E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fisi" i ikonave

Periudha e Prometeut ka perënduar, tani jemi në kohën e Dionisit. Një sociolog i famshëm francez e shpjegon kështu post-modernitetin: kalimin nga vlerat e mëdha moderne si progresi dhe puna, te vlerat e ndryshme që janë e tashmja, krijimi, imagjinata. Kjo është edhe një nga çështjet kryesore që ai prek dhe analizon në librin e tij të fundit "Iconologies - Nos idol@tries post-modernes". Sociologu është një vrojtues kurioz dhe shpesh i fiksuar pas sjelljeve të klaneve bashkëkohore. Kësaj here ai ka vënë në objektivin e tij tema të ndryshme, ikona dhe fenomene të shumta. Sociologu francez e ka hapur siparin e tij me ikonat franceze, siç janë Abbè Pierre dhe Zidan, duke vazhduar më pas me figurat e tjera shumë të njohura si "Google", mbrëmjet e shfrenuara, "Second Life" dhe "YouTube". Të gjitha këto së bashku i duhen për të treguar ndryshimet e shoqërisë sonë, e cila në aparencë duket modeste, por që në të vërtetë është mjaft e thellë. Këto ndryshime nuk janë përhapur nga arsyeja, por nga një ushqyes imagjinar, siç është adhurimi. Idhuj që nuk e bëjnë më historinë, por na tregojnë histori të tjera të vogla, që duke i rreshtuar përkrah njëra-tjetrës, formojnë një fotografi të çastit të botës sonë, këtu dhe tani.

Klane muzikore, "chatroom", "reality show", rregulla estetike, tatuazhe, të gjitha së bashku në format e reja të sinkretizmit filozofik apo fetar që depërtojnë në kulturën tonë, tregojnë një ndryshim të thellë. Sigurisht jo gjithmonë është e thjeshtë për ta kuptuar, sepse në këtë botë emocioni triumfon mbi arsyen dhe njeriu nuk është më i fokusuar tek e ardhmja, por jeton në të njëjtën kohë në një të tashme euforike dhe tragjike.

"Me progresin dhe gjykimin e shëndoshë jemi munduar të kanalizojmë dhunën. Sot janë shfaqur ndjenja lokale, tribale, irracionale, të cilat mund të cilësohen ndryshe si "barbare". Gjithsesi, nuk besoj se kjo është e pavlefshme: shoqëria perëndimore, me qëllim kultivimin e higjienizimin social absolut dhe kultin e rrezikut zero, ka rënë në gjumë. Kështu nuk rrezikojmë më të vdesim nga uria, por nga mërzia. Megjithatë, barbarët kanë gjak të ri. Ata janë fëmijët tanë, brezat e rinj, që na tronditin. Bëjnë të lëkunden bindjet dhe zakonet, tronditin qetësinë tonë. Barbarët janë njerëz që nuk e flasin gjuhën tonë", thotë sociologu. Më pas shton: "Jo gjuhën tonë të përparuar dhe të sofistikuar, të edukuar nga filozofia e iluminizmit, të strukturuar mbi marksizmin. Gjithsesi "barbarët" meritojnë vëmendjen tonë".

Gjithashtu, ai mendon se gjuha e tyre nuk ka një të ardhme. "Jemi në një epokë ndryshimesh. Të rinjtë, duke qenë se janë protagonistë të së ardhmes, nuk jetojnë më të fokusuar drejt saj. Jetojnë thjeshtë momentin. Këtë unë e quaj ‘të tashme‘, që do të thotë të jetosh të tashmen me shumë fuqi. Të rinjtë nuk e përqafojnë më idenë e progresit. Janë të përqendruar më tepër te vlerat si solidariteti dhe angazhimi. Mendojnë për rreziqet natyrore, organizatat jofitimprurëse, por gjithashtu edhe për krijimin artistik, siç është ‘YouTube‘".

Cilat janë ikonat e kësaj kohe?

Unë do të them tendencat. Perëndimi ka kaluar dymijë vjet duke përmbysur idhujt për të arritur te një ideal dhe sot ndodh e kundërta, kthehemi drejt një forme speciale adhurimi. Historiani Peter Brown fliste për "djaj të vegjël që pëshpëritnin" dhe në këtë rast është fjala për diçka të ngjashme. Djaj që i flasin një publiku specifik, sipas pëlqimeve të spektatorit: idhuj sportivë, muzikorë, kinematografikë, fetarë, politikë. Yje të TV-së dhe "YouTube".

Ǒmendoni për shoqërinë e sotme dhe fenomenin Herri Poter?

Na kujton kalimin nga iluminizmi te dritëhija. Herri Poter mishëron një pjesë të hijes së njeriut, dykuptimësia e kohës sonë. Në fakt, në botën e Herrit ndonjëherë nuk triumfon e mira. Në botën e tij ekzistojnë rite njohjeje, prova fizike, për të treguar se edukata nuk është më një praktikë e arsyeshme, por siç ndodh në shoqëritë primitive, trupi udhëheq dhe si në ritet tribale, vdekja është gjithmonë në grackë.

Çfarë simbolizon për ju interneti?

Njerëzit e shkolluar dhe dijetarët kanë frikë nga interneti, sepse është i prirur të vërë në diskutim shumë gjëra të rëndësishme. Pavetëdije intelektualët e kuptojnë se me internetin e humbasin monopolin e fjalës.

Gjithsesi, në pushtet qëndrojnë burra të fortë si: Xhorxh Bushi, Vladimir Putin, Nikolas Sarkozi dhe Silvio Berluskoni...

Kur ndryshimet janë kaq të forta ka gjithmonë beteja pararojë. Këto lloj betejash janë më të dhunshme, sepse këtu kush humbet vdes. Bushi dhe Putin mishërojnë vlera të së shkuarës. Sarkozi dhe Berluskoni duken dy burra shumë interesantë, sepse janë karikaturat e pushtetit. Sarkozi është shumë teatror, i tërbuar dhe i ekzagjeruar: mishëron fundin.

Sipas jush, pse sot presidentët si Sarkozi dhe Putin zgjedhin një top modele për t‘i shoqëruar?

Mendoj se sot pushteti në formën e tij moderne, personat që përfaqësojnë popullin, ka marrë fund. Kemi kaluar nga nevoja te joshja. Shembujt më konkretë janë Berluskoni dhe Sarkozi. Recitojnë diçka, por nën to nuk ka asgjë, as kulturë e as vizion. Mendojnë se janë dikush, por në fakt nuk janë askush. Luajnë duke u shtirur. Kjo është edhe një nga arsyet që modeli i Zonjës së Parë nuk ka më asnjë kuptim. Për ta parafrazuar, top modelja zëvendëson Zonjën e Parë. Ky është prototipi absolut i spektaklit.

Ju thoni se sot mendjelehtë është aji që nuk interesohet për punët boshe.

Në disa momente të historisë thellësia fshihet në sipërfaqen e gjërave. Kur libraritë në sheshe mbyllen dhe zëvendësohen nga butikët, kur të rinjtë e të gjitha shtresave shoqërore i kushtojnë një vëmendje të madhe trupit, pamjes së jashtme dhe rrobave, nuk mund të themi më që të analizosh këto fenomene është punë boshe. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë që qëllimi për një botë perfekte i ka çuar në degjenerim njerëzit.

Një nga temat që ju përmendni në librin tuaj është ushqimi, sushi. Si e shpjegoni këtë pasion të perëndimorëve për një ushqim lindor?

Vlerat lindore përhapen në të gjithë kulturën tonë, përfshi këtu edhe kuzhina. Tradita e gatimit borgjez ka ndikuar te mendimet e njeriut progresist. Jo më kot mishi dhe peshku përziheshin te salcat e ndryshme. Sot hamë peshk të thatë dhe zarzavate të freskëta. Një ndryshim interesant, sepse dikur natyra nuk ishte një vlerë, ndërsa sot është, madje më shumë se kurrë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›