Ndërrimi i viteve, 681 gjoba për mjetet në 2 ditë
Bandat grabitëse përfitojnë nga atmosfera festive për të vjedhur banesat dhe dyqanet.Ngjarja më e rëndë ishte djegia e automjetit te publicistit Mero Baze.
TIRANE Me gjashtë vjedhje dyqanesh, 2 vjedhje automjetesh dhe një vjedhje çante, situata kriminale në kryeqytet gjatë ditëve të ndërrimit të viteve është konsideruar "normale" për qarqet policore. Ngjarja më e rëndë ishte djegia e automjetit tip "BMW" me targa TR 5497 K, e publicistit Mero Baze, botues i gazetës "Tema", kryetar i "Forumit Mediat e Lira", si dhe drejtuesi i emisionit "Faktori Plus", në Televizionin Vizion Plus. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:00, në të gdhirë të 31 dhjetorit dhe për policinë u klasifikua si aksidentale nga një fals kontakt në impiantin elektrik të makinës me karburant benzinë. Për të hequr dyshimet e mundshme për hetimin e ngjarjes, janë ngarkuar dy oficerë të seksionit të shkatërrimit të pronës me zjarr. Shërbimet e policisë rrugore kanë bërë maksimumin për lehtësimin e trafikut të automjeteve, si dhe për parandalimin e aksidenteve. Për datat 31 dhjetor dhe 1 janar, që ishin kulminante për sa i përket festimeve, kanë ndodhur gjithsej 3 aksidente me 4 të plagosur. Ndërkohë që janë regjistruar 31 raste përplasjesh të automjeteve. Për shkelje të ndryshme të qarkullimit rrugor, policia ka pezulluar për dy ditët, 11 leje të qarkullimit të automjeteve, ka vendosur 681 gjoba me një vlerë prej 756 mijë lekësh. Në tre raste ka pasur konfrontime mes qytetarëve dhe policisë për shkak të kontrolleve. Gjatë periudhës 31 dhjetor-1 janar, policia ka ndërmarrë edhe veprime në ndihmë të banorëve kryeqytetas në dy raste zjarri në banesë dhe në dy raste, kur 5 shtëpi rrezikoheshin të përmbyteshin nga reshjet e shiut.
Vjedhjet
Në orën 9:00 të paradites së të mërkurës, në rrugën "Myslym Shyri", pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, një adoleshent ka sulmuar dhe i ka rrëmbyer çantën me 30 mijë lekë, 42-vjeçares Enrieta Xhiani. Ngjarja, pas 6 ditësh është ende pa autor. Në orën 15:30, në rrugën e Kavajës, përballë "Misto Mame", shqyhet dera e lavazhit të Arjan Shtëmbarit, dhe vidhet një pompë uji, pesë tapete dhe tre bidona me solucion. Në orën 17:00, në një supermarket në rrugën "Aleksandër Moisiu", kapet duke vjedhur tre makina rroje "Max", një krem "Vital", dhe një krem "Nivea", 22-vjeçari Redi Dyrnjaja. Vjedhësi procedohet në gjendje të lirë. Të enjten, në datën 1 janar, në orën 10:00 konstatohet vjedhja e dy ekraneve kompjuterash, 20 celularë, 1 printer, 3 monitorë dhe 10 copë "MP3", në dyqanin "Tech-Elektronic", në rrugën "Islam Alla". Në orën 14:00, në rrugën e Kavajës, konstatohet vjedhja e lokalit të lojërave të fatit "Siar", me administrator Bardhok Kokën. Sipas denoncimit, është shqyer dritarja dhe janë vjedhur 2 aparate 'Dixhitalb' dhe 2 pllaketa elektronike të makinave të lojërave të fatit. Në orën 19:30, në Kodër- Kamëz, 41-vjeçarit Agron Torba, i hyjnë nga dritarja e dhomës së pritjes së banesës së tij në Kodër-Kamëz dhe i vjedhin 40 mijë lekë, 30 euro dhe 4 celularë. Edhe kjo ngjarje ka mbetur pa autor.
Gjatë natës, duke u gdhirë 31 dhjetori, në Tiranë janë regjistruar dy automjete të vjedhura, kurse të nesërmen është vjedhur një motor. Tonin Gega ka denoncuar vjedhjen e 'Benz'-it të tij me targa LA 8360 A, teksa e kishte parkuar pranë një lokali nate në Rrugën e Durrësit, në Laprakë. Kurse Bujar Grorit, ia kanë vjedhur 'Benz'-in me targa TR 8535 G, të parkuar në Rrugën e Kavajës, në oborrin e pallateve në Kompleksin "Lana Park". Mëngjesin e 1 janarit, Masar Aga, konstaton vjedhjen e motorit të tij "Suzuki", të parkuar tek Kinema "17 Nëntori".
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)