Koha kërkon rigjallërim të mendimit filozofik…
Nga Gëzim TUSHI
Për filozofinë dhe rolin e saj në jetën shoqërore tek ne flitet gjithnjë e më pak, ose ndërhyrjet për këtë cështje në mënyrë fare të pakuptimtë janë timide. Në këtë atmosferë refraktare “anti-ideologjike” që ka përfshirë shoqërinë tonë duket se filozofia është viktimë e pamerituar. Dhe kjo jo për faj të ndryshimeve thelbësore ontologjike që ka pësuar realiteti social ekonomik, as për shkak të rënies së autoritetit të saj, se sa të mënyrës se si trajtohet vlera, utiliteti dhe nevoja aktuale për formim filozofik të shëndoshë të njerëzve dhe shoqërisë në tërësi. Duket një tërheqje e pakuptimtë e filozofisë nga jeta sociale dhe dobësim i forcës ndikuese qoftë direkte apo të tërthortë të saj në fushën e gjërë të problematikës konceptuale që ka koha dhe shoqëria jonë. Në këtë kontekst është e nevojshme që të lëvizim dhe të mos e lëmë këtë fushë me rëndësi të teorisë dhe të jetës të spostohet artificialisht nga roli i ridimensionuar por i pashmangshëm i saj. Duket se edhe tek ne koha ka sjellë nevojën e debatit për vlerën e filozofisë. Sidomos me profesionistët dhe studentët e pasionuar pas saj. Sepse ka kohë që është i hapur debate në se duhet apo nuk duhet, ka “vdekur” apo është e gjallë filozofia ? Kjo është një nga cështjet që që është debatuar në cdo kohë. Por sidomos akoma më gjërë dhe më intensivisht në kohën moderne. Koha moderne ka sjellë dilema të shumta, të shoqëruara me besime dhe qëndrime skeptike që jo vetëm qarkullojnë intensivisht por dhe shërbejnë për të përcaktuar vlerën teorike dhe utilitetin e filozofisë si shkencë dhe të vlerës së mendimit filozofik si produkt i saj. Një debat që duket se tashmë ka filluar gradualisht të bëhet prezent edhe në shoqërinë tonë, e cila në mënyrë paradoksale, në “heshtje” ka filluar të ndryshojë qëndrimin e vet dhe për këtë arsye është duke i ftohur marrëdhëniet me filozofinë. Madje ka ca kohë që distance e shoqërisë me filozofinë po zgjerohet dhe kjo sipas mendimit tim është tregues të sigurt që tregon se midis filozofisë, jetës dhe publikut po prishen relatat dhe marrëdhëniet. Njerëzit të kapluar nga vështirësitë jetike dhe të tronditur nga kaotizmi i dallgëve ekzistenciale të jetës empirike dhe të vendosur nën “bombardimin e intensifikuar” të problemeve materiale dhe sociale, janë duke u larguar prej saj, si ndaj një gjëje të “tepërt” që nuk vlen më për njeriun dhe shoqërinë tonë. Padyshim objekti, lënda e filozofisë gjithnjë ka qënë në raporte kontradiktore me jetën. Shpesh herë ato kanë qënë marrëdhënie konjukturale, të lidhura me nevojat e zhvillimit të shkencës apo të politikës. Në këto raste duket se mendimi filozofik dhe autoriteti i filozofisë ka qënë i paqëndrueshëm, jo fort i përcaktuar dhe delikat në konturimin e kufijve të identitetit të vet. Kjo cështje dikur ka qënë evazive, ndërsa sot gjërat janë më të qarta dhe problemi i nevojës së ekzistencës, rolit social dhe autoritetit teorik të filozofisë është prezent si kurrë më parë. Filozofi i madh i iluminizmit gjerman Hegel, në kohën e vet, ndoshta në një moment emocional ka shkruar se “në epokën moderne ka humbur koncepti i vërtetimit filozofik” të gjërave. Padyshim, është e vërtetë që në kohën moderne kanë ndodhur ndryshime të mëdha ekonomike, sociale, kulturore, teknologjike, që në pamje të parë dhe në vështrim empirik kanë ndikuar në “hollimin” e lëndës dhe zbehjen e aftësisë sociale të filozofisë. Kjo pse nga tradita është krijuar ideja se filozofia ka qënë mësuar të penetrojë jo në cështje konkrete të ditës, por më shumë në probleme dhe debate teorike të trashëguara. Ajo asnjëherë nuk ka qënë e interesuar as për fatin e njeriut konkret as për zhvillimet korente të epokave në të cilën është krijuar. Kjo distancë kohore e mendimit filozofik nga realiteti imediat