E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet që duhet të marrin ushtarakët sipas të drejtave të fituara



Dr. Kujtim Çako*

Anëtarësimi i Shqipërisë në EUROMIL dhe nisja e procedurave për përfshirjen e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve në këtë organizatë, shënoi hapin më të rëndësishëm të ndërkombëtarizimit të të drejtave të këtij komuniteti të madh në betejën për të zgjidhur të drejtat e fituara me ligj. Vendimi i Bordit të EUROMIL-it, në takimin e zhvilluar më 28-30 tetor të këtij viti hap kapitullin për të çuar deri të fund betejën për zgjidhjen e pikave që AKUSH dhe ushtarakët shqiptarë në përgjithësi i kanë drejtuar qeverisë dhe Kuvendit. Përveç kësaj, krijohen mundësi për të ushtruar presione pozitive ndaj institucioneve shqiptare edhe nga strukturat e BE-së, Këshilli i Europës, por edhe Gjykata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në takimin e Brukselit, drejtuesit e EUROMIL kërkuan nga AKUSH që të integrojë dhe bashkëpunojë në misionin e saj edhe sindikatat e ndryshme; si ato të policisë, të pensionistëve dhe përfshirjen në shoqatë të ushtarakëve aktivë. Konventat ndërkombëtare, të pranuara edhe nga Shqipëria, të cilat flasin për të drejtat e ushtarakëve aktiv apo në pension, po promovohen dhe shpërndahen gjerësisht nga ana jonë. Gradualisht, do ti hapet rruga edhe kërkesës për krijimin e Avokatit të Ushtarakëve, një institucion ky që po vendoset në BE, duke kërkuar për të vendosur një standard evropian në fushën e mbrojtjes së të drejtave të ushtarakëve.
AKUSH, si një shoqatë mbarëkombëtare, gjithëpërfshirëse, jo-qeveritare, jo-politike dhe jo-fitimprurëse ka për mision që të bashkojë të gjithë kategoritë e ushtarakëve; në pension, në lirim, në rezervë, veteranë, aktivë dhe ushtarakët, viktima të diktaturës komuniste (të të ashtuquajturit “grupe puçiste në ushtri”).
Bashkimi së fundi në gjirin e Aleancës edhe të Lidhjes së Pensionistëve të Shqipërisë, me kryetar Vangjel Kondon, është pjesë e nismës që organizata jonë po bën për të realizuar misionin.
Konferenca kombëtare “Për të drejtat dhe liritë themelore të Personelit të Forcave të Armatosura”, organizuar më 15 nëntor nga Ministria e Mbrojtjes, OSBE/ODIHR-i dhe EUROMIL përbën një arsye më shumë në mbrojtjen e të drejtave tona. Prania e EUROMIL-it në këtë takim të zhvilluar në Tiranë do të thotë: Integrim evropian, mos-injorim të problemeve aktuale; përkrahje dhe mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve shqiptarë “.
Tashmë, AKUSH po punon për institucionalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, si me Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, me Parlamentin, Qeverinë, Institutin e Sigurimeve Shoqërore e organe të tjera, si dhe sindikata të ndryshme të pensionistëve, të ushtarakëve, të policëve, etj.

