Dështon komisioni “ad hoc” për zgjedhjet
TIRANE- Dështon përpjekja e parë për konsensus, sa i takon nismës së opozitës për monitorim parlamentar të zgjedhjeve. Konferenca e Kryetarëve e thirrur dje nga kryetarja e Parlamentit Topalli, nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon çështjes së drejtimit të komisionit. Në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare debatuan për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi PS-ja nuk pranon që komisioni të drejtohet edhe nga një përfaqësues i PD-së. Ndërsa PD-ja pretendon se të gjithë kanë të drejtë të monitorojnë procesin zgjedhor. E vetmja pikë ku PD dhe PS-ja kanë arritur konsensusin, është domosdoshmëria e ngritjes dhe funksionimit të këtij komisioni. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Braçe bëri të ditur se zgjedhjet po i përgatit qeveria, kështu që maxhoranca nuk e ka të nevojshme që të ketë në krye të komisionit një bashkëkryetar. Nga ana e tij, Patozi bëri të ditur se askush nuk mund t’ia heqë të drejtën partive politike të jenë aktive në kontrollin e monitorimin e procesit të parapërgatitjes së zgjedhjeve parlamentare. Pasi nuk u gjet konsensusi, Topalli i kërkoi PD-së dhe PS-së që të ulen në bisedime dhe të gjejnë zgjidhje për një komision të tillë, ngritja e të cilit duhet të bëhet deri në seancën parlamentare të së hënës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)