Rregulla të reja për produktet elektrike
Në tregun vendas ka shumë produkte elektrike që shiten në mënyrë të parregullt. Një pjesë e tyre rezulton të jenë false, por çmimet e shitjet janë goxha të larta. Kështu është shprehur kreu i inspektoratit qendror teknik, Ilir Kurti. Sipas tij, në prill të këtij viti është miratuar një vendim, në bazë të të cilit që nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të lejohet që të hyjnë në treg mallra false. Një proces i tillë do të realizohet në bashkëpunim me doganën shqiptare. “Ne kemi nisur bashkëpunimin me doganat, dhe mund të them që brenda një viti, në Shqipëri nuk do të ketë më prodhime false, që zënë një peshë të madhe sot në tregun shqiptar. Materiale false nuk do ketë më. Situata aktuale në treg është shumë alarmante përsa i përket elektroshtëpiakeve apo kondicionerëve, pasi pjesa më e madhe janë prodhuar në mënyrë false”, ka thënë ai. Sipas tij, çdo prodhues, apo shitës në Shqipëri që importon produkte, duhet të ketë një dosje për çdo pajisje që shitet. “Kjo dosje teknike duhet të ruhet për 10 vjet, që do të thotë që në çdo moment brenda këtij 10-vjeçari, strukturat përgjegjëse për kontrollin e tregut do ta kontrollojnë, dhe të mbajë përgjegjësi prodhuesi, apo shitësi për sigurinë e këtij produkti”, vijoi Kurti.