E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderohet me urdhrin "Nderi i Kombit" piktori Lin Delija

Për të parën herë në historikun e Presidencës shqiptare arti i pikturës ka mbështjellë muret e sallës qendrore të nderimeve me emrin "Skënderbej" me 16 vepra artistike të piktorit shkodran të famshëm e të studiuar në Itali Lin Delija.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit" piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija (pas vdekjes) me motivacionin: "Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve".
Shprehës gjenial të etnosit dhe shpirtit shqiptar e vlerësoi presidenti Topi piktorin që duket sikur po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik.
Të ftuar në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit si i vëllai Ndokë Delia, Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D'Elia dhe nënkryebashkiaku i qytezës së Antrodokos Armando Nikoleti të cilët rrëfyen copëza nga jeta e Artistit të njësuar me vendlindje dhe komunitetin italian ku krijoi..
Lin Delija njihet si shok shkolle e mik me dy shqiptarë të tjerë të mëdhenj me françeskanin Zef Pllumi dhe basin e famshëm, Lukë Kaçaj, të cilët përshkuan ferrin komunist dhe mbërritën në pragun e demokracisë si dhe i përkrahur nga Ernest Koliqi krahas portreteve të bukurosheve, nudove, shenjtorëve dhe baladave të malsorëve ka shenjuar brenda kuadratit edhe portretet e personazheve të përndjekjes politike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›