E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti nuk mund të jetë departament i qeverisë



Fiona Mcllwham*

Vendimi pozitiv i BE-së për vizat dhe Opinioni negativ nga Komisioni për progresin e Shqipërisë për në BE, ofrojnë një panoramë të qartë të situatës:
Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm që nga regjimi i mëparshëm, por për ta konsoliduar progresin: për të siguruar mundësi demokratike të gjithëve; dhe
për të ecur përpara në marrëdhëniet me BE-në, ende ka për të bërë.
Më lejoni të filloj të parashtroj pozicionin e Qeverisë sime dhe disa fjalë për zgjerimin e BE-së në përgjithësi.
Ndonëse entuziazmi për zgjerimin e BE-së njeh ulje dhe ngritje ndërmjet shteteve anëtarë, Mbretëria e Bashkuar qëndron fort pro-Zgjerimit.
Ne e shohim zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh tek Ballkani Perëndimor si një qëllim strategjik: Një mjet për të realizuar stabilitet, siguri dhe begati nëpër Evropë, bazuar në
një demokraci të fortë, në sundimin e ligjit dhe në vlera të përbashkëta: Ashtu siç tha Sekretari Britanik i Jashtëm, Hague në Sarajevë në qershor: “BE-ja pa Ballkanin do të kishte një hendek zhgënjimi pranë qendrës së saj”…….
Zgjerimi është një mundësi dhe një provë për të dyja palët.
Suksesi do të jetë një provë e madhe e asaj që BE-ja mund të arrijë në politikën e jashtme të saj. Po ashtu, zgjerimi është një provë për rajonin dhe përkushtimi i qeverive ndaj vlerave evropiane.
Do të kërkohet një veprim konkret prej vendeve që aspirojnë, si Shqipëria, në përmbushjen e kritereve të BE-së.
Siç tha komisioneri Fule, zgjerimi është një rrugë me dy drejtime, dhe që procesi te jetë i besueshëm, shtetet anëtare duhet të jenë rigoroz me kushtet, por, duhet të sigurohen që vendet që aspirojnë kanë mbështetjen nga BE-ja për të plotësuar kushtet.
Ky është konteksti strategjik. Të kthehemi tani te Shqipëria.
Para dy javësh, ne mësuam për dy vendime të rëndësishme të BE-së për Shqipërinë: Një rreth të kaluarës, dhe tjetri për të ardhmen
Vendimi për të hequr vizat turistike ishte një vendim i rëndësishëm dhe shumë pozitiv; – dhe dëshmi e përparimit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë që nga 1990.
Ndërmjet shumë vendimeve që BE-ja ka marrë për Shqipërinë, liberalizimi i vizave do të ketë një efekt të drejtpërdrejt, sepse njerëzit do të mund të udhëtojnë për të kaluar pushimet, pa ndenjur në radhë, pa paguar për viza.
Mbi të gjitha, vendimi u mor sepse u mbajtën premtimet dhe u ndërmorën reformat. Është një sinjal i përkushtimit të BE-së ndaj Shqipërisë dhe popujve të rajonit. Sidoqoftë, vendimi i dytë është shumë më i rëndësishëm për të ardhmen.
Opinioni i Komisionit pa gatishmërinë e Shqipërisë për të ecur në fazën tjetër të marrëdhënieve me BE-në. Vlerësimi ishte i vështirë për t’u marrë por i drejtë.
Komisioni gjykoi që, me gjithë progresin e rëndësishëm, Shqipëria nuk është gati, as për statusin e kandidatit, as për hapjen e negociatave.
Pse?
Ky vendim nuk ka lidhje me pretendimet e politikanëve shqiptarë që njëra palë apo tjetra ka bllokuar progresin, por, për shkak të mungesës së dialogut politik dhe sepse institucionet demokratike janë të dobëta dhe partitë politike nuk kanë bërë mjaft për t’i mbështetur dhe forcuar.
Raporti thekson nevojën për: një parlament funksionues; një administratë publike të depolitizuar dhe një sistem gjyqësor të forte dhe të pavarur; - si kërkesa bazë për një progres të mëtejshëm në BE. Mesazhi kryesor: Institucionet, institucionet, institucionet. Ia vlen të reflektojmë pak për këtë mesazh
Një vend i vërtetë demokratik nuk mund të varet në dëshirat momentale të partive, – pavarësisht nga ngjyrimi politik ose vullneti i mirë apo i keq.
Vendi ka nevojë për institucione të forta, të pavarura, dhe profesionale; që mund të kontrollojnë politikën e partive; Qeverinë, individët; dhe që mund të mbështesin dhe mbrojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Duhet të ketë vazhdimësi, ekspertizë dhe procedura të ndershme; Respekt profesional dhe kontrolle te duhura brenda sistemit demokratik.
Dëshiroj të bëj disa komente për dy kolona kryesore të demokracisë – dy elementë që Ne, në Mbretërinë e Bashkuar i mbajmë si më të çmuarat: parlamenti dhe sistemi gjyqësor, dhe për të cilat ne jemi angazhuar në Shqipëri.

