E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania ul kuotat për emigrantët e kualifikuar



LONDER - Britania ka njoftuar se do të ulë numrin e punonjësve të kualifikuar që do të lejohen të hyjnë në Britani nga vendet jashtë Bashkimit Europian. Kjo kuotë përbën një ulje prej 55 mijë punonjës të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së që hynë në Britani vitin e kaluar. Kufizimet nuk prekin ata punonjës që kanë rroga relativisht të larta e që janë të transferuar në Britani nga punëdhënësit e tyre. Sekretarja e Brendshme britanike, Theresa May njoftoi se numri i vizave për punonjësit e kualifikuar jashtë vendeve të BE-së do të shkojë në 21700 në vit, duke filluar me 2011. "Migracioni i kontrolluar ka qenë me përfitime për Britaninë si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ana sociale, por kur ai del jashtë kontrollit përbën një barrë të madhe për shoqërinë, ekonominë dhe shërbimet sociale", tha zonja May. "Nuk mund të vazhdojmë më kështu", - tha ministrja e britanike në parlament duke sqaruar se kërkesat për të marrë viza do të ishin të atilla që do të lejonin vetëm ata imigrantë që ishin më me përfitim ekonomik për Britaninë.

Premtim elektoral

Gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të këtij viti, udhëheqësi konsevator David Cameron premtoi të vendoste një kufi mbi numrin e imigrantëve që hyjnë në Britani.
Vitin e kaluar, në Britani u dhanë 50 mijë viza për punonjës tepër të kualifikuar dhe punonjës të kualifikuar nga vendet jashtë BE-së. Nga 50 mijë viza pune, 22 mijë ishin për transferimet të brendshme të punonjësve të kompanive.
Korrespondenti i BBC-së për çështjet politike, Nick Robinson tha se një diskutim që ka të bëjë me uljen e numrit të studentëve që vijnë në Britani jo për kurse diplomimi, nuk ka marrë ende pëlqimin e plotë të koalicionit.
Në vitin e ri, ministrat pritet të propozojnë edhe plane që kanë të bëjnë me reduktimin e numrit të familjarëve që kërkojnë t'u bashkohen imigrantëve që jetojnë në Britani.
Andrew Green nga instituti “Migration Watch” tha se ishte hera e parë në historinë britanike që një qeveri ka si objektiv politike, një kuotë migracioni.
"Na duhet ta reduktojmë imigracionin, pasi popullsia po shkon në 70 milion në 20 vitet e ardhshme dhe 68 për qind e kësaj rritjeje i detyrohet imigracionit," tha ai. David Frost, Drejtori i Përgjithshëm i Dhomës Britanike të Tregtisë, tha se ishte e rëndësishme që ndryshimet në migracion të mos dëmtonin biznesin britanik. Ai tha se bizneset që kanë një shtrirje globale duhet të kishin mundësinë për të sjellë në Britani punonjësit e kualifikuar. Javën e kaluar një Komisioni Këshillues për Migracionin rekomandoi që numri i shtetasve të huaj që vijnë për të punuar në Britani, duhet të ulet mes 13 për qind dhe 25 për qind vitin e ardhshëm.
Megjithatë ky komision tha se ky limit do të kontribuonte vetëm me 20 për qind në objektivat e qeverisë për të reduktuar imigracionin në Britani.
Deputeti laburist Keith Vaz që drejton edhe Komisionin parlamentar për Punët e Brendshme shprehu skepticizmin, përsa i takon suksesit të vendosjes së kuotave.
"Do të ketë shumë përjashtime, që nga sektori i arsimit tek shkencëtarët e njohur, që nga futbollistë e deri tek biznesmenë....do të ketë kaq shumë boshllëqe, sa nuk do të jetë fare
kuotë", tha zoti Vaz.

Shkrimi është marrë nga BBC

Emigracioni, testi i italishtes shtyn afatet e marrjes së kartës së qëndrimit

ROME - Sot për të marrë kartën e qëndrimit kalojnë edhe 10 muaj apo një vit nga data e paraqitjes së kërkesës. Nga data 9 dhjetor koha e pritjes i duhen shtuar, minimumi, 2 muaj të tjerë. Pikërisht për të kryer testin e gjuhës italiane, sepse, edhe nëse e njeh gjuhën, po nuk ke një dokument që ta vërtetojë, duhet të kryesh testin, që duhet të prenotosh on line e për të cilin Prefektura duhet të japë datën e provimit brenda 2 muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës. Kështu thotë ligji, siç thotë edhe që leja e qëndrimit duhet lëshuar brenda 20 ditëve pune, apo që dekreti i shtetësisë duhet të jepet brenda dy vjetëve nga paraqitja e kërkesës.
Testi i gjuhës në vetvete nuk duhet të jetë diçka e vështirë, kërkohen njohuri bazë, të të folurës së përditshme, të nivelit A2. Madje njohja e italishtes është edhe një instrument i nevojshëm integrimi. Por nga ana tjetër, Ministria e Brendshme përcakton ku duhet dhënë provimi, por nuk përcakton entet që duhet të ofrojnë falas kurset e gjuhës. E kush nuk e di italishten? Duhet të paguajë për ta mësuar. Ose po të ketë fat e të jetojë në ndonjë nga komunat që organizojnë kurse falas për të huajt, të ndjekë një prej tyre.
Është ende herët për të folur si do të shkojë procedura e re, por një gjë është e sigurt: vrapimi me pengesa për të arritur deri të karta e qëndrimit është zgjatur edhe më. Ndaj kush përmbush të gjitha kushtet për kartën e qëndrimit ka ende tre javë kohë për të paraqitur kërkesën pa iu nënshtruar testit.

25 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›