Nekrologji/Ndahet nga jeta, profesor Nexhat Mersini
Dje më 27 korrik 2011, pushoi së rrahuri zemra e profesor Nexhat Mersinit. I ndjeri kishte lindur ne Çeprat të Vlorës, më 4 mars 1938, në një familje atdhetare, por të persekutuar egër prej sistemit diktatorial komunist. Në vitin 1957, kreu Universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik me rezultate të shkëlqyera. Nga viti 1957 deri në vitin 1968 ka punuar ne Kombinatin e Konservave “Vlorë”. Në sajë të arritjeve shkencore, e morën në Ministrinë e Financave ku punoi si specialist deri në vitin 1970. Nga viti 1970 – 1975 ishte lektor në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Në sajë të arritjeve dhe zgjidhjeve të shumë problemeve në fushën ekonomike, më vonë ai dha kontributin e tij në Akademinë e Shkencave, ku punoi deri në vitin 1979. Për arsye të qëndrimit politik - siç thuhej në atë kohë - e dëbuan në Kooperativën Bujqësore të Dukatit, ku punoi dhe vuajti në përndjekje deri në vitin 1982. Për aftësitë dhe rezultate të larta në fushën shkencore të ekonomisë, e tërhoqën sërish në Ministrinë e Financave ku punoi si sekretar shkencor deri në vitin 1990. Përkrahu proceset demokratike duke qenë në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në viti 1992 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga viti 1992 deri në vitin 1994 ka qenë drejtor ekonomik i Radio Televizionit Shqiptar dhe nga viti 1994 deri në vitin 1996 drejtor ekonomik në Qytetin Studenti.
Nexhat Mersini qe nga të parët që zbatoi metodat ekonomike në prerjen e materialeve në Kombinatin e Konservave, si dhe në Uzinën Mekanike të Gjirokastrës, duke i kursyer qindra miliona lekë shtetit shqiptar. Ka punuar me teorinë e planifikimit vjetor ne Portin e Durrësit, ka bërë bilancin ndërdegësor të ekonomisë kombëtare, ka punuar në shumë teori te tjera. Është bashkautor në shumë libra universitarë. Ka botuar tre libra për metodat ekonomike dhe po punonte për një libër për krizën ekonomike botërore, që nuk arriti ta përfundojë. Është vlerësuar nga universiteti i Oksfordit në Angli me një letër vlerësimi për teoritë e tij. Ka marrë vlerësime edhe nga universitete të Francës, Rumanisë dhe Kanadasë.