E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propagandë e gënjeshtërt, për një kryebashkiak të gënjeshtërt!

Nga Altin Ketro

Gazeta partiako-qeveritare RD, e hap faqen e parë të saj më titullin Basha, çbunkerizon Bashkinë e Tiranës dhe më tej gazetari vijon e tregon sesi mbi 2 mijë banorë kanë takuar Kryebashkiakun Basha, në ditën e parë të takime hapëse të tij me popullin.  Por, le të ndalemi tek shifra 2 mijë. Mua më rezulton një gënjeshtër e madhe që nuk do më shumë se 2 klasë fillore për ta kuptuar dhe ja përse :

Le ta zëmë se për secilin banor, Basha ka harxhuar 1 minutë takim. Me një përllogaritje nga kalkulatriçja e celularit, rezulton se :

2.000 banorë * 1 minutë = 2.000 minuta

2.000 minuta : 60 min/1 orë = 33.3 orë.

Takimet Basha i filloi në orën 18:00 të datës 27.07.2011. Përllogaritet që takimet të kenë përfunduar në orën 03:00 (të mëngjesit) të datës 29.07.2011. Kuptohet që kjo as ka ndodhur e as mund të ndodhë, por për të qenë më tolerant, po marr si bazë që takimi ka zgjatur, jo 1 minutë, por 30 sekonda.

33.3 orë (që përbëjnë 1 minutë takimi) : 2 = 16.6 orë.

I takon që takimet e orës 18:00, datë 27.07.2011 të kenë përfunduar në orën 10:00 të datës 28.07.2011. Edhe kjo është përsëri gënjeshtër propagandistike. Por, përsëri po tregohem edhe pak më shumë tolerant dhe po them se takimet kanë zgjatur 15 sekonda për çdo banor.

16.6 orë (që përbëjnë takimet 30 sekondshe) : 2 = 8.3 orë.

Përsëri nga llogaritjet del se takimet e filluara në orën 18:00 të datës 27.07.2011 të kenë përfunduar në orën 02:00 (të mëngjesit) të datës 28.07.2011.

Duhet patur parasysh tek kjo llogaritja e fundit se gjatë atyre 15 sekondave banori ka takuar Bashën, e ka uruar, i ka shfaqur shqetësimin, dhe ka marrë përgjigje nga Basha.

Është e kuptueshme që 15 sekonda zgjat vetëm rruga, nga dera deri tek këndi ku kryebashkiaku priste banorët. Pra, propaganda qeveritare për të paraqitur mbi 2 mijë njërëz që kanë takuar Bashën, është kaq bajate, saqë më shumë i prish punë Bashës sesa i vjen në ndihmë atij të duket popullor në sytë e opinionit.

Por, pavarësisht këtyre shifrave të fryra e të gënjeshtërta propagandistike, përsëri Basha nuk ka bërë takime mirëfilli me popullin. Ato kanë qenë thjesht takime përshëndetëse (nuk po i hyj çështjes që kanë qenë të organizuara vetëm për mediatizim), sepse që të bësh një takim serioz me një qytetar, duket pikësëpari që pasi të dy palët të jenë ulur, në krah të kryebashkiakut të jetë edhe një specialist që mbulon fushën ku personi kërkon zgjidhje. Duhet gjithashtu një sekretare që të dokumentojë takimin dhe të mbajë shënimet përkatëse. Kryebashkiaku, ose i jep zgjidhje aty për aty, ose ia lë detyrë specialistit për ndjekje të mëtejshme. Nga kronikat televizive u pa se Basha i kreu takimet ashtu në këmbë dhe pas përshëndetjeve korteziale Çkemi, si jeni? – Mirë faleminderit! Urime për detyrën e grabitur – Faleminderit për urimin!, vijonte me takimin e rradhës, sigurisht, pasi kishin dalë edhe në fotografi.

Basha është i lirë të vazhdojë të bëjë takime të tilla propagandistike, sepse është në kulturën e këtij pushteti që  në mënyrë të tillë të paraqitet përpara opinionit. Populli i përzgjedhur le të vazhdojë të shkojë në takim sa për të dalë në TV, biles të mos e lajë as dorën për një javë rresht, siç bënte dikur nga takimet me diktatorin, por të paktën herë tjetër, propaganda pushtetare gënjeshtrat  ti bëjnë më të besueshme, për të mos rënë vet brenda më këmbët e saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›