Problemet social-ekonomike
Ky komunitet po përballet me probleme të rënda sociale dhe nuk iu ofrohen nga shteti të drejtat që i jep Statusi apo kuadri ligjor në përgjithësi. Shume ushtarakë vuajnë nga sëmundje profesionale si sindroma të sistemit nervore, sëmundje të brendshme dhe deri ato tumorale. Sipas të dhënave tona, rreth 500 prej tyre jetojnë të vetmuar, pa përkrahje sociale e ndihma familjare, me mundësi të kufizuara financiare për të jetuar. Fatkeqësisht, mungon një qendër e specializuar sociale për trajtimin e kësaj kategorie dhe për familjarët e tyre, krejt ndryshe nga sa shohim eksperiencat perëndimore; madje, edhe vendet fqinje.
Zvarritja 20-vjeçare në trajtimin e kërkesave të ushtarakëve ka sjellë edhe seleksionimin natyral të tyre; që do të thotë se këtë të drejtë ligjore nuk mund ta gëzojnë më as familjet për rreth 20% e ushtarakeve që janë ndarë nga jeta. Në 5 vitet e ardhshme pritet që të rritet niveli i vdekshmërisë për ushtarakët pensionistë. Në emrin e gjithë ushtarakëve dhe civilëve që kanë punuar në Forcat e Armatosura, Polici, Gardë, në strukturat e Ministrisë së Brendshme, Emergjencat Civile, etj., sot iu bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shqiptare që ti japin ushtarakëve atë që iu ka dhënë ligji dhe të vlerësojnë kontributet dhe rolin e tyre në shoqëri. E them këtë sepse deri më sot asnjë ushtarak, për kontribute të veçanta, nuk ka marrë vlerësim dhe nuk është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Nuk duhet lejuar dhe nuk do ta lejojmë as nesër që të politizohet çështja e ushtarakëve në pension apo reformë, duke u trajtuar si një shtresë e shoqërisë së kaluar. Akoma më e dhimbshme dhe legjitime është kjo kërkesë për të gjithë ushtarakët që u përndoqën nga sistemi komunist në emër të luftës kundër puçistëve.

Zbatimi i ligjit
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa zbatimi i ligjeve për “Statusin e Ushtarakut”, të miratuara në vitin 1991 dhe 2004, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007 e 2010, të cilat pranuan për herë të parë shkeljen e parimeve kushtetuese dhe të drejtën e fituar nga ushtarakët, e cila sot mezi pranohet të trajtohet nga administrata shtetërore.
Ushtarakët nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa iu ka dhënë ligjvënësi, me votë të thjeshtë dhe të cilësuar.
Por, në mënyrë absurde, kohët e fundit Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ, ku në relacionin e tij del qartë shkelja që iu bë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Nr. 33 datë 24.06.2010. Qeveria sjelle argumente false; si shkelje e parimit të balancave, kufizim sipas praktikës së vjetër, pagesa 1-2 pensione bazë dhe injorohet paga në momentin e daljes në pension, llogaritet një mesatare absurde për tërë karrierën ushtarake të pagës bruto dhe neto vetëm për të ulur pensionin. Dihet se ka pensione të diferencuara brenda kategorive të ushtarakëve, që për pagë, vjetërsi dhe kontribute pothuajse të njëjtë variojnë nga 4-5 mijë lekë në muaj apo kur ka një aktualitet absurd, si p. sh. një kapter merr 25 mijë lekë pension ndërsa një oficer i lartë 17. 6 mijë lekë në muaj. Pjesa më e madhe e të ndëshkuarve janë ata që dolën në reformë gjatë viteve të para të tranzicionit. Aleanca nuk do të rresht asnjëherë në kërkesat e saja për ti kërkuar shtetit që të japë të drejtën e fituar për rreth 11.300 përfitues ushtarakë; nuk do të lejojë që të krijohen kufizime artificiale dhe absurde, diskriminime ligjore dhe sociale, të cilat nuk ekzistojnë në asnjë vend demokratik të botës: Të tilla janë edhe rillogaritja e pensionit mbi bazën e pagës mesatare referuese bruto dhe neto, si dhe aplikimet e reja me fuqi prapaveprues dhe të pakrahasueshme me aktualitetin e sotëm.
Në relacionin e Aktit –Normativ të Këshillit të Ministrave nuk jepet masa e pensionit të ushtarakëve përfitues në masë; në pension të parakohshëm, por jepet vetëm shifra 41.000 lekë pension të atyre që kanë dalë në vitin 2004. Nëse këta specialistë marrin parasysh ligjet në fuqi për të drejtën e fituar, indeksimin dhe shtesën vjetore të pensioneve, të paktën qysh nga viti i parë i pagesës, 1999, duhet të shprehen se kjo shifër, mbi 40. 000 lekë në muaj, iu takon pothuajse të gjithë ushtarakëve të dalë në pension, natyrisht me diferencimet individuale sipas pagës, vjetërsisë dhe kontributeve të paguara nga secili prej tyre. Përveç kësaj, mendojmë se në vazhdim, ka kuptim futja e treguesve të tillë si, pagesa e kontributeve, e tatimeve dhe paga neto, por është paradoksale fuqia prapavepruese, shtrirja në kohë deri në vitet `70, apo edhe më përpara, kur ka filluar karrierën ushtaraku, i cili ka paguar vetëm siguracionet shoqërore të kohës, nga 8-11% e më shumë.

