Thaçi: Në Kosovë nuk do të lejohet ”Republika Serbe”

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit tha se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran është realitet, faktor paqeje dhe stabiliteti. Ai deklaroi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se nuk do të lejohet ‘Republika serbe’ në Kosovë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha para të pranishmëve se Kosova ka shënuar përparim në shumë aspekte dhe sipas tij, merita i shkon qytetarëve që po shohin drejt së ardhmes prosperuese.
Ai tha se momentet nëpër të cilat po kalon vendi janë dëshmi shtesë për pjekurinë shtetëformuese të Kosovës.
Sipas tij, pavarësia e Kosovës është gërshetim i përpjekjeve të qytetarëve të Kosovës dhe mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Thaçi duke folur për gjendjen në Kosovë tha se prapa shpërthimeve në veri të Kosovës, gjegjësisht ndaj Zyrës administrative qëndrojnë strukturat paralele. Sipas tij, fatkeqësisht roli i Serbisë ende nuk është konstruktiv.
Ai me këtë rast potencoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se në Kosovë nuk do të lejohet ”Republika Serbe”.
---
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë edhe një herë thirrje Serbisë që të shpërbëjë strukturat paralele nga veriu i Kosovës, si dhe të ndalojë përpjekjet për të krijuar tensione në vend.
Thaçi i ka bërë këto komente në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë, raporton REL.
“Situata në veri krijon paqëndrueshmëri dhe kërcënim serioz për situatën e sigurisë në rajon”, ka thënë Thaçi.
“Barrikadimet e orkestruara nuk janë vetëm pengesa fizike, por ato dërgojnë mesazhe për ndarje mbi baza etnike”, ka thënë Thaçi, duke iu referuar barrikadave që kanë vendosur serbët nëpër rrugë të ndryshme në veri.
Kryeministri i Kosovës ka kujtuar po ashtu se në muajt e fundit, në veri të Kosovës, kanë ndodhur “së paku 20 shpërthime”.
Ai ka thënë se prapa tyre qëndrojnë strukturat paralele serbe, të cilat financohen nga Beogradi./Indeksonline/