E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpritet kontrata për furnizim me pasaporta

Pas shumë përpjekjeve me qëllim të tejkalimit të kontesteve për implementimin dhe realizimin e kontratës për furnizim me pasaporta elektronike mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake OeSD dhe pas konsumimit të afateve ligjore sipas kontratës për zgjedhjen miqësore të mosmarrëveshjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, ka ndërmarrë masat ligjore për ndërprerje të kontratës.

“Ministria e ka marrë këtë vendim meqenëse kompania OeSD, ka dështuar të respektojë nenin 12.2 të kontratës, me ç’rast nuk është bërë furnizimi me kohë me pasaporta elektronike. Është shkelë neni 5 i kushteve të veçanta të kontratës bazë. Nuk është respektuar neni 3 i marrëveshjes, neni 16 i Kontratës, dhe së fundi është refuzuar kërkesa jonë për zgjedhje miqësore në të gjitha pikat kontestuese”, thuhet në komunikatën për media të MPB-së.

Me datën 30.01.2013, Ministria e Punëve te Brendshme ka njoftuar kompaninë OeSD për ndërprerjen e kontratës për furnizim me pasaporta elektronike.

Ministria e Punëve të Brendshme do të hapë tender të ri për furnizim me pasaporta elektronike, sipas ligjit të prokurimit.

Ministria e Punëve të Brendshme siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se procedura për pajisje me pasaporta biometrike do të vazhdojë normalisht sipas ligjeve në fuqi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›