Parlamenti
Raporti i Komisionit tha se institucionet dhe procedurat parlamentare të Shqipërisë nuk funksionojnë siç duhet. .... Pse? Sepse ai është përdorur aktualisht si një forum për retorikë dhe teatër pa substancë. Komisionet parlamentare nuk analizojnë politikat.
Ata nuk marrin në pyetje ministrat dhe nuk konsultohen me ekspertë të pavarur për tu informuar më mirë mbi politikat, apo zhvillimet e legjislacionit:
Nuk ka seanca të planifikuara rregullisht për Kryeministrin që ti përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Në Mbretërinë e Bashkuar, si në shumë vende të BE-së, kryeministri shfaqet para parlamenteve të tyre çdo javë për t'iu përgjigjur pyetjeve, për çdo çështje që deputetët duan të ngrenë.
Ka një debat të ndezur, dhe, si Presidenti Topi e pa vetë, kur ndoqi një seance gjatë vizitës së tij të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, - disa janë teatrale. Por, çështjet serioze të interesit kombëtar adresohen.
Parlamenti nuk është dhe nuk mund të jetë një tjetër departament i qeverisë. Edhe deputetët e qeverisë duhet të bëjnë pyetje dhe sugjerime mbi legjislacionin dhe politikat. Gjithashtu, anëtarët e opozitës pritet të marrin pjesë plotësisht dhe në mënyrë konstruktive. Opozita mund të mbështesë dhe duhet të punojë në mënyrë konstruktive për të përmirësuar propozimet e Qeverisë. Kjo nuk është dobësi por një politikë e mirë me shpirt publik.
Seancat e fundit në emërimet gjyqësore nxjerrin në pah problemet: Anëtarët e Komisionit, nga të dyja palët, shfrytëzuan rastin për të fituar pikë personale ndaj palës tjetër dhe kandidatëve; Pak konsideratë serioze i është dhënë kredencialeve profesionale të kandidatëve dhe nëse ata i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në Kushtetutë (të ndryshme nga axhendat e partive); Kishte pak angazhim në substancë dhe pak respekt u tregua për disa profesionistë serioze, apo ndaj vete nevojave të reformës gjyqësore të Shqipërisë.

