E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet në Shqipëri krahu i djathtë i Fatmir Haklajt

Nga Gerti Xhaja
Petrit Brahaj i është dorëzuar policisë së burgjeve në Aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit. Në vitin 1997 grabiti arkën e kursimeve në Tropojë dhe u dënua me 10 vjet burg. 

TIRANE Ekstradohet nga Franca një ndër personat e njohur të ngjarjeve të Tropojës të pas vitit 1997. Ish-efektiv i Repartit Special të Policisë 88, sot RENEA, Petrit Brahaj i është dorëzuar policisë së burgjeve në Aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit, nga oficerët e INTERPOL Tiranës, të cilët e kishin shoqëruar nga Parisi. Brahaj rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar e i dënuar me 10 vjet burg për grabitjen e bankës së kursimit në qytetin e Bajram Currit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1997. Brahaj ka qenë akuzuar nga kryeministri Sali Berisha, si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari në 12 shtator 1998, në Tiranë. Banues në Kërnajë të Tropojës, Brahaj njihej si mik i Jaho Mulosmanit, i dënuar përjetë për vrasjen e deputetit. Brahaj kishte lënë forcat speciale për të shkuar në Komisariatin e Tropojës, kur drejtohej nga Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani.
Arrestimi
I dënuar në vitin 2004, me 10 vjet burg për grabitjen e bankës, Petrit Jahja strehohej në Francë i pashqetësuar nga askush deri në ditën kur u arrestua për rrëmbimin e së bijës. Arrestimi në Francë ndodhi verën e vitit të kaluar, kur bashkëshortja e divorcuar e Brahjas e akuzoi se i kishte rrëmbyer vajzën dhe ia mbante në Francë. Vajza i ishte lënë në kujdestari së ëmës, kur Brahja ishte në burg në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për "Gazeta Shqiptare", në atë kohë Brahja deklaroi se kishte marrë vajzën, për ta mbrojtur nga kërcënimet që kishte pasur për shkak të miqësisë së tij me Haklajt e Tropojës.
Kush është?
Petrit Brahaj, nga Kërnaja, ish-efektiv i forcave speciale shihej shpesh nga kundërshtarët e Haklajve në Tropojë, si një kërcënim serioz dhe i aftë të realizonte goditje në interes të tyre. Për ta neutralizuar këtë rrezik, u organizua një pritë ndaj tij. Paraditen e 20 gushtit 2001, Petrit Brahja, vëllai i tij Kastriot Brahja dhe nipi i Haklajve, Bilbil Selivrada, po zbrisnin nga Kërnaja drejt Bajram Currit me një fuoristradë tip "Mitsubishi" me ngjyrë vishnje. Pa zbritur në fshatin Sopot, ata janë qëlluar me breshëri mitralozi të lehtë dhe kallashnikovi nga persona të veshur me uniforma ushtarake me lara, të cilët ishin pozicionuar pas një bunkeri. Zjarri ka qenë i pandërprerë, por manovrimi i shpejtë i Brahjës ka bërë që ai t'ia hedhë vdekjes. Si rezultat i plagëve të marra, u plagosën rëndë Petrit Brahja dhe Bilbil Selivrada. Brahja ka mbetur i paralizuar qysh nga ajo kohë dhe është larguar jashtë vendit. Autorët e kësaj prite nuk janë zbuluar nga drejtësia shqiptare, por dyshohet se janë të njëjtët që organizuan sulmet ndaj kullës së Haklajve.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›