E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron stina, rriten çmimet e mallrave të konsumit

INSTAT raporton se rritjen më të madhe e kanë pasur perimet dhe frutat. Rritje ka pësuar edhe çmimi i naftës


TIRANË- Përfundimi i sezonit të verës në të cilin prodhimet e vendit vërshojnë në treg, ka sjellë edhe një rritje të konsiderueshme të çmimeve të mallrave të konsumit.


Sipas të dhënave të ofruara nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit që sapo kaluam, indeksi i çmimeve të konsumit pësoi një rritje me 0.6 për qind në krahasim me muajin korrik. Në këtë rritje kontributin më të madh e ka dhënë grupi "Ushqime dhe pije alkoolike", pasi vërehet një shtrenjtim me rreth 1.6 për qind në krahasim me muajin korrik 2009.


Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet", për shkak se me ndërrimin e stinës ulet edhe prodhimi vendas i këtyre produkteve, ndërsa boshllëku i krijuar fillon të mbushet me mallra të importit.


Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të trangullit me 50 për qind, bishtajave me 44 për qind, domateve me 29 për qind, patëllxhanëve me 16 për qind, specave me 11 për qind, etj. Njësoj si çmimi i perimeve, rritje kanë pësuar edhe frutat.


Kështu, Indeksi në nëngrupin "fruta" në total shënoi një rritje prej 3.8 për qind. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të pjeprit me 24 për qind, portokallëve me 21 për qind, limonëve me 13 për qind, pjeshkëve me 13 për qind, kivit me 10 për qind, etj.


Por, gjatë muajit gusht çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet , "sheqer, reçel, mjaltë etj" me 3 për qind, "peshk" 0.8 për qind, "qumësht, djathë e vezë" 0.5 për qind, "mish" 0.3 për qind, etj. Në morinë e rritjes së çmimeve gjatë muajit gusht, rreshtohen edhe hidrokarburet. Kështu, gjatë këtij muaji, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 3.3 për qind, ndërsa ai i benzinës me 3.4 për qind.


Ndryshe nga ushqimet, nisur edhe nga ofertat e fund sezonit gjatë muajit gusht ulje kanë pësuar çmimet e veshjeve. Kështu, indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një ulje prej 0.6 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimeve të veshjeve për burra me 1.2 për qind dhe këpucëve për fëmijë me 1.4 për qind. E. S


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›