Sundimi i Ligjit / Gjyqësori
Reforma në sistemin gjyqësor dhe përparimi në sundimin e ligjit u vunë në pah si prioritetet kryesore për Shqipërinë në Opinionin e Komisionit Europian. Raporti vuri në dukje mangësitë substanciale në pavarësi, transparencë dhe llogaridhënie të sistemit gjyqësor. Si dhe mungesa e një historiku bindës në luftën kundër korrupsionit.
Pavarësisht nga komentet e BE-së, efekti neto i saj është që shqiptarët e zakonshëm nuk kanë besim në gjykatat për të marrë drejtësi për ta dhe familjet e tyre.
Ka një kulturë të perceptuar të mosndëshkimit. Një ndjesi që drejtësia dhe mundësitë janë në dispozicion vetëm për disa dhe vetëm për ata që kanë miq.
Është ky frustrim, – abuzimi me pushtetin dhe mungesa e vëmendjes ndaj nevojave të përditshme, – të cilat Blendi Kajsiu sugjeron se nxitën veprimet e banorëve në Dukat. Veprimi civil është pozitiv; është një element thelbësor i demokracisë së shëndetshme. Por, nuk duhet të vijë vetëm në moment krizash.
Por, le të jemi të qartë: problemet në gjyqësor nuk janë të gjitha faji i gjyqtarëve.
Parlamenti dhe Qeveria duhet të mbështesin gjyqësorin në: Sigurimin e mjaftueshëm të njerëzve të duhur për të bërë për ta një punë të mirë; shpërndarjen e burimeve të mjaftueshme për financimin e personelit përkrahës dhe pajisjeve; respektimin e institucionit dhe vendimeve te gjykatës, jo duke aplikuar presion politik apo personal për ti ndryshuar ato.
Dhe, ka nevoje të ketë një zbatim të gjykuar më mirë të rregullave të imunitetit në mënyrë që prokurorët mund të hetojnë pretendimet shpejt, në mënyrë profesionale dhe efektive. Akuzat e pafundme nga partitë politike, ndaj njëra-tjetrës për vepra të gabuara, pa hetim ose ndjekje penale, zhvillojnë një ndjenjë mosndëshkimi dhe dëmtojnë kredibilitetin e institucioneve shqiptare.

Hap i menjëhershëm
Është e qartë se përparimi i mëtejshëm për reformat më kryesore nuk mund të arrihet pa një kulturë më konstruktive politike dhe dialogu.
Komisioni arriti në përfundimin se "situata politike aktuale rrezikon një polarizim të thellë dhe të gjatë të klasës politike, me pasoja serioze [...] për gjetjen e konsensusit.."
Është zhgënjyese që, pas raportit, partitë politike kanë vazhduar duke fajësuar njëra-tjetrën. Kjo do ndihmojë pak në: zgjidhjen e ngërçit aktual politik; përmirësimin e jetës së shqiptarëve të zakonshëm; apo për të ngritur reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë - në veçanti në Bashkimin Europian.
E parë nga Londra dhe nga Brukseli, tani do ishte një kohë e mirë për tu tërhequr prapa, për të festuar arritjet e Shqipërisë, por edhe për të njohur problemet, dhe për të punuar në mënyrë konstruktive në zgjidhjen e tyre; dhe sa me shpejt.
Propozimi i fundit nga opozita për hetimin e zgjedhjeve është një shenjë premtuese dhe një mënyrë e mundshme për zgjidhjen e ngërçit. POR është në dorë të Shqipërisë dhe politikanëve të Shqipërisë për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Dhe deri sa te arrihet marrëveshje, ne nuk bëjmë përpara.
Në Sarajevë, sekretari i Jashtëm, Hague theksoi cilësitë, të cilat (ai)ne në Mbretërinë e Bashkuar i shohim si themelore në mënyrën se si bëjmë biznes në Bashkimin Evropian - "fleksibilitet dhe gatishmëri për të bërë kompromise të gjykuara mire ... duke vepruar me vendosmëri për të gjetur zgjidhje të pranueshme, kur interesat ndryshojnë" .
Kjo duket akoma më urgjente këtu në Shqipëri. Potenciali i këtij vendi është i qartë. Angazhimi i Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj Shqipërisë është i qartë. Çfarë është e nevojshme tani është krijimtari dhe kurajo për të ndërmarrë hapa që: demonstrojnë kredencialet e Shqipërisë për në BE: punojnë për popullin; dhe vendosin vendin në rrugën e duhur për Statusin e Kandidatit dhe negociatat e pranimit.

Propozimi i fundit nga opozita për hetimin e zgjedhjeve është një shenjë premtuese dhe një mënyrë e mundshme për zgjidhjen e ngërçit. POR është në dorë të Shqipërisë dhe politikanëve të Shqipërisë për të përcaktuar hapat e ardhshëm. Dhe deri sa te arrihet marrëveshje, ne nuk bëjmë përpara

*Fjalimi i ambasadores britanike, Fiona Mcllëham i mbajtur dje në konferencën e Akademisë Europiane

23 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›