E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, klub argëtimi për fëmijët që do kalojnë festat në spital

TIRANË- Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u përurua sot klubi i argëtimit për fëmijët që ndodhen këtu e për shkak të sëmundjes do të kalojnë ndërrimin e viteve në spital.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili bëri i pranishëm në ceremoninë e përurimit, përcolli një falenderim për biznesin që mundësoi krijimin e këtyre ambienteve miqësore për fëmijët.

“Tashmë po konsolidohet në pediatrinë shqiptare një bashkëpunim i shkëlqyer me biznesin, donatorët privatë, që po ndihmojnë për ta bërë gjithnjë e më miqësore pediatrinë dhe për të përfshirë konceptin e spitaleve mik të fëmijës", tha Vasili. Sipas tij, krijimi i këtyre ambienteve ndikon edhe në shërimin e shpejtë të tyre.

Ministri i Shëndetësisë, bëri të ditur se sistemi shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, veçanërisht Spitali Pediatrik, do të jenë në gatishmëri gjatë ditëve të ndërrimit të viteve.

“Stafi mjekësor, në mënyrë të veçantë këto struktura, prej javësh përballon një fluks të madh pune dhe e ka përballuar me sukses të plotë, më përkushtim të jashtëzakonshmë, me moton që fëmijëve t’u vihet në kohën e duhur në ndihmë”, tha Vasili, duke garantuar se gatishmëria do të jetë e plotë dhe gjatë festave.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›