E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia përfaqësuese apo klienteliste?

28-07-2011 / Nga Bekim Baliqi

Në politikë ekziston shqetësimi i vazhdueshëm se “më shumë flitet se punohet”, prandaj prej atributeve kryesore të demokracisë, përveç lirisë së shprehjes, është edhe pluralizmi, jo vetëm partiak por edhe i ideve e mendimeve politike edhe brenda tyre. Qëllimi i kësaj është nxitja e konkurrencës së shëndoshë dhe arritja e zgjidhjeve më të pranueshme e më të qëndrueshme për qytetarët. Në demokracinë e drejtpërdrejtë të Athinës antike, delegatët e popullit raportonin së paku dhjetë herë në vit para qytetarëve rreth punës së tyre. Edhe pse, ne sot jemi në kohëra tjera dhe me një demokraci përfaqësuese, parimi i llogaridhënies mbetet ende boshti i saj. Dhe kjo lidhet gjithashtu me legjitimitetin nga ana e qytetarëve, me efikasitetin e qeverisjes dhe me përgjegjësin e pushtetarëve. Mirëpo, si të arrihet kjo nëse këta të fundit komunikojnë me popullin vetëm gjatë fushatave elektorale, edhe atë zakonisht përmes klipeve televizive ose nganjëherë edhe gjatë pritjeve e përcjelljeve të zyrtarëve të huaj. Ndoshta kjo dukuri është më pak shqetësuese sesa dilema se çfarë interesash mbrojnë subjektet politike nëse vetë organizimi dhe financimi i tyre është tërësisht jotransparent? Ose, sa munden partitë politike në Kosovë të tolerojnë zëra të arsyeshëm e kritikë brenda tyre? Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, duke filluar kështu prej partive e deri te organet shtetërore, rezulton si rrjedhojë edhe në akumulimin e problemeve të tjera serioze, si bie fjala pjesëmarrja e qytetareve në zgjedhje ose përfaqësimi i drejtë i interesave të tyre.
Përvojat dhe zhvillimet politike të deritashme në Kosovë dëshmojnë se demokracia brendapartiake lë shumë për të dëshiruar dhe se partitë favorizojnë grupe të caktuara e të vogla që kanë pushtet të pakontestueshëm. Ndryshe, si mund të shpjegohet pasuria marramendëse materiale e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, ose funksionimi i partive politike me logjikën e bizneseve që themelohen e drejtohen zakonisht në tërësi nga i njëjti pronar dhe rrethi më i ngushtë i tij? Në këtë mënyrë, ndikimi i shoqërisë dhe roli i saj në proceset politike margjinalizohet në atë masë sa që mbetet peng i “vullnetit të mirë” të udhëheqjes në luftimin e dukurive negative ose dhënien e llogarisë për (mos)veprimet e tyre para qytetarëve. Kjo demokraci formale, në të cilën po jetojmë, ka arritur që të krijojë një hendek aq të madh në mes të pushtetarëve, të cilët nga bartësit institucionalë janë shndërruar më shumë në pronarë institucionalë, dhe në anën tjetër të pjesës dërrmuese të shoqërisë, e cila po humb besimin ndaj vetë shtetit dhe durimin ndaj politikave publike.
Për fat të keq, ndryshimet pozitive është vështirë të priten përderisa në Kuvend është një pjesë e madhe e atyre delegatëve (milionerë) të cilët e kanë thuaja të pamundur të përfaqësojnë interesat e më shumë së gjysmës së popullit të cilët edhe zyrtarisht jetojnë në kufijtë e varfërisë. Kjo për faktin e thjeshtë se ata në rend të parë do të mbrojnë e promovojnë ato politika të cilat i përshtaten bizneseve të tyre, sepse kyçja e tyre në politikë ka ardhur si pasojë e këtyre interesave të ngushta, si dhe vetë arsyeja e ekzistencës së tyre politike buron nga këto grupe klienteliste e klanore që kanë qëllim të përbashkët sigurimin e pushtetit dhe rritjen e pasurisë. Prandaj, demokracia përfaqësuese po tingëllon shumë ironike kur në fakt udhëzimet, ligjet dhe të gjitha politikat po bëhen për hir dhe interesa të kujt do tjetër përveç për ato të qytetarëve prej të cilëve edhe janë përzgjedhur. Mos u befasoni, nëse presidenti i ardhshëm i Kosovës nuk paraqet simbolin e unitetit por promotorin e mbrojtësin e atij grupimi politik e biznesor që do t´ia mundësojë këtë pozitë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›