E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi Motorit të ekonomisë i mbaroi benzina?

Nga Ervin Qafmolla

Pas rreth një dekade historish suksesi, ndërtimi ka mbërritur në një pikë dëshpëruese. Apartamente e objekte të tjera nuk po shiten, investimet janë tkurrur krahas shitjeve, numri i të punësuarve ka rënë, ndërsa i gjithë zinxhir i sipërmarrjeve që lidhet me këtë sektor ka marrë diçka më shumë se një shuplakë dërrmuese. Me gjithë disa të dhëna zyrtare optimistë për ripërtëritje gjatë muajve të parë të vitit, vetë sektori paraqitet pesimist. Në fakt diç më shumë se kaq: E ardhmja mund të jetë edhe më e zymtë

Dikur e pagëzuar si perlë e bregdetit shqiptar, sot Saranda është një përbindësh betoni që epohet mbi det mes lartësisë e rrëmujës së ndërtesave të larta që kanë pushtuar jo veç truallin, por edhe qiellin. Kjo duket ditën. Natën, në kulmin e sezonit turistik mund të vërehet sesi një nga një fillojnë të ndizen dritëzat në këto ndërtesa. Një këtu e një aty… për të kuptuar se pjesa dërrmuese e masakrës bregdetare është e pabanuar. Përveç ndopak shkëndijave të shpërndara çrregullt, fasadat e ndërtimeve mbeten në terr. Kjo është veç një fabul lokale e asaj që ka ndodhur e po ndodh me një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Të paktën deri dje, i rëndësishëm. Kështu është pagëzuar sektori i ndërtimit deri pak vite më parë: Motor i ekonomisë shqiptare. Ndoshta ky emërtim kishte kuptim deri diku nga fundi i vitit 2008, kur sakaq kish filluar të ndjehej një farë shtrëngimi në zhvillimin e këtij sektori, ndërsa në vitin 2009, motori në fjalë bëri një zbritje të fortë marshesh, duke e ulur ritmin e punës në një gjendje thuajse ndalese të plotë.

Sipas Institutit të Statistikës, në vitin 2009, sektori i ndërtimit ka patur një rritje me vetëm 0.4 për qind, ndërsa një vit më parë, i njëjti tregues rezultonte në nivelin 10.9 për qind. Por, sipas INSTAT, kjo e dhënë duket se nuk e ka prekur shumë peshën që zë ndërtimi në përqindje të PBB-së. Nga viti 2008, kur sektori i ndërtimit zinte 16 për qind të PBB-së së vendit, krahas të gjithë sektorëve të tjerë, në vitin 2009, kjo e dhënë ka zbritur me vetëm 1 për qind, në masën 15.1 për qind, ndërsa nga një vlerësim paraprak i vitit 2010, ndërtimi ka rënë në 11 për qind të PBB-së. Për më tepër, muajt e parë të këtij viti duket se shënojnë një pikë kthese për këtë sektor. Sipas Institutit të Statistikës, aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2011 pati rritje me 4.8 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010, dhe me 11.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010.

Në vendnumëro?

Trazimet e vitit 2009 rezultojnë vetëm fillimi i një historie të hidhur të sektorit të ndërtimit shqiptar, e cila do të vijonte të shkruhej në muajt pasardhës. Ngërçi i sektorit ka bërë që edhe shitja e apartamenteve të pësojë një goditje të fortë. Ndonëse nuk ekzistojnë të dhëna të hollësishme dhe zyrtare për shpërndarjen e stokut të banesave të pashitura në Shqipëri, e vetmja e dhënë e disponueshme, e cila vjen nga vetë Shoqata e Ndërtuesve flet për një vëllim prej rreth 4000 apartamentesh që nuk po shiten në zonën Tiranë-Durrës. Ndërkaq, nga kjo situatë duket se po vuan edhe industria e lëndëve të para të ndërtimit, nga zhavorri, pllakat, tullat, hidrosanitaret, materiale për instalimet e ndryshme elektrike, hidraulike etj. Eksperti i njohur i ekonomisë, Ilir Hebovia, njëherësh nëndrejtor i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë për Revistën Mapo se të dhënat nga sektori i lëndëve të para të industrisë së ndërtimit janë një tjetër burim shumë i rëndësishëm informacioni për të kuptuar se çfarë po ndodh me këtë sektor. Pavarësisht se çfarë thonë të dhënat e INSTAT, nëse të dhënat verifikohen në mënyrë të tërthortë, rënia është evidente, çka provohet edhe nga situata e vështirë në sipërmarrjet e lëndëve të para të sektorit të ndërtimit, thekson Hebovia.

Ai shpjegon se i duket shumë e vështirë për tu pranuar se nga një nivel mesatar -20 për qind të regjistruar gjatë viteve të fundit, sektori mund të kërcejë në disa për qind në kahun pozitiv brenda pak muajsh. Duhet parë më kujdes sesi janë përllogaritur këto të dhëna; ndoshta janë fokusuar te lëndët e para, ku individët vazhdojnë të realizojnë një farë vëllimi blerjesh, por diçka e tillë jo domosdoshmërisht ka të bëjë me sektorin e ndërtimit, vëren Hebovia. Eksperti shton se nga hulumtimet e kryera nga vetë shoqata në këtë kategori, rezulton se ka një rënie në nivelin 12 deri në 15 për qind në krahasim me vitet e kaluara. Gjithashtu, edhe të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se ka një rënie të theksuar të mbledhjes së të ardhurave nga ky sektor, shton përfaqësuesi i sektorit të ndërtimit. Gjithashtu, ai thotë se mungesa e likuiditetit vihet re edhe në faktin se bankat po ofrojnë kushte më të mira huaje për blerje banesash, por megjithatë, aksesi nga individët ka mbetur shumë i kufizuar.

E pur si muove

Problemi në këtë histori është se ngërçi në sektorin e ndërtimit shkakton një reaksion zinxhir, i cili përfshin edhe sektorë në varësi, siç janë bizneset e lëndëve të para, çka në total ndikon edhe punësimin në këta sektorë, kontributin në detyrimet që derdhen në arkën e shtetit, konsumin në pak fjalë: provokon një valë të fortë goditëse në krejt ekonominë shqiptare. Kjo situatë nuk ndikoi siç mund të pritej në uljen e çmimeve, por vetëm në frenimin e rritjes së tyre. Deri më tash, gjithçka flet për një ndalesë, në shitje, çmime etj., por pavarësisht kësaj situate lejet vazhdojnë të jepen. Sipas INSTAT, nga viti 1996 e deri më sot, janë dhënë rreth 35 mijë leje ndërtimi për objekte të ndryshme, nga të cilat për objekte banimi janë rreth 19500. Por, ndonëse sektori ka qenë në krizë për vitet 2009-2010, lejet e ndërtimit për këto vite janë përkatësisht 1534 dhe 1845. Ndërsa vetëm për zërin banesa, ato rezultojnë 1021 për vitin 2009 dhe 1238 për vitin 2010. Prej këtej, mund të thuhet se ndërtimi i ka ulur ritmet në nivele shumë serioze, por nuk është ndalur tërësisht.

INSTAT raporton se numri i lejeve të ndërtimit të miratuara gjatë tremujorit të parë 2011 është 503 nga të cilat 317 leje janë miratuar për ndërtesa banimi, dhe 186 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare, etj. Krahasuar me tremujorin e parë 2010 ky tregues është rritur 267.1 për qind. Në totalin e vlerës së ndërtimit, ndërtesat zënë 87.9 për qind të vlerës, ndërsa punimet inxhinierike zënë 12 për qind të kësaj vlere. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2010, ndërtimi u paraqit me rritje më të lartë me 11.8 për qind. Por, ndonëse ritmi i rritjes së ndërtimit dhe më specifikisht, ai i shitjes së ndërtesave ka rënë ndjeshëm, jeta vazhdon, përveçse asaj çka thuhet në të dhënat zyrtare, disi edhe në terma reale.

Çfarë ndodhi?

Deri tani renditen tre faktorë kryesorë: Efektet e importuara të krizës ekonomike, rënia e dërgesave të emigrantëve si pasojë e krizës ekonomike; dhe një farë ngopje e tregut. Është e vërtetë se hapat e parë të sektorit të ndërtimit ishin të shëndosha. Sipas Bankës Botërore, mjedisi i qëndrueshëm i krijuar nga kuadri politikave të shëndosha mbështeti një transformim të madh të ekonomisë ku burimet u zhvendosën nga sektori i bujqësisë dhe industrisë së vjetruar në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve. Aq e fortë qe kjo prirje sa deri në vitin 2006, në Shqipëri, struktura e investimeve anonte nga sektori i ndërtimit, dhe vetëm rreth 10 për qind e PBB shkonte për investime në sektorin e prodhimit. Që atëherë, investimet në fusha të tjera jo-ndërtim janë rritur, megjithatë pjesa e investimeve në ndërtim mbetet e lartë.

Me ngadalësimin e kërkesës për ndërtime banesash, ekziston një potencial

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›