Si na rrëmbeu e dogji Aldo Bare
Trazhgim Sokolaj
Tri ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokuroria paraqiti deklarimet e tre dëshmitarëve për krimet e “Bandës së Lushnjës”. Gazeta “Panorama”, publikon sot dëshminë e dhënë nga Servete Haxhiu, më 14 janar 2006, për ngjarjen e ndodhur në gusht 1998, kur shtëpia e saj u dogj dhe ajo me të afërm të tjerë u mbajtën peng nga banda e Aldo Bares, e cila i kishte vënë një gjobë të shoqit të dëshmitares, por ai nuk ishte bindur të paguante. Më poshtë dëshmia e dhënë dy vite më parë para hetuesve, siç është lexuar në gjykatë nga prokuroria:
Pyetje: Ç’mund të na thoni për djegien e banesës tuaj në vitin 1998? Sa persona ishin, dhe a ke njohur ndonjë prej tyre? Nëse i shihni jeni në gjendje t’i njihni?
Ishte fundi i muajt gusht të vitit 1998. Ishim shtrirë për të fjetur gjumë gjithë familja, secili në dhomën e vet. Në një moment dëgjoj një zhurmë të fortë dhe pas të goditura në derën e jashtme të shtëpisë në katin e dytë. Këto goditje shoqëroheshin me të bërtitura duke thënë: “Jemi policia kriminale, hapeni derën”. Në këtë kohë Çimi ngrihet, shkon te dritarja e kuzhinës për të parë kush ishin këta persona. Sapo i pa, Çimi më thotë që ishin grupi i Fred Shkurtit dhe “ata kanë punë me mua”. Prandaj ti Servete shko e rri në dhomë. Unë u futa në dhomën e gjumit, nuk kaluan 5-6 minuta dhe dera e jashtme u thye. Unë po rrija në dhomën time, pashë që aty duke bërtitur: Dilni jashtë! Ku është Çimi?, e të tjera fjalë fyese që nuk më kujtohen pasi isha shumë e tronditur. Hynë 4-5 veta të gjithë me armë në dorë. Nga personat që hynë në dhomën time kam fiksuar njërin: I veshur me kostum laraman, ngjyrë jeshile si ato të UÇK-së, me trup të shkurtër, të cilit i flisnin “Zhvejk” personat që ishin me të. Ishte dhe një person tjetër, i shëndoshë, jo shumë i gjatë, me sy të shqyer. Ky bërtiste: “Dilni jashtë”.
Kur dola në verandën e shtëpisë, te dera ishte Erion Çiçi, të cilin e njoha shumë mirë se ka qenë shok me djalin tim Klodin dhe ky mbante në dorë një automatik. Personat që po bënin kontrollin e shtëpisë, mbasi mbaruan kontrollin erdhën në verandën e shtëpisë ku isha unë, kunati im Virgjili e Erion Çiçi. Zbritëm shkallët ndërsa Erioni në këtë moment më thotë mua; “Futu brenda në shtëpi”. Shkova për të mbyllur dritaret. Kur po mbyllja derën e dhomës së gjumit, pashë nga dritarja që mbi murin mbas shtëpisë tonë qëndronte një person i gjatë, i veshur me bluzë të zezë me krahë të shkurtra dhe ky mbante në dorë një automatik.
Ai i njihni me emra personat që erdhën në banesën tuaj?
Me emër njoh vetëm Erion Çiçin, pasi ky ka qenë shok me djalin tim Klodianin.
Po t’i shohësh, a i njeh këta persona?
Veç Erionit nuk njoh asnjë tjetër.
Personat që hynë në banesën tuaj, a kanë përdorur dhunë ndaj jush?
Unë sqarova edhe më lart, kur Erioni më tha futu brenda, pas pak ky erdhi përsëri te dera e shtëpisë dhe më thirri: “Servete hajde se të kërkon kryetari i grupit”. Unë i thashë që nuk vij vetëm pa marrë një pjesëtar të familjes. Pas kësaj bisede unë dal në oborr të shtëpisë së bashku me kunatin Virgjilin. Kur po rrija në oborr personat e armatosur shkuan dhe u futën në shtëpinë e nipit të burrit, Karafilit dhe e morën atë bashkë me të shoqen Pranverën dhe i sollën ku isha edhe unë. Pasi u bëmë të gjithë bashkë na detyruan me forcë për të hipur në një furgon të bardhë, që ishte te porta e oborrit të shtëpisë. Pas kësaj na çuan te shtëpia e Fredi Shkurtit.
Sa ndali furgoni na zbritën e na futën në një dhomë në katin e parë të një ndërtese, ku bashkë me personat që na shoqëronin pash një person tjetër, i shkurtër, i shëndetshëm me flokë të rëna, i cili lëvizte brenda në dhomë i revoltuar dhe më pyeti se ku e kisha burrin. Sqaroj se ky person njërën dorë e kishte të lidhur me fasho të bardhë dhe kur iu luta që ta linte të qetë burrin tim, ai më tha: “Kur më vranë vëllain tim, unë nuk pyes për njeri tjetër”. Kur ai foli në këtë mënyrë e kuptova që ky ishte Fred Shkurti.
Në momentin që e kuptova se isha përballë Fred Shkurtit, për ta zbutur zemërimin e tij i thashë që me kunatën tënde kam punuar shumë vite, ndërsa me nënën tënde Balen kam njohje të hershme.
Sqaroj se në lidhje me shpjegimet e mia në momentin që u futëm në dhomën ku ndodhej Fred Shkurti, unë bashkë me kunatin Vigjilin dhe gruan e tij Filen, nipin e burrit Karafilin dhe gruaja e tij Pranvera për çdo pyetje të bëra nga unë, dhe përgjigje të dhënë nga ana jonë, për të cilat shpjegova me lart, ai na nxirrte nga dhoma një nga një. Pasi dolëm një nga një nga dhoma dhe dolëm jashtë në rrugë, u bëmë përsëri bashkë, unë Karafili, Virgjili, Filja dhe Pranvera dhe u nisëm në këmbë për në shtëpi. Sapo arritëm në shtëpi pashë që shtëpisë i ishte vënë zjarri dhe po digjej plotësisht. Që nga ky moment, kur shtëpia u dogj komplet me gjithçka kishte brenda, unë bashkë me burrin Shkëlqimin dhe dy djemtë Klodianin dhe Adionin u larguam dhe u fshehëm te njerëzit tanë, jo vetëm nga fakti që nuk kishim ku të banonim, por edhe nga frika e hakmarrjes nga personat që na erdhën në shtëpi.