është tipar tradicional i filozofisë, e cila në shumicën e rasteve bën përgjithësime ose për të kaluarën ose për të ardhmen e gjërave. Kjo ka bërë që ajo të duket si shkencë që mbetet pas ndodhive historike dhe është përgjithësisht përtej fatit konkret individual të njerëzve. Me të drejtë thuhet se filozofia përgjithësisht merret në cdo kohë me “objekte të pakohëshme”. Në kuptimin që nuk janë ngjarje adekuate të ditës. Në të vërtetë kjo është një dukje apo devijim i panatyrshëm, por që në shoqërinë tonë ka shkaqet e veta. Padyshim që cdo mendim filozofik është produkt i kohës së vet, është i vendosur në kohën e vet dhe natyrisht që i shërben asaj. Përvec të tjerave në cdo teori, doktrinë apo dogmë filozofike janë të pasqyruara rrethanat historike, sociale dhe kulturore në të cilat kanë jetuar filozofët krijues. Në këtë kontekst pa pretendime të mëdha doktrinariste, besoj se është koha që të flasim dhe të bëjmë më shumë që edhe shoqëria jonë të ketë mendimin e vet filozofik dhe njëherësh edhe filozofët e saj. Pavarësisht imazhit të disfavorshëm, klimës empirike, merkantiliste dhe terrenit social jo filozofik që është krijuar në shoqërinë shqiptare kohët e fundit. Pavarësisht se jeta moderne shqiptare është e kapur më shumë pas halleve dhe problemeve të ditës, edhe pse jeta është bërë tejet e materializuar dhe prozaike, pa shumë hapësirë për poetikë dhe filozofi, edhe pse njerëzit kërkojnë jo aq përgjigje filozofike se sa zgjidhje imediate të problemeve shqetësuese të ditës, përsëri duhet besuar se në realitetin e jetës sonë të komplikuar ka vend të bollshëm për shymë pyetje, shqetësime dhe dilema të përgjithshme ekzistenciale me natyrë filozofike. Kjo do të thotë se edhe kur jeta moderne është thjeshtësuar nga pikëpamja materiale ajo përsëri është ndërlikuar nga ana konceptuale dhe ekzistenciale. Ne që jetojmë kohën tonë jemi dëshmitarë të faktit se tani, ndoshta më shumë se më parë janë shtuar enigmat konceptuale dhe problemet e jetës me natyrë të përgjithshme, që qëndrojnë jashtë dhe përtej kufive të jetës empirike. Nuk ka dyshim që në shoqërinë tonë ka shumë probleme të përgjithshme me natyrë filozofike, që presin përgjigje dhe që janë në një farë mënyre “lëndë e pare” për të mbushur vakumet ekzistenciale që ka sjellë moderniteti në shoqërinë tonë, për të kuptuar, shpjeguar dhe interpretuar shqetësimet intensive që kanë njerëzit tanë për thelbin, vlerën dhe kuptimin e jetës moderne. Padyshim, do të ishte naivitet në se do të besojmë se në kohën tonë nuk ka më probleme me natyrë të të përgjithshme ekzistenciale, që duke qënë të tilla kanë vlerë përtej kufijve të ekzistencës personale, përtej kohës individuale dhe kohës filozofike. Duket se koha moderne i ka thjeshtësuar raportet e njeriut dhe shoqërisë tonë me të vërtetat e vecanta dhe të përgjithshme që mund të jenë brenda por dhe jashtë kohës së lëvrimit të ideve filozofike. Jo vetëm kaq por terreni social duket më i thjeshtë për të zbuluar të vërtetat, për të gjetur zgjidhjet përmes pohimit dhe mohimit kategorik të alternativave. Por sic thonë filozofët e modernitetit e vërteta filozofike në cdo kohë, por ca më shumë në kohën moderne nuk është gjithnjë në pozicionet ekstremale dhe e bazuar në zgjidhje dikotomike. Si rregull zgjidhjet në kohën moderne janënë “vijën e mesme” dhe që të realizohet kjo është e nevojshme që të ecim me anën e drejtpeshimit të gjykimit. Sepse sipas mendimit tim, në kohën moderne që është përgjithësisht kohë e relativizmit, në kuptimin më të gjërë të fjalës, është e nevojshme prania e një mendimi përgjithësues filozofik për të kuptuar dhe shpjeguar sendet dhe fenomenet e kohës modern. Sepse kjo kohë si kurrë më parë, apo më sakt më shumë se më parë për cdo argument, ide, alternativë ka gjithnjë të hapësirë të lirë për të kundërtën e vet. Por situata e mendimit filozofik shqiptar dhe vecanërisht vlerësimi i cunguar i vlerës së saj në shoqërinë tone, është i lidhur sipas mendimit tim me faktin se nga pikëpamja filozofike ne jemi “zgjuar” vonë nga gjumi relativisht i gjatë i dogmatizmit filozofik marksist, që ishte një filozofi boshe, pa lëndë dhe impakt social. Në cdo kohë kuptimet dhe interpretimet filozofike kanë ndikim të madh në jetën shoqërore dhe në konceptet jetësore të njerëzve.