E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërmjetësimi mes palëve, tani profesion, kushtet për licencim



Mosmarrëveshjet mes palëve tani mund të zgjidhen pa shkuar në gjykatë. Një ndërmjetësues i licencuar mund të mbyllë pretendimet mes palëve në konflikt. Një gjë e tillë është parashikuar në projektligjin e ri që kaloi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili zëvendëson ligjin aktual, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, Nr. 9090, datë 26.6.2003, i cili nuk ka qenë efektiv në përdorimin e tij 7-vjeçar. Ai që merr përsipër që të bëjë rolin e ndërmjetësuesit duhet të jetë i regjistruar pranë Komisionit të Licencimit të Ndërmjetësve, i parashikuar në draftin e ri që pritet të kalojë për diskutim dhe më pas për miratim në Kuvend. Në projektligj është e parashikuar e gjithë veprimtaria e ndërmjetësimit, licencimi i ndërmjetësuesve, kushtet për marrjen e licencës, mbylljen e ndërmjetësimit dhe procedurat për kryerjen e procesit. Drafti është pjesë e përafrimit të legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së dhe erdhi pas kërkesës së vazhdueshme të shoqërisë civile por edhe të vetë ekspertëve të huaj që të rregullojë si duhet veprimtarinë e ndërmjetësimit. Për ushtrimin e plotë të veprimtarisë së ndërmjetësimit parashikohet që të miratohen edhe vendime nga Këshilli i Ministrave apo udhëzime nga Ministria e Drejtësisë.
Drafti për ndërmjetësimin
“Ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë, asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin”, - thuhet në ligj. Mjafton që njëra palë në konflikt të bëjë kërkesë dhe persona të licencuar për të ushtruar këtë aktivitet mund të ndërmjetësojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Një gjë e tillë mund të kërkohet ose çmohet edhe nga gjykata, prokuroria a organi përkatës shtetëror sipas ligjit.
Sipas projektligjit, “ndërmjetësi është vullnetar, në ushtrimin e funksionit të tij, siguron zgjidhjen e çështjes me efikasitet, drejtësi dhe paanshmëri, si dhe në mënyrë profesionale e pa paragjykime ndaj palëve apo çështjes, objekt ndërmjetësimi”. Personi që merr përsipër për të bërë një gjë të tillë është i detyruar që të ruajë “konfidencialiteti për të dhënat e palëve në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndërmjetës me licencë
Ndërmjetës nuk mund të jetë dokushdo. Tashmë, ai duhet që të marrë një licencë. Në ndryshim nga ligji ekzistues për ndërmjetësimin, i miratuar në vitin 2003, ky draft parashikon gjithë procedurën për ngritjen e Komisionit të Licencimit të Ndërmjetësve, mënyrën e marrjes së lincencës, regjistrimin e personit që kryen një aktivitet të tillë, etj.
Projektligji thotë se “ndërmjetësi e ushtron veprimtarinë, si person fizik ose juridik, nëpërmjet zyrës a qendrës së tij, pas licencimit dhe regjistrimit të tij në Regjistrin e Ndërmjetësve, sipas këtij ligji. Sipas tij, Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve ngrihet pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe ka në përbërje 2 (dy) përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit dhe 3 (tre) përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërmjetësuesit e licencuar regjistrohen, si persona fizikë ose juridikë, në organet kompetente dhe në organet tatimore në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Në Regjistrin e Ndërmjetësve, personi që ushtron këtë aktivitet duhet që të paraqesë: Identitetin, vendbanimin, numrin e licencës, datën e fillimit të veprimtarisë së ndërmjetësit dhe adresën e vendit ku zhvillohet veprimtaria e ndërmjetësit në rastin e personave fizikë; si dhe emërtimin, llojin dhe selinë e shoqërisë, emrin/emrat e administratorëve, dhe emrat e ndërmjetësve të punësuar në shoqëri, në rastin e personave juridikë.
Kushtet për ndërmjetës
Projektligji parashikon edhe kushtet që duhet të plotësojë një person për të punuar ndërmjetës ( shih tabelën). Sipas tij, ndërmjetësi duhet të lidhë kontratë sigurimi për përgjegjësinë e tij ndaj palëve të treta për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së ndërmjetësimit. Drafti parashikon edhe rastet kur hiqet licenca e personit që bën ndërmjetësimin (shih tabelën). Po ashtu, parashikohet edhe ngritja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve (shoh tabelën), e cila “është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti” dhe ka organet e saj drejtuese.
Ndërmjetësit, që e ushtrojnë këtë veprimtari si profesion, kanë të drejtë të kërkojnë dhe të shpërblehen për punën, si dhe për shpenzimet e kryera në procedurën e ndërmjetësimit, sipas marrëveshjes për ndërmjetësim, të nënshkruar me palët. Ai duhet të ruajë konfidencialitetin dhe sekretin profesional. Personi i licencuar nuk ofron këshillim ligjor dhe nuk ka përgjegjësi nëse ndërmjet palëve për zgjidhjen e konfliktit me ndëmjetësim nuk arrihet marrëveshje. Po ashtu, as në rastin kur palët arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet tyre, ndërmjetësi nuk ka përgjegjësi për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje. Sapo të mbyllet procedura e ndërmjetësimit, ndërmjetësi njofton gjykatën, prokurorinë ose arbitrazhin me qëllim fillimin e procedurave të pezulluara, për efekt të ndërmjetësimit. Projektligji parashikon edhe shmangien e konfliktit të interesit të personit që kryen rolin e ndërmjetësit.
Ligji ekzistues për ndërmjetësimin nuk arriti që të gjejë zbatim në praktikë. Në anën tjetër, shumë mosmarrëveshje shkojnë në gjykata kur mund të gjenden zgjidhje me ndërmjetësues. Po ashtu, edhe mosmarrëveshjet në familje apo partnerëve në biznes mund të zgjidhen në rastet kur negociohet nga ndërmjetës të pranuar nga palët. Organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë të huaj kanë këmbëngulur herë pas here që të ndryshohet ligji për mosmarrëveshjet. Shqipëria është ndër vendet me shkallën më të lartë të konfliktualitetit dhe të gjitha ato kanë mbetur në dyert e gjykatave.

