E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të urtët: Urimi për 2009, duam zgjedhje të lira

Nga Darina Tanushi
Figura të njohura si Alfred Moisiu, Servet Pëllumbi, Sabri Godo dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, presin realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme këtë vit. 

TIRANE- Politikanë dhe njerëz të letrave presin që ky vit ta rendisë Shqipërinë mes vendeve demokratike, sa i përket realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve. Figura të njohura si ish-presidenti Alfred Moisiu, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, presidenti i Asamblesë së republikanëve, Sabri Godo dhe socialisti e shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, presin realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme këtë vit. Në deklaratat e tyre të para, të pyetur se çfarë urojnë për Shqipërinë në këtë vit që sapo hyri, nuk mungon edhe një tërheqje vëmendjeje për politikanët. Taksativ është profesori i socialistëve dhe një prej themeluesve të partisë së madhe opozitare, Servet Pëllumbi. Ai parashikon probleme për Shqipërinë, nëse zgjedhjet e qershorit 2009 nuk do të jenë sipas standardeve, të lira e të ndershme. “Nga viti 2009 pres që të realizohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Po qe se nuk do të realizohen këto standarde, atëherë Shqipëria nuk ka të ardhme. Ndryshe do të kemi probleme”, - deklaroi Pëllumbi, i pyetur nga “Gazeta Shqiptare”. Nga ana tjetër, edhe ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu pret nga viti 2009 që politikanët dhe shqiptarët në përgjithësi “të bëjnë zgjedhje si gjithë të tjerët”. “Ky do të ishte urimi dhe dëshira më e madhe që do të kisha unë për vendin”, - shprehet Moisiu. I pyetur nëse ka në mendje ndonjë parashikim, edhe pse jemi 6 muaj larg zgjedhjeve, ish-presidenti duke dashur të mos nxitohet, shprehet se “atë e ka në dorë votuesi shqiptar”. Ashtu si gjithmonë i pjekur, shkrimtari i njohur në radhët e socialistëve të vjetër, Dritëro Agolli nuk nxiton asnjëherë të thotë fjalën pa e peshuar mirë. Ai ka kaluar një festë të mrekullueshme të Vitit të Ri me fëmijët dhe familjen. Këto festa duket se tashmë për të janë më të bukura pranë familjes sesa dikur, kur së bashku me bashkëshorten Sadijen, nuk mungonin në mbrëmjet që organizonte Lidhja e Shkrimtarëve. Agolli uron dhe pret që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira, por më mirë mendon që të flasë më vonë për çështjet politike. “Pres të jetë një vit i mbarë. Këtë urojnë të gjithë shqiptarët besoj. Njeriu gjithnjë mbetet me shpresën për më të mirën”, - u shpreh republikani i vjetër, Sabri Godo. “Mbase politikanët kanë nxjerrë një mësim nga pësimet dhe unë i uroj që të kthejnë mendjen nga e mbara, të shikojnë të merren vesh me njëri-tjetrin për çështjet e mëdha të këtij vendi e që iu përkasin të gjithëve”, - theksoi ai. Godo kërkoi nga politika shqiptare që të ndihmojë në këtë periudhë të vështirë edhe Kosovën, “sepse në fund të fundit është një çështje e jona, e përbashkët”, - tha Godo. Sa i përket zgjedhjeve që presim këtë vit, Godo tha se “të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë decizive që kanë këto zgjedhje për integrimin në Evropë. Mbi të gjitha atë duhet të kemi kujdes, të bëjmë zgjedhje që të mos kontestohen dhe që të pranohen nga të gjithë. Këtë jemi munduar të bëjmë për pothuaj 17-18 vjet dhe nuk ia kemi dalë. Por për ta thënë në gjuhën popullore, tanimë kupa është mbushur lidhur me durimin e evropianëve dhe të shqiptarëve gjithashtu”, - tha Godo.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›