Kërkesat e ushtarakëve
Si përfundim, këtë të drejtë ligjore, ISSH-ja dhe drejtoritë rajonale të saj duhet ta japin, duke rillogaritur pensionet pa kufizime, pa tavane kufizuese 1 apo 2 pensione bazë dhe të zbatojnë pagesën. Natyrisht, mendojmë se duhet reformuar thellësisht sektori i sigurimeve shoqërore, duke shtuar kapitalet në tregun financiar botëror, si një rrugë për rritjen e pensioneve. Atë që nuk e bën qeveria dhe institucionet e saja të varësisë, mbi 200 ushtarakë e kanë bërë përmes rrugëve gjyqësore dhe kanë fituar pensionet sipas mundit dhe kontributeve që kanë dhënë gjatë gjithë karrierës së tyre.
Në mungesë të vullnetit të qeverisë për të zbatuar ligjin për pensionet e ushtarakëve, tashmë, rruga e vetme do të jetë dhënia e një vendimi unifikues nga Gjykata e Lartë për të gjithë ushtarakët pensionistë. Aleanca kërkon përshpejtimin e procedurave të ri-llogaritjes së pensioneve dhe të mos vazhdojë penalizimi i përfituesve ushtarakë prej 20 vjetësh për të drejtën e fituar me ligj. Brenda një kohe të shkurtër kanë aplikuar më shumë se 6000 ushtarakë. Pas 20 vitesh po bëhet njehsimi i funksionit me gradën ushtarakut për të gjithë ata që nuk e kanë bërë këtë, edhe pse dispozita ligjore ka qenë në fuqi prej shumë vitesh. Por, kjo na bërë që të kërkojmë në mënyrë urgjente fillimin e dhënies së pagesës sipas gradave dhe t`i jepet fund zvarritjes e penalizimit 18 mujor nga moszbatimi i ligjit Nr. 10142. Qeveria duhet ti japë fund lojës juridike, duke miratuar ligje pas ligjesh vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur ( mesatarisht në çdo 2 vjet) duke shkaktuar një pasiguri juridike për këtë shtresë sociale, duke mos iu dhënë kohë as institucioneve që të zbatojnë ligjet e miratuara në mënyrë jo-transparente, pa konsulta me grupet e interesit, të cilat në thelb penalizojnë vetëm ushtarakët.

Standardet e NATO-s
AKUSH-i do të thellojë fushatën e saj për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve në të gjitha strukturat e NATO-s, aleancë e cila futi në gjirin e saj edhe Shqipërinë që prej prillit të vitit të kaluar. Tashmë nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të fillojmë betejën për garantimin e të drejtave tona në të gjitha institucionet vendase dhe ndërkombëtare (përfshirë edhe Gjykatën e Strasburgut), në gjykata dhe të kërkojmë ndihmën e medias për sensibilizimin e mëtejshëm të të drejtave tona. Sindikatat e pensionistëve, të policisë, gardës, reparteve zjarrfikëse, emergjencave civile, por edhe ushtarakët aktivë duhet që të bëhen pjesë e këtij procesi për mbrojtjen e të drejtave themelore që na janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre 20 viteve. Pjesë e këtij shqetësimi duhet të bëhen edhe Avokati i Popullit dhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Përmirësimi i një kuadri ligjor, sipas standardeve të NATO-s, për trajtimin financiar të ushtarakët në pension dhe atyre aktiv, do të ishte nisma më e mirë që do të ndërmerrte Ministria e Mbrojtjes.
Deputetëve dhe drejtuesve në qeverisje ju duhet që të fitojnë një vlerë demokratike më shumë nga ushtarakët shqiptarë, nga kjo shtresë e depolitizuar, patriotike dhe fisnike e shoqërisë demokratike shqiptare, sepse duhet të japin shembullin evropian që ligjet e miratuara prej tyre, i zbatojnë; por në rast se nuk e bëjnë një gjë të tillë, beteja për garantimin e të drejtave themelore nuk do të ndalet.

*Autori është president i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë

24 Nentor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›