E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë diplomati amerikan Richard Holbrooke

Riçard Hollbruk, diplomati veteran i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili shërbente si i dërguar i posaçëm amerikan në Afganistan dhe Pakistan, është ndarë nga jeta në moshën 69-vjeçare.

Hollbruk pati probleme shëndetësore me zemrën të premten gjatë një takimi me Sekretaren amerikane të shtetit Hillari Klinton. Ai u dërgua menjëherë në një spital të Uashingtonit ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati rreth 20 orë për të riparuar një çarje në arterien më të madhe të trupit që shpërndan gjakun nga zemra në pjesë të tjera të organizmit. Ky operacion u pasua nga një tjetër ndërhyrje kirurgjikale ditën e dielë.

Mbrëmjen e së hënës, Presidenti Barak Obama shpërndau një njoftim për shtypin ku thuhej se ai ishte "thellësisht i prekur" nga vdekja e Hollbrukut. Ai e cilësoi diplomatin veteran si një "gjigand të vërtetë të diplomacisë amerikane" i cili e bëri vendin e tij "më të fortë, më të sigurt e më të respektuar."

Po ashtu edhe sekretarja aemrikane e shtetit Hillary Klinton, mëngjesin e së hënës tha për gazetarët se gjendja shëndetësore e Hollbrukut ishte kritike, ndërsa shtoi se ka patur një “lumë kërkesash dhe interesimi” nga anembanë botës për këtë diplomat i cili tha ajo, i ka shërbyer për thuajse 50 vjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër arritjet kryesore të Hollbrok, përmendet ndihmesa e tij për arritjen e Marrëveshjeve për Paqe në Dajton të shtetit Ohio që i dha fund luftës në Bosnje. Në fund të viteve të 90-të, ai u kthye në Ballkan, në kohën kur në Kosovë shpërtheu lufta ndërmjet forcave serbe dhe shqiptarëve. Në mars të vitit 1999 ai shkoi në Beograd për t`i dhënë ultimatumin final, ish presidentit të Serbisë, Sllobadan Millosheviç, se NATO-ja do të bombardonte nëse agresioni ndaj Kosovës nuk ndalej edhe pse Millosheviçi nuk i dëgjoi këto paralajmërime.

Gjatë një dëshmie të një komisioni të kongresit vitin e kaluar, i dërguari i posaçëm në Afganistan dhe Pakistan mbrojti politikën e Presidentit Obama në rajon.

Nën presidencën e ish Presidentit Bill Klinton, Hollbruk ishte përfaqësues i SHBA në Kombet e Bashkuara. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, në deklaratën e saj tha se Amerika ka humbur njërin prej “kampionëve të saj më të fuqishëm dhe shërbyesin më të dedikuar”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›