“Një komb pa metafizikë është si një tempull pa altar” thotë filozofi i kohës sonë Hans-George Gadamer.(Gadamer, “Historia e filozofisë” faqe 311). Në shoqërinë shqiptare të khës tonë kanë dalë në evidencë shumë probleme që kërkojnë dhe kanë nevojë që së pari të interpretohen filozifikisht. Shoqëria pret nga mendimi filozofik një qasje më moderne me të vërtetat e jetës së sotme, duke bërë ca koncesion ndaj temave dhe problemeve doktrinaristo-historike. Nuk është rastësi që sot më shumë se kurrë ka filluar të jetë dominante ideja se “Teoritë dhe konceptet filozofike e kalojnë provimin vetëm në saje të aftësisë së tyre për t’i ndryshuar jetët dhe përvojat e njerëzve të thjeshtë në botën reale”. (James Gordon Finlayson, “Habermas” f. 40) Në këtë kontekst është koha kur mendimi filozofik të merret jo vetëm me cështje e mëdha ontologjike dhe epistemologjike të filozofisë si të tillë, por dhe me ca probleme filozofike të jetës së sotme. Filozofia nuk është thirrur që të vijë vetëm nga historia dhe t’i shërbej asaj si “shërbëtore teorike”, por së pari që t’i shërbejë zgjidhjes së problemeve të jetës reale, të ndihmojë kohën, shoqërinë dhe njerëzit që të lehtësojnë barrën e përballimit konceptual të cështjeve, vecanërisht shqetësuese që janë prezente në shoqërinë tonë. Këtë imperativ e kanë ndjerë të gjithë filozofët e kohës sonë, dhe në mënyra të ndryshme kanë tentuar të sjellin edhe ndryshime konceptuale brenda doktrinës filozofike, profesionit dhe misionit të filozofit. Filozofi i shquar bashkëkohor Jurgen Habermas thotë se në kohën tonë kanë rëndësi zhvillimi i disa degëve të reja të mednimit filozofik, që kanë lidhje me problemet e filozofisë sociale, politike e morale, që janë cështjet më të vështira, më të diskutuara dhe më dilematike për kohën tonë. Kjo sepse sic thotë ai “shoqëritë moderne janë bërë tepër komplekse”. Në këtë logjikë arsyetimi dhe me këtë optikë të shikimit të objektit të filozofisë moderne dhe rolit të filozofit në shoqërinë tonë, duke u larguar nga ideja e vjetër se “filozofia është doktrinë e privilegjuar”, mendoj se megjithatë ajo ka një prapambetje, pikërisht nga që filozofët tanë kanë mbetur brenda “gardhit të ngushtë” të problemeve klasike dhe nuk po po realizojnë detyrën që kërkon koha, që mendimi filozofik të mos mbesë në “trajtë të kulluar”, por të veprojë në bashkëpunim me shkencat e tjera dhe të jetë i lidhur me problemet e vërteta të “botës së jetës” shqiptare. Këtu është dhe këtu duhet kërkuar për të gjetur objektin dhe për të nxjerrë “lëndën e parë” të saj. Nuk mund të gjesh atë që duhet në se nuk kërkon në vendin e duhur. Në këtë kontekst unë besoj se ka ardhur koha për të marrë më seriozisht dhe për të vlerësuar më intensivisht atë nevojë që ka filozofia në shoqërinë tone, për të ndryshuar jo formën dhe paraqitjen, por më shumë “selinë” e saj. Kjo ide moderne ka kohë që është bërë piketë orientuese për filozofët e kohës sonë. Të paktën është e qartë në pikëpamjet e filozofëve të shquar që nga pragmatistën Xhejms, Djui, Mead, Pirs deri tek ata të filozofisë hermeneutike si Diltei, Gadamer, etj, të cilët në mënyra të ndryshme kanë qënë të mendimit se në kohën moderne “…filozofia duhet ta ngrejë selinë e saj në jetën e përditshme duke bërë kujdes që të mos shkëputë lidhjet me t녔. Ky është besoj një mesazh me rëndësi për të gjithë studjuesit tanë të filozofisë…
10 Dhjetor 2010