zdrukthëtari, ndërtimtari, marketing, pastiçeri, etj. Vlera e një granti arrin deri në 3 500 dollarë.
Ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi këto grante i konsideroi një ndihmë domethënëse, por edhe një përkushtim të këtyre të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre, në funksion të zhvillimit individual por edhe të shoqërisë në përgjithësi, thuhet në një komunikatë të MKRS-së.
Krasniqi gjithashtu shprehu falënderimin e tij për Bankën Botërore, ambasadën e Italisë dhe të gjithë partnerët e tjerë që në vazhdimësi kanë treguar një përkushtim për të përkrahur idetë e të rinjve, si dhe dëshirën e vullnetin e tyre për pjesëmarrje sa më të madhe në jetën publike. Ministri Krasniqi përkujtoi se në kuadër të Projektit të njëjtë para katër muajve janë ndarë edhe certifikata për 800 të rinj të trajnuar në fusha të ndryshme profesionale. Në mesin e zhvillimeve pozitive në sektorin e rinisë, Krasniqi përmendi edhe dhënien e granteve të tjera që janë dhënë për qendrat rinore dhe miratimin e Strategjisë për Rini 2013-2017, kurse për të ardhmen premtoi se në bashkëpunim me partnerët e tjerë do të prezantojë edhe projekte të tjera, forma të tjera të përkrahjes për rininë, e njëri prej këtyre projekteve do të jetë ndërtimi i dy qendrave rinore në dy qytete të Kosovës.
Marinella Ariano, eksperte e Bankës Botërore, shprehu kënaqësinë për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rolin që po luan në fuqizimin e rinisë së Kosovës, duke e vlerësuar dhënien e këtyre granteve si një hap shumë të rëndësishëm dhe një ndihmesë mjaft domethënëse për këta të rinj. “Ky është një projekt tejet i rëndësishëm dhe ndjehem mjaft e entuziazmuar kur shoh përkushtimin e qeverisë për të fuqizuar rolin e rinisë”, tha ajo./Indeksonline/