E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë sopranoja Gjenovefa Heba

Ndahet nga jeta Gjenovefa Heba (Zoraqi), soprano, ish-soliste e Teatrit te Operës dhe Baletit, artiste në pension. U lind në shtator 1933, në Durrës. Formimi i saj i parë artistik ishte për pikturë, në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë. Angazhohet madje edhe si piktore kostumesh në filmin Skënderbeu, por muzika është rruga e mëtejshme, kur në vitin 1955, emërohet në Korin e Filarmonisë Shqiptare.

Debuton në operetën Agimi të Kristo Konos, me rolin e Lules që i krijoi mundësinë për të studiuar kanto në Konservatorin «Çajkovskij» në Moskë. Studimet i kreu të plota, pa mundur të diplomohet në vitin 1961 për shkak të prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.

Disa vite më vonë, e mbylli këtë kapitull në Tiranë nën udhëheqjen e Mihal Cikos, dhe emërohet soliste në Teatrin e Operës e Baletit. Karriera si soliste zgjat deri më 1978, krahas punës së pedagoges së kantos në Liceun Artistik «Jordan Misja» dhe në Institutin e Lartë të Arteve.

Në repertorin e roleve të Gjenovefa Hebës përmenden interpretimet në operat «Traviata», «Nusja e shitur», «Princesha e Çardashit», «Pagliacci», «Rigoletto», «Komisari», «Skënderbeu», «Dasma e Figaros», «Përtej mjegullës», «Butterfly», «Heroina» etj.

Për aktivitetin e saj është nderuar me Urdhëri i Punës (1954), Urdhëri Naim Frashëri (1970). / E.Demo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›