Ndërpriten operacionet në Veri, KFOR ndesh në rezistencën e serbëve lokalë

Vrasja e efektivit Zymeri, Gjykata lëshon urdhër arresti për 6 serbë
Qindra serbë të veriut të Kosovës penguan trupat e KFOR-it për largimin e barrikadave rrugore në atë pjesë të vendit.
Qindra serbë u ulën në rrugë për të ndalur avancimin e trupave të NATO-s të cilat, gjatë natës, u përpoqën të largojnë barrikadat e përbëra nga vetura, gurë, baltë dhe drunjë.
Gjatë aksionit thuhet se nuk u përdor forca, ndërsa nuk raportohet për ndonjë të lënduar.
Serbët kanë bllokuar diku 16 rrugë në veri të Mitrovicës për të pamundësuar shtrirjen e autoritetit shtetëror të Kosovës në atë pjesë të vendit.
Veprimet e tyre, që pasuan aksionin policor të autoriteteve kosovare në muajin korrik, ata i kanë koordinuar ndërmjet tyre me qëllim mbrojtjen e shtetit të tyre.
Emrat e të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri pritet të shfaqen së shpejti në faqen zyrtare të Interpolit.
Prokuroria e Qarkut e Mitrovicës ka bërë kërkesë në Gjykatë për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar dhe në ditët në vazhdim të nënshkruhet nga një gjyqtar për t`u dërguar më pas në sekretariatin e Interpolit në Lyon të Francës, ka bërë të ditur një burim nga Gjykata. Kërkesën e Prokurorisë e ka konfirmuar, të premten, edhe kryeprokurori Shyqyri Syla.
Kërkimet në Kosovë për arrestimin e tyre nuk kanë dhënë rezultat deri tani, ndërsa urdhri për arrestim është lëshuar pesë javë më parë nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës. Burime nga Policia thonë se të kërkuarit Ratomir Bozhoviq i njohur si “Dude”, Radovan Radiç, Milovan Vlashkoviç, Slobodan Vuçiniç, Dushan Jovanoviç dhe Ratomir Kasaleviç nuk ndodhen në Kosovë, por fshihen në Serbi. Ky fakt, sipas këtij burimi, është i mjaftueshëm që Gjykata të lëshonte një urdhërarrest ndërkombëtar, çka do ta detyronte edhe Serbinë si anëtare e Interpolit të kryente kërkime për arrestimin e tyre.
Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it disa javë rresht ishin vënë në ndjekje të gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri, më 26 korrik, në veri. Vrasja e tij pati ndodhur një ditë pas nisjes së aksionit për vënien e kontrollit në dy pikat kufitare atje. Urdhrin e arrestimit të tyre ishte lëshuar nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës me kërkesë të Prokurorisë.
Prej vrasjes së policit Zymeri katër muaj më parë, situata në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar shumë. Serbët lokalë të mbështetur nga strukturat shtetërore që veprojnë edhe në Kosovë po vazhdojnë të kundërshtojnë shtrirjen e autoriteteve shtetërore në atë pjesë të Kosovës. Përpjekje të shumta të mbetura në tentativë për zhbllokimin e rrugëve janë bërë gjatë kësaj jave.