Objektet shtetërore, sa do të jenë tarifat e reja të qirasë për metër katror në Tiranë
Ervin KOÇI
Kushdo që dëshiron të marrë me qira një objekt shtetëror në Tiranë, brenda unazës së vjetër, duhet të paguajë një qira mujore jo më pak se 300 lekë për metër katror. Bashkia e Tiranës ka të drejtën të japë me qira pasuritë shtetërore në varësi të këtij institucioni. Një objekt shtetëror mund të merret me qira për 20 vjet dhe vlera e qirasë mujore përcaktohet në ankand. Gazeta “Albania” publikon sot të gjitha procedurat që aplikohen për dhënien me qira të objekteve shtetërore që janë në varësi të Bashkisë së Tiranës. Kjo bashki, pasi shqyrton dokumentacionet e subjektit që është i interesuar për marrjen me qira të objektit shtetëror, bën shpalljen e konkursit. Për sipërfaqe deri në 200 metra katrorë, dhënia me qira bëhet nga ndërmarrja, shoqëria dhe institucionet shtetërore, pa