Pëllumb Kulla sjell “Rrëfenja nga Amerika”

Personazhet e tij, qëmtuar në jetën e rrëmujshme e plot zhurmë të Amerikës, Pëllumb Kulla i sjell edhe njëherë në vëmendje. I ribotuar nga “Toena”, "Rrëfenja nga Amerika" i shkrimtarit dhe regjisorit Pëllumb Kulla është promovuar në Teatrin e Metropolit në Tiranë.
Në këtë cikël rrëfimesh, ku spikat stili me humor e satirë, autori ka sjellë personazhe tipikë që rrëfejnë jetën e emigrantëve apo komunitetit shqiptar në Amerikë përgjatë një dekade. Por jo vetëm kaq. Në një udhëtim të vazhdueshëm mes Amerikës e Shqipërisë, Kulla nuk ka qenë kurrë i shkëputur nga realiteti shqiptar. Madje ka qenë i pranishëm me publicistikën e tij. Duke treguar për Amerikën autori nuk shmanget pa satirizuar jetën postdiktatoriale shqiptare.
“Autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerike, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërtetë që i ka zili çdo letërsi, të cilët si miu kungullin, kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallët e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen”, ka shkruar për këtë libër poeti Ervin Hatibi.