E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi, bien shitjet e apartamenteve prej krizës, por nuk ulen çmimet



Gjatë muajve të fundit, blerjet e apartamenteve kanë rënë ndjeshëm. Ndërtuesit dhe agjentët imobiliarë shpjegojnë se kjo ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike, e cila ka pakësuar të ardhurat e konsumatorëve. Por rënia e blerjeve nuk ka ndikuar te çmimet e larta, edhe pse sipas ekspertëve imobiliarë qytetarët shqiptarë po investojnë gjithnjë e më pak në blerje apartamentesh. Gjatë muajve të fundit, blerjet kanë rënë ndjeshëm dhe, sipas drejtuesve të agjencive imobiliare, kjo është pasojë e krizës globale që ka tkurrur buxhetin e konsumatorëve. Sipas agjentëve imobiliarë, “në këtë periudhë të fillimit të vitit ka një rënie të kërkesës për blerje dhe ata që vijnë për të blerë vetëm sa shohin dhe nuk vendosin për të blerë. Kriza globale është edhe shkaku i rënies së blerjeve të apartamenteve”. Situata e vështirë pranohet edhe nga Shoqata e Ndërtuesve. Sipas drejtuesve të saj, aktualisht mbi 4000 apartamente janë pa shitur kryesisht në Tiranë dhe Durrës. “Kanë rënë në mënyrë të ndjeshme kërkesat për apartamente pasi njerëzit nuk kanë më para në qarkullim, kështu ata kanë reduktuar shpenzimet e mëdha siç është edhe blerja e apartamenteve”, - tha sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija. Por rënia e ndjeshme e blerjeve të apartamenteve nuk ka ndikuar te çmimet, të cilat vazhdojnë të mbeten të larta. “Apartamentet janë ndërtuar në një kohë kur çmimet ishin shumë të larta. Nëse ato do të shiten nën çmim, do të kemi falimentimin e kompanive të ndërtimit”, - tha Hebovija. Por prej disa kohësh, ndërtuesit kanë dhënë alarmin se efektet e krizës globale kanë përfshirë këtë sektor, duke i vendosur firmat në vështirësi financiare.

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›