900 delegatë fals për një humbje reale
U mbyll farsa dhe u caktuan korrierët e turpit, që janë ngarkuar të përfundojnë procesin e privatizimit të Partisë Socialiste. Rreth 900 delegatë kanë damkën e falsitetit, por kjo s’e fsheh dot rezultatin politik të një çete të mbrujtur për të humbur, njësoj si në 2009-n e 2011-n. Krejt si dy zgjedhjet e shkuara, kongresi i 5 nëntorit veç forcon premisat e një humbjeje tjetër reale, që ngjan të jetë “e treta e vërteta” për pensionistin politik në krye të PS-së
E thënë dhe e stërthënë edhe më herët, Edi Ramës, në fazën e post-humbjeve të njëpasnjëshme të zgjedhjeve të radhës, tashmë që ka humbur edhe bashkinë, është i interesuar vetëm për të shtrënguar fort logon e PS-së. E thënë më ndryshe, për momentin, atij i intereson vetëm të jetë kryetar i PS-së. I rrënuar nga mosbesimi te aftësitë e veta për të nxjerrë fituese PS-në, ai e ka ngushtuar luftën politike në kanale që do të mund ti sigurojnë atij ndoca fitore personale brenda radhëve të partisë që drejton.
Në funksion të kësaj po i vërtit punët edhe në këto ditë të prag-kongresit të 5 nëntorit.
Nga njëra anë, emisarët e tij të tipi Blendi Klosi, për të karikuar apo edhe për të kërcënuar zërat kundër, sajojnë çudinë e “gogol-kryeministrit”, sipas së cilës “Edi Rama do të jetë kandidati për kryeministër i PS-së në zgjedhjet e vitit 2013”, kur këtë “të drejtë” atij (Edi Ramës) ia njeh për aq kohë sa do të jetë në krye të PS-së, neni 26 (Detyrat e Asamblesë Kombëtare të PSSH) i Statutit të kësaj partie, i cili në pikën 2 të tij thotë.., “Asambleja Kombëtare e PSSH, midis dy Kongreseve të Partisë..., mandaton drejtpërdrejt Kryetarin e Partisë si përfaqësues të PSSH për Kryeministër”.
Nga ana tjetër, të tjerë emisarë të tipit Sajmir Tahiri, duke ndërsyer persona me precedentë penalë, nëpër mbledhje deputetësh të PS-së me anëtarë të kësaj partie, synojnë jo vetëm ti mbyllin gojët “e këqija”, por të “orientojnë” përzgjedhjen e delegatëve të kongresit, në mënyrë të tillë që emrat e mundshëm të nominuar për “kongresmenë”, të mos i krijojnë probleme kryetarit të PS-së, në 5 nëntor 2011.
Pikërisht kështu ndodhi dje.
Denoncimet e ditëve të kaluara nga Shkodra në Vlorë për manipulimin e përzgjedhjes së “kongresmenëve”, të shpeshtuara dje nga Lezha, Berati, Devolli, Fieri.., etj.., etj..., (në ditën e kësaj përzgjedhje), konfirmoi frikën dhe pasigurinë e Edi Ramës nga kongresi dhe “kongresmenët” e tij.
Duke mos pasur besim te ata rreth 600 delegatët e kooptuar, Edi Rama, i cili deri në 5 nëntor ka në dorë të paktën të përzgjedh rreth 900 delegatët e tjerë..., këtë bëri dje.
Me pikësynim të qartë, manipulimin e gjithçkaje, që Edi Rama të mos humbas gjithçka në 5 nëntor, “të dërguarit” e tij dje në “bazë”, këtë kishin si misionin e tyre, jo edhe aq të pamundur për të përmbyllur dje.
Gjasat janë që ata t’ia kenë arritur. Me pak fjalë, përzgjedhja e “kongresmenëve” të djeshëm, nëpërmjet një të ashtuquajtur votim “një anëtar një votë”, mund ti sigurojnë Edi Ramës qëndrimin në krye të PS-së edhe pas 5 nëntorit 2011.
Por, problemi është, se çfarë do të ndodhë, pas 5 nëntorit..., apo..., apo, çfarë do të ndodhë në zgjedhjet parlamentare të mesitit 2013...?!
A do të mundet Edi Rama, që nëpërmjet manipulimit të djeshëm, ta sjellë PS-në në pushtet...?!
Sigurisht që jo...!
Manipulimi i gjithçkaje do të sjellë veç një humbje reale…, atë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në mesitin 2013...
E thënë më “popullorçe”...
Sikurse te ajo anekdota e shumë-njohur, sipas së cilës, pronarit të një shtëpie publike (bordelloje) i rekomandohej të ndërronte prostitutat (dhe jo dyshekët apo krevatet), për t’ju shtuar puna, edhe PS-ja, këtë duhet të bëjë..., dhe jo të ndërrojë “kongresmenët”...