E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet mbi puset e naftës, banorët kërkojnë mbylljen e tyre

23/01/2009  U vendosën ilegalisht në 90-n. ALUIZNI: Nuk ka legalizime për këto banesa

KUÇOVË – Një grup banorësh të mbi 480 ndërtimeve pa leje në zonën naftëmbajtëse të qytetit të Kuçovës, si dhe të periferisë të saj janë drejtuar bashkisë së qytetit dhe krerëve të ndërmarrjes së prodhimit, të naftës me qëllim që këta të fundit të marrin masa për mbrojtjen e jetës së familjeve të tyre, nga puset naftënxjerrëse në shfrytëzim dhe nga puset në degradim, që ata kanë fare pranë shtëpive. Ata kanë kërkuar rrethimin e puseve problematikë, deri dhe bllokimin e tyre, pasi këta të fundit kërcënojnë seriozisht jetën e fëmijëve që lozin përreth tyre, të bagëtive që shkojnë të kullosin në çdo kohë, deri në afërsi, por edhe ndotjen e tokave. Grupi i banorëve pohojnë se janë mbi 480 ndërtime të pas vitit 1990, shumica e të cilave shtëpi banimi, që presin të legalizohen nga ALUIZNI, por që problemet e dala muajt e fundit i kanë vënë në dilemën e largimit jo vetëm për mbrojtjen e jetës nga puset e naftës në prodhim, por edhe nga moslegalizimi i banesave të tyre. Thuajse çdo familje ka brenda truallit të vet, një pus nafte ende në shfrytëzim madje në të shumtën e rasteve edhe dy puse, që gjithsesi përbëjnë një rrezik permanent për jetën e tyre. Sipas tyre, që nga vitet ‘90 e deri tani, numërohen 13 viktima të shkaktuara nga vulfet e vollantet e puseve dhe mbi 21 të plagosur e të mbetur invalide për gjithë jetën Ndërkohë krerë të Albpetrolit janë ankuar deri në qeveri, se këto ndërtime të paligjshme kanë penguar shfrytëzimin e rreth 214 puseve në prodhim, pasi në ta nuk mund të futen agregatët e pastrimit deri dhe punëtorët që i vënë në punë. I pyetur për legalizimet e zonës naftëmbajtëse kreu i ALUIZNI-t të qarkut të Beratit, Aleksandër Melonashi, tha se në të gjithë zonën naftëmbajtëse në periferi të qytetit të Kuçovës në fshatrat e këtij rrethi, por dhe në zonën e naftëmbajtjes së zonës së komunës Poshnje nuk do të ketë legalizime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›