Emigrimi ilegal, ne qender te forumit ministerial BE-Ballkan
Sot dhe nesër zhvillohet takimi dypalësh për Drejtësinë dhe çështjet e brendshme
Në qendër, masat pas liberalizimit të vizave dhe pavarësia e Gjyqësorit dhe e Prokurorisë
Albert Gjoka
Çështja e emigrimit ilegal është në qendër të forumit ministerial mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti dyditor, që nis sot në Bruksel, mbledh ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian, ku ndër pikat më të nxehta janë pasojat e mundshme që mund të vijnë nga liberalizimi i vizave në zonën “Shengen” me qytetarët e rajonit. Por, në fokus do të jenë edhe reformat në fushën e Gjyqësorit dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë në vend.
Forumi
Sot nis në Bruksel takimi ministrerial mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor për çështjet e brendshme dhe reformat në Drejtësi. Burimet zyrtare të Komisionit Europian njoftuan dje axhendën e takimit dyditor, i cili ka në fokusin kryesor problemet e emigrimit ilegal dhe kontrollin e kufijve pas vendimit të datës 8 nëntor për liberalizimin e vizave edhe me dy vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria dhe Bosnja. Sipas tyre, në këtë forum do të diskutohet edhe bashkëpunimi i qeverive të rajonit me agjencitë e BE-së, si Europol apo Frontex (që merret me menaxhimin e kufijve), si dhe do të debatohet për masat në luftën kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit etj. Presidenca belge e BE-së, por edhe ministrat e shteteve anëtare, pritet t’u përcjellin mesazhe direkte ministrave të Brendshëm të vendeve të rajonit, ku pritet të diskutohet edhe për mekanizmat monitorues të qarkullimit të lirë të qytetarëve të Ballkanit në zonën “Shengen”.
Në ditën e dytë të forumit është në axhendë diskutimi për reformat në Drejtësi, pavarësia e Gjyqësorit dhe e Prokurorisë, çështjet e ekstradimit etj. Forumi drejtohet nga përfaqësuesi i Presidencës belge të BE-së dhe nga komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë.
Paralajmërimi
Më 8 nëntor, Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së mori vendimin për heqjen e vizave për shqiptarët dhe boshnjakët. Duke parë përvojat jopozitive me tre vendet e tjera ballkanike: Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, të cilave iu hoqën vizat që në dhjetor të vitit 2009, zyrtarët e lartë të Komisionit Europian njoftuan vendosjen e një mekanizmi monitorues dhe nëse do të ketë shkelje masive të regjimit të qarkullimit të lirë, do të ketë penalizime. Madje, edhe vetë komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë të KE-së, Sesilia Malmstrom, bashkë me përfaqësuesin e Presidencës belge ishin në Tiranë dhe përsëritën apelin për qeverinë dhe qytetarët shqiptarë që të respektojnë rregullat e qarkullimit në zonën “Shengen”.
Pasaportat biometrike, rikthehen radhët
Megjithëse pritej, koncesionari i prodhimit të dokumenteve të reja të identitetit është gjendur i bllokuar nga aplikimet e shumta për pasaporta biometrike. Tashmë që pritet për të lëvizur lirshëm në zonën “Shengen”, janë rritur aplikimet edhe për pasaporta në procedurë normale, por edhe aplikimet emergjente, duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët. Situatë e rënduar ishte gjatë gjithë ditës së djeshme në pikat e aplikimeve në disa rrethe, si: Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan.
Pas shpërndarjes së kuponëve në zyrat e postës, në qytetin e Shkodrës vërehen radhë të gjata të qytetarëve që kërkojnë të pajisen me pasaportë biometrike. Radhët zgjasin nga mëngjesi deri në orët e vona të pasdites. Por, përveç radhëve të gjata, probleme hasen nga qytetaret, të cilët ka prej atyre që kanë më shumë se një muaj që nuk u ka dalë pasaporta biometrike. Edhe në Durrës është e njëjta pamje. Qytetarët në radhë janë tmerruar dje edhe nga reshjet e shumta të shiut që kanë sjellë edhe reagime rebeluese ndaj qeverisë dhe koncesionarit. Shumë prej tyre kanë qëndruar me orë të tëra edhe në shi, pasi mungojnë sallat e pritjes, ndërkohë që edhe sistemi i aplikimit on-line nuk punon. Punonjësit e zyrave të aplikimit thonë se pas vendimit për heqjen e vizave është dyfishuar numri aplikuesve.
Në Elbasan, brenda një periudhë 7-javore, janë blerë 20 mijë kuponë për pasaportat dhe 10 mijë kuponë për kartat e identitetit. Qytetaret shprehen se për të aplikuar janë të detyruar që të presin me orë të tëra, ndonëse paraqiten pranë zyrave që në orët e para të mëngjesit. Një situatë e tillë u shfaq edhe më datën 8 nëntor, pikërisht ditën që BE-ja vendosi liberalizimin e vizave për shqiptarët në zonën “Shengen”. Situata pritet të jetë e tillë edhe në ditët në vijim.
Pasaportat, “Aleat” hap zyra në disa rrethe
Ministria e Brendshme informoi dje se gjatë kësaj jave, kompania “Aleat” do të ofrojë shërbimin e ri të prodhimit të përshpejtuar të pasaportës biometrike edhe në qytetet Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Aplikimi për procesin e përshpejtuar të pasaportës biometrike do të mundësohet që nga data 23 nëntor në Shkodër, 24 nëntor në Vlorë, 25 nëntor në Elbasan dhe 26 nëntor në Durrës. Ky shërbim filloi të ofrohet për herë të parë në Tiranë më 8 nëntor 2010, pranë njësive bashkiake 3, 4 dhe 10. Edhe në katër qendrat e reja ku do të ofrohet shërbimi për prodhimin e përshpejtuar të pasaportave biometrike aplikimi u mundësohet të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, të cilët mund të zgjedhin në këtë mënyrë pikën më të afërt për përfitimin e këtij shërbimi. Nëse shtetasi aplikon deri në orën 11:00 pasaporta do të prodhohet në dy ditë pune. Nëse shtetasi aplikon pas orës 11:00 pasaporta do të prodhohet për tri ditë. Pasaportat e prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të mund të tërhiqen nga qytetarët pranë drejtorive të Policisë së Shtetit në këto qarqe.
23 Nentor 2010