MARRËVESHJA
Si kryhet një procedurë ndërmjetësimi

Procedura për ndërmjetësim fillon pas datës së paraqitjes së ftesës për ndërmjetësim nga të paktën njëra nga palët në konflikt, sipas këtij ligji, ose nga data e referimit të çështjes nga gjykata për zgjidhjen e saj me ndërmjetësim. Ftesa për ndërmjetësim mund t’i drejtohet ndërmjetësit pavarësisht nëse palët kanë rënë dakord paraprakisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Nëse një palë në mosmarrëveshje i kërkon një pale tjetër ndjekjen e procedurave të ndërmjetësimit, sipas këtij ligji, dhe kjo e fundit nuk i përgjigjet kësaj kërkese brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data në të cilën është dërguar ftesa ose brenda afatit kohor të përcaktuar në ftesë, pala kërkuese mund ta vlerësojë këtë si mospranim të ftesës për të ndërmjetësuar. Ftesa për ndërmjetësim, e paraqitur nga një palë në mosmarrëveshje, nuk pengon automatikisht këtë palë që të iniciojë fillimin e një procesi gjyqësor apo arbitrazhi në lidhje me këtë mosmarrëveshje për shkak të kalimit të afateve të paraqitjes së padisë. Palët zgjedhin vullnetarisht një ose më shumë ndërmjetës prej Regjistrit të Ndërmjetësve pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Në procedurën e ndërmjetësimit me një ndërmjetës, palët bien dakord për të caktuar nga lista e ndërmjetësve të licencuar një ose dy ndërmjetës dhe kjo në varësi të mosmarrëveshjes që trajtohet.
Përpara fillimit të procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësi është i detyruar që të informojë palët për qëllimet dhe parimet e përgjithshme, rolin e ndërmjetësit dhe të palëve në proces, shpenzimet e procesit të ndërmjetësimit dhe efektet e marrëveshjes së ndërmjetësimit. Sipas projektligjit, “palët dhe ndërmjetësi nënshkruajnë bashkërisht, me shkrim, marrëveshjen për realizimin e procesit të ndërmjetësimit ( shih tabelat). Ai parashikon rastet kur përfundon një procedurë ndërmjetësimi, nënshkrimi i akt-marrëveshjes dhe detyrimet e palëve. Në rastin kur është zgjidhur çështja me anë të ndërmjetësimit, organet gjyqësore ose të prokurorisë vendosin, sipas rastit, miratimin e zgjidhjes me pajtim të çështjes civile ose pushimin e çështjes penale apo mosfillimin e procedimit penal, përveç rasteve kur arrihet në përfundimin se vërehet pavlefshmëri. (Shih rastet kur ndërmjetësimi është i pavlefshëm).

KUSHTET PËR NDËRMJETËS
Të ketë kryer programe të studimeve të ciklit të parë, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë

Të ketë mbushur moshën 25 vjeç;

Të mos jetë dënuar për kryerjen me dashje të veprave penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;

Të ketë përfunduar programin e trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve;

Të jetë i licencuar dhe i regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve.

HEQJA E LICENCËS NDËRMJETËSUESIT

heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të ndërmjetësit;

humbet apo i kufizohet zotësia për të vepruar;

dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje;

kryen shkelje të Kodit të Etikës.

PËRGJEGJËSITË E DHOMËS SË NDËRMJETËSVE

a) Merr masat për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të veprimtarisë së ndërmjetësimit në Republikën e Shqipërisë;

b) Miraton aktet që rregullojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit, si profesion, si dhe Kodin e Etikës së Ndërmjetësit;

c) Miraton statutin e saj, ku përcaktohen edhe rregullat e hollësishme për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve;

ç) Merr masat për themelimin e dhomave vendore të ndërmjetësimit;

d) Përcakton rregullat për tarifat e shpërblimit, për punën e ndërmjetësit dhe shpenzimet e kryera, si rezultat i veprimtarisë së ndërmjetësimit;

dh) Harton dhe siguron pjesëmarrjen në program trajnimi të ndërmjetësve;

e) Përcakton në statut detyrat dhe funksionet e organeve drejtuese të saj;

ë) Kujdeset për informimin e nevojshëm të publikut për veprimtarinë e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për mundësitë e kontaktimit të ndërmjetësve.

MBYLLJA E NDËRMJETËSIMIT

a) ditën e nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;

b) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të ndërmjetësit, pas këshillimit me palët që ndërmjetësohen, sepse përpjekjet për ndërmjetësim të mëtejshëm nuk janë të justifikuara;

c) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të palëve ndërmjetëse, me anë të së cilës i drejtohen ndërmjetësit, ku i njoftojnë se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;

ç) ditën e nënshkrimit të deklaratës me shkrim të njërës palë, drejtuar palës tjetër, ndërmjetësit, ku njoftohen se procedura e ndërmjetësimit ka përfunduar;

d) me vdekjen e ndonjërës nga palët në proces;

dh) me likuidimin e personit juridik, palë në proces.

PAVLEFSHMËRIA E NDËRMJETËSIMIT

a) realizohet nga persona që nuk janë ndërmjetës të licencuar dhe të regjistruar sipas këtij ligji;

b) mosmarrëveshja, sipas ligjit, duhet zgjidhur vetëm në rrugë gjyqësore;
c) përmban detyrime të vlerësueshme në të holla dhe nuk formulohet me shkrim;

ç) përmban detyrime për subjekte që nuk kanë marrë pjesë në ndërmjetësim;

d) ka simulim dhe, për konfliktin real, ka shkaqe pavlefshmërie.

18 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›