Ndërron jetë Thanas Nano, një ndër themeluesit e RTSH-së
Ndërron jetë në moshën 92-vjeçare Thanas Nano, një ndër ish-drejtorët e përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, në më shumë se 10 vjet. I njohur si i ati i Fatos Nanos, ish-lideri i PS-së dhe i së majtës shqiptare pas viteve ‘90-të, Thanas Nano, bënte prej vitesh një jetë jo fort aktive nisur nga statusi i tij i dikurshëm në krye të disa institucioneve kryesore të medias zyrtare të kohës. Thanas Nano ka qenë ndër themeluesit e Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Radios e më pas Televizionit Shqiptar. Ka marrë pjesë në ndërtimin e këtyre institucioneve të mëdha të medias, si një person me njohje dhe aftësi të veçanta në fushën e medias. I ardhur nga lufta partizane, pas çlirimit, Thanas Nano do ishte ndër emrat që u ngarkua me detyra të larta në fushën e informacionit e medias zyrtare. Ndaj emri i tij është regjistruar në memorien e kombit për sa i përket historisë së shtetit shqiptar, si një ndër intelektualët e periudhës komuniste me aftësi të mëdha drejtuese në median audiovizive të kohës. Homazhet për vdekjen e Thanas Nanos do të bëhen sot në orën 13:00 në hollin e Radio Televizionit Shqiptar.