E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon sekuestron e llogarive miliona euro të vëllezërve Shehu

Sokol Shehu dhe Aleksandër Shehu akuzohen nga Greqia për “trafik të qenieve njerëzore” dhe “shfrytëzim prostitucioni”

Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurive të dy vëllezërve nga Berati, të cilët akuzohen për trafik femrash në Greqi. Prokurori ka paraqitur në gjykatë kërkesën me shtatë pika, ku kërkohet të vendoset sekuestroja mbi shtatë llogari bankare në emër të vëllezërve Aleksandër dhe Sokol Shehu.
Në kërkesën e prokurorisë thuhet se kërkohet sekuestrimi i llogarisë në lekë në një bankë në Tiranë, hapur më datë 11.08.2005 në emër të Aleksandër Shehut, ku gjendja aktuale është 2,966 lekë (dymijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë lekë). Po ashtu kërkohet vendosja e sekuestros edhe për llogarinë në dollarë amerikanë po në filialin e një banke në Tiranë, e hapur më datë 17.05.2006 në emër të Aleksandër Shehut me depozitim fillestar 960 USD ndërsa gjendja aktuale është 967 USD. Në radhë janë kërkesat për sekuestrimin e llogarive; 507.271 euro, 519.274 euro, 549.965 euro që i përkasin po Aleksandër Shehut. Nuk do t’i shpëtojë sekuestrimit edhe llogaria në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës në shumën e 522.561 euro, apo ajo në emër të Can Muratajt në shumën 500.000 euro.

“Për administrimin dhe përdorimin e këtyre pasurive të ngarkohet z. Rifat Hoti, i cili është administrator pranë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave Tiranë, ndërsa për ekzekutimin e këtij vendimi të ngarkohen Zyrat e Përmbarimit të Rretheve ku ndodhen këto pasuri”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka marrë dosjen penale nga shteti fqinj, ka arritur të bllokojë në gjykatë të gjitha llogaritë bankare, të cilat janë hapur në vitin 2008 nga dy vëllezër nga Berati. Sokol Shehu dhe Aleksandër Shehu janë vëllezërit nga Berati, të cilët akuzohen nga shteti helen për kryerjen e veprës penale të “trafikut të qenieve njerëzore” dhe për “shfrytëzim prostitucioni”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›