E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekje për identitet kombëtar



Drafti i qeverisë për ngritjen e institutit të studimeve të krimeve të komunizmit është sinjali më i qartë se më në fund, pas 18 vjetësh, erdhi momenti për ta shkundur shoqërinë postkomuniste shqiptare nga e ashtuquajtura “melankoli e demokracisë”, që u shoqërua me apati, krizë besimi dhe humbje shprese për të ardhmen Krijimi i këtij instituti, i cili do të studiojë, vlerësojë dhe gjykojë objektivisht periudhën e regjimit komunist, organizimin dhe funksionimin institucional kriminal të tij përmes strukturave famëkeqe të drejtuara nga Sigurimi i Shtetit, është shenja më domethënëse e një ndryshimi të madh, pasi do të thotë se qytetarët shqiptarë do të përpiqen të aspirojnë së bashku, të shtyrë nga të njëjtat dëshira për ndryshime dhe nuk do të vazhdojnë të mbeten peng i komplekseve të së shkuarës komuniste. Transparenca, denoncimi i së keqes, ballafaqimi i ideve dhe shpirti kritik janë armët më të mira për zhvillimin e një demokracie normale për të dënuar atë etapë të errët dhe për të përforcuar bindjet e reja. Së bashku me ligjin e dosjeve, ky ligj i jep fund konspiracionit qytetar, dyshimit, pasigurisë, devijimit, duke thyer murin e indiferencës egoiste dhe duke zhvilluar shpirtin e iniciativës së qytetarëve.

Të drejtat dhe liritë më në fund duket se po triumfojnë jo vetëm formalisht

Puna këmbëngulëse e intelektualëve të pavarur, të pandikuar nga komunizmi, por edhe përpjekjet e forcave politike të djathta, kanë arritur një fitore jo të vogël. Dhe ishte e pashmangshme. PBKD-ja ka theksuar gjithmonë se realitetet e reja politike dhe integruese kërkonin patjetër dënimin e krimeve të komunizmit dhe ngritjen e këtij instituti. Ky institut do të kishte funksion më të plotë të ishte sipas variantit rumun, por gjithsesi, është një hap pozitiv, edhe siç është parashikuar në këtë projektligj. Ndryshe nuk mund te vazhdonte të mbahej gjallë ideali i së drejtës, i paqes, lirisë dhe të gjitha të drejtat e fituara. Ndryshe, post-totalitarizmi do të mbetej një periudhë krejt e dështuar që do të pikte vetëm errësirë, demagogji dhe pasiguri. Ndryshe, demokracia do të ishte një kurth vdekjeprurës dhe brezi i ardhshëm do të na gjykonte rendë që nuk mundem t’u dilnim për zot përgjegjësive tona, pasi dihet që dënimi i së shkuarës është një parakusht për integrimin, është një premisë për shoqërinë shqiptare dhe institucionet demokratike. Asnjë demokraci nuk e toleron poshtërimin dhe fyerjen, aq më tepër që poshtërimi komunist në Shqipëri zgjati gati gjysmë shekulli. Një përfytyrim i qartë, i dokumentuar dhe i shtypur në librat shkollorë ia përforcon themelet kësaj demokracie, e detyron shoqërinë shqiptare të inspektojë vetveten, të forcojë të drejtën e ruajtjes së identitetit, të drejtën për të ardhmen e rrezikuar nga individë pa atdhe, pa fe dhe moral kombëtar. Gjithashtu, ky dokumentim historik i ofron horizonte të reja lirisë së individit dhe vë mbi baza më të forta drejtësinë, të drejtën e zhvillimit e fut natyrshëm në lehtësinë e të drejtave të njeriut. Fati i çdo njeriu është i gjallë, nuk është vetëm ai burrë apo ajo grua që ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësues. Mbi të gjitha, ai është një person, të drejtat e të cilit duhet t’i përkasin trashëgimisë së përbashkët dhe duhet të jetë si bazë mbi të cilën të mbështetet solidariteti – kushti i domosdoshëm për realizimin e plotë të fatit të çdo individi. Një regjim demokratik që do të harronte se mëshimi i të drejtave të njeriut mbetet detyrë e përhershme dhe se kujdesi në këtë fushë nuk lë shteg për asnjë kompromis e për asnjë pushim, do të vihej përballë realitetesh të dhimbshme. Të majtët, me një qëndrim të patolerueshëm, ende vazhdojnë t’i bien fyellit kundër arsyes, më të angazhuar dhe më të djallëzuar se kurrë. Fytyrën e vërtetë e shfaqën ditën e miratimit të ligjit të dosjeve. Sigurisht, edhe krijimi i këtij instituti nuk u jep arsye për t’u gëzuar. Por fytyrën e njëri-tjetrit duhet ta shohim, të detyrohemi ta shohim, çka do të na bëjë të njohim më mirë jo vetëm atë që shkoi, por edhe vetveten, me qëllim që mes nesh të mos ketë më sinjale urrejtjeje dhe persekutimi, si pasojë e mohimit të idealit demokratik të dinjitetit, me qëllim që të gjithë të kontribuojnë për paqen, demokracinë dhe integrimin. Nga përmbysjet politike dhe shoqërore që njeh bota prej disa vitesh, popuj të tërë, të çliruar nga thundra e totalitarizmit, tanimë po kërkojmë identitetin e tyre. Ky lloj kërkimi shpesh kalon përmes rivlerësimit të historisë, ashtu sikurse është transmetuar ajo, sipas “tregimit” nga njëra brezni te tjetra. Është e sigurt se në këtë proces e vërteta del fitimtare, por ajo që ka rëndësi, është se rrëfimet duhet të bëhen në një frymë barazie dhe mirëkuptimi. Në fakt, identiteti ndërtohet më shumë mbi besimin se mbi mosbesimin, mbi faljen sesa mbi hakmarrjen, mbi shkëmbimin sesa mbi mbylljen në vetvete. Historia jonë në 50 vjet është shkruar, së paku 90%, nga protagonistët dhe veprimtarët e regjimit komunist. Pikërisht, këtej duhet të fillojë bilanci për të bërë rishqyrtimin. Ky proces kërkon altruizëm dhe sakrificë, profesionalizëm dhe kombëtarizëm. Kujtimet, sado të hidhura, duhet të shndërrohen në shpresë, që e kaluara jonë të ketë të ardhme, që e ardhmja të mos vuajë nga komplekset e së shkuarës.

* Kryetar i PBDK

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›