Qeveria e Berluskonit votohet sot në Senat

Kryeministri italian Silvio Berluskoni përballet sot me një mocion mobesimi në Parlament ndërsa parashikohet që rezultati të jetë tepër i ngushtë. Sipas analistëve mocioni i sotëm në Dhomën e Deputetëve, që është dhoma e ulët të parlamentit italian, mund të vendoset nga një votë e vetme.
Disfata mund të nënkuptojë se Berluskonit do t’i duhet të japë dorëheqjen në mes të mandatit të tij 5-vjeçar. Por kryeministri është shprehur optimist se do të fitojë përballë këtij mocioni. Gianfranco Fini, kryetar i dhomës së ulët të parlamentit dhe ish-aleat i zotit Berluskoni, thotë se Italia është në krizë politike dhe më herët i ka bërë thirrje kryeministrit të jepte dorëheqjen.
Javën e kaluar, prokurorët italianë filluan hetime lidhur me akuzat se disa ndihmës të kryeministrit janë përpjekur të blejnë vota para mocionit të mosbesimit, por Berluskoni i ka hedhur poshtë akuzat. Të shtunën, tre dite para votebesimit të qeverisë Berluskoni në Parlament, mijëra vetë protestuan në Romë kundër politikave të kryeministrit italian. Thirrjet për daljen në tubim ishin bërë nga Partia Demokratike në opozitë, e mbështetur nga forca politike kundër korrupsionit "Italia e vlerave“.
Pas shkëputjes dramatike të muajit korrik nga kryeministri i goditur prej skandaleve të njëpasnjeshme, kryetari i dhomës së ulët, Gianfranco Fini po përshkallëzon presionet për dorëheqjen e Kavaljerit, e për t`i hapur kësisoj rrugën një koalicioni të ri të qendrës së djathtë. Në moshën 74-vjeçare, Berluskoni mbetet një luftëtar i paepur politik- shkruajnë mediat. Dorëheqja e tij do të ishte një fitore për opozitën e dobët të qendrës së majtë të kryesuar nga Pierluigi Bersani, thote Reuters.
Për liderin opozitar Antonio di Pietro, Berluskoni e ka turpëruar Italinë në sytë e gjithë botës, ndaj nuk duhet të qeverisë më. Ndërsa së fundmi Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, u bëri thirrje ligjvënësve italianë të mos rrezikojnë qeverinë për interesa të ngushta politike.
Duke folur në Senat para votëbesimit të qeverisë së tij, Berluskoni theksoi se Italia ka nevojë për vazhdimësi operative dhe se largimi i tij do të krijonte një krizë që do ta zhyste vendin në errësirë.
Nëse humbet, Berluskoni paralajmëroi se vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.