E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet, penalizim për firmat që ndotin

Fier, Ndërmarrja e Pastrimit lan me ujë asfaltin e trotuarit

Ndërmarrja e Pastrimit në Fier prej tri ditësh është duke kryer një aksion për larjen me ujë të segmenteve kryesore dhe atyre brenda qytetit. Gjithçka ka ardhur si pasojë e ndotjes së tyre nga mbetjet inerte dhe baltat, që shkaktohen nga firmat e ndërtimit që kanë hapur gropa për objektet e reja.

Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit, Vangjel Ndreko, deklaron se aksioni konsiston në dy drejtime që kanë të bëjnë me pastrimin e qytetit me ujë, si dhe ndëshkimin e atyre firmave që shkaktojnë ndotjen. Situata: Mbi 20 firma në Fier janë duke kryer fazën e parë të fillimit të ndërtimit të objektit të tyre të radhës. Kjo fazë e parë konsiston në hapjen e gropës për themele.

Transporti i inerteve dhe i baltës, si dhe punimet bëjnë që shumë segmente kryesore dhe dytësore të qytetit të Fierit të ndoten. Drejtori i pastrimit, Vangjel Ndreko, tregon se firmat e ndërtimit nuk respektojnë rregullat teknike për transportin e inerteve. Po ashtu, sipas drejtorit Ndreko, te sheshet e ndërtimit asnjë nga firmat nuk përmbush kushtet e mbrojtjes së mjedisit.

Përballë kësaj situate, rrugët e Fierit, përfshi këtu edhe bulevardin kryesor, unazën, si dhe segmentet e brendshme, shpeshherë mbulohen nga balta, si dhe nga masivët e inerteve.

Ndërmarrja e Pastrimit pas evidentimit të rasteve të shumta të ndotjes së rrugëve nga firmat e ndërtimit ka marrë kontakt me një përfaqësi të madhe të tyre, si dhe me shoqatën e ndërtueseve të rrethit. Edhe pse pas komunikimit të parë është rënë dakord për respektimin e kushteve teknike si në ndërtim edhe në transport asnjë nga firmat nuk i është përmbajtur premtimit. Ato kanë vijuar të ndotin dhe e kanë detyruar ndërmarrjen në fjalë që të nisë ndëshkimet. Gjoba deri në 200 mijë lekë të reja janë vendosur për firmat e kapura duke ndotur. “Nuk ka zgjidhje tjetër, pasi firmat e ndërtimit janë ndotëset kryesore të rrugëve të Fierit. Në disa raste për ndëshkimin e firmave na është dashur ndërhyrja e policisë bashkiake dhe asaj të rendit. Në këtë formë do të vijojë me qëllim ndërprerjen e këtij fenomeni”, ka thënë drejtori Vangjel Ndreko.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›