E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një parti e tretë në SHBA?

28-07-2011 / Nga Thomas Friedman

A ju kam treguar se kam nënshkruar një zotim – ngjashëm si ata kongresistë republikanë, që kanë nënshkruar premtime në letër për të mos ngritur tatime dhe për të mos lejuar martesa të gjinisë së njëjtë, duke shkelur kështu përgjegjësitë e qeverisjes në një periudhë të ndryshimeve të mëdha financiare. Më falni, e kam nënshkruar. S’kam çfarë t’ju bëj. Po qe se kjo idiotësi e zyrtarëve të zgjedhur ju neverit jashtë mase dhe ju bën të dëshironit që të kishit më shumë opsione sot sesa që ofron sistemi ynë dypartiak – për shembull një parti që do të kishte ofruar ujdi të madhe rreth deficitit dy vjet më parë, e jo në prag të falimentimit - atëherë jo vetëm që nuk jeni vetëm, mirëpo shumë shpejt do të keni shumë shoqëri. Falë fillimit të heshtur politik që tani është bërë gati të dalë në skenë, një kandidat i tretë, i qendrës, i zgjedhur nga një kuvend në internet do të na shfaqet në presidencialet e vitit 2012. E di se tingëllon si lajthitje – një kuvend në internet – mirëpo një grup i madh i demokratëve të frustruar, republikanëve dhe  i të pavarurve, të quajtur “Amerikanët e zgjedhur”, e kanë marrë seriozisht dhe e kanë menduar fare mirë këtë punën e presidencialeve. Gjatë pak ditëve në vijim, “Amerikanët e zgjedhur” do të dorëzojnë formalisht 1.6 milionë nënshkrimet e mbledhura për kandidim në zgjedhjet presidenciale në Kaliforni, në kuadër të përpjekjeve në nivel SHBA-je për të kandiduar në të 50 shtetet deri më 2012. Synimi i “Amerikanëve të zgjedhur” është që ta sfidojnë procesin presidencial të nominimit, që tani është monopolizuar nga Partia Republikane dhe ajo Demokrate, duke e bërë atë të hapur dhe duke garantuar se një opsion i tretë i besueshëm, i nominuar në mënyrë të pavarur, jo vetëm që do të jetë në fletëvotimin e secilit shtet amerikan, mirëpo edhe do të marrë pjesë në secilin debat presidencial, duke u bërë konkurrencë dy partive me ide të mira se si duhet trajtuar borxhi, arsimimi dhe vendet e punës. “Synimi ynë është që ta hapim këtë proces jokonkurrues për njerëzit në mes, që janë të pakënaqur me zgjidhjet që ofrojnë dy partitë”, thotë Kahlil Byrd, drejtues i “Amerikanëve të zgjedhur”. Siç sqaron vetë ky grup në uebfaqe, “’Amerikanët e zgjedhur’ paraqet procesin e parë të hapur të nominimit. Ne po e përdorim internetit për t’i dhënë secilit votues – demokrat, republikan ose të pavarur – fuqinë për të nominuar kandidatin presidencial të 2012-s. Njerëzit do t’i zgjedhin çështjet që duhet trajtuar. Njerëzit do t’i zgjedhin kandidatët. Po ashtu, në një kuvend sekret, përmes internetit, njerëzit gjatë qershorit të ardhshëm do të hyjnë në histori, duke e dhënë votën në secilin shtet”. “Kështu do të funksionojë”, sqaron Elliot Ackerman, veteran i luftës së Irakut, që shërben si udhëheqës i operacioneve dhe i ati i të cilit, Peter, një investitor i suksesshëm, ka qenë motori kryesor i grupit. Së pari, secili që është i interesuar të bëhet delegat, hyn në uebfaqe dhe regjistrohet. Në kuadër të atij procesi, të regjistruarit do të duhej ta përmbushnin një formular rreth prioriteteve të tyre politike: arsimimit, politikës së jashtme, ekonomisë e tjera. “Çështjet, prioritetet, nominimet dhe rregullat do të vijnë nga komuniteti, e jo nga dy partitë”, thotë Ackerman. Secili i nominuar presidencial duhet t’i përmbushë të gjitha kushtet e parapara me Kushtetutë dhe të jetë i ngjashëm me presidentët tonë të mëparshëm. Kjo do të thotë se Lady Gaga nuk do të lejohet të kandidojë. Secili kandidat duhet të paraqesë me shkrim, apo përmes incizimit, përgjigjet e tij rreth pyetjeve që i bëhen nga delegatët. Në prill të vitit 2012, numri i kandidatëve do të bjerë në gjashtë, përmes tri raundesh votimi. Të gjashtit, po qe se duan të kandidojnë, atëherë ata duhet ta emërojnë nga një bashkëkandidat. E vetmja rregull është që demokrati duhet të kandidojë bashkë me një republikan ose të pavarur, derisa republikani duhet të kandidojë me një demokrat ose të pavarur. “Secili kandidat presidencial duhet ta zgjedhë bashkëkandidatin nga partia tjetër, duke i tejkaluar linjat e ndarjes”, ka thënë Ackerman. Në qershor të vitit 2010, kuvendi përmes internetit do të zgjedhë se cili nga gjashtë kandidatët do të jetë kandidati presidencial amerikan. Po qe se presidenti Obama do që të garojë me John Boehnerin përmes platformës së “Amerikanëve të zgjedhur”, kjo do të ketë në rregull, me kusht që ata të kalojnë nëpër proces (Presidenti Obama duhet të largohet nga demokratët dhe të kandidojë si i pavarur, gjë që edhe ashtu është në esencë). Mbajeni në mend: “Amerikanët e zgjedhur”. Ajo që Amazon.com bëri për librat, ajo që blogosfera u bëri gazetave dhe iPod-i muzikës, pikërisht këtë “Amerikanët e zgjedhur” do t’ia bëjnë sistemit dypartiak që ka dominuar në jetën politike amerikane, duke hequr barrierat për një konkurrencë të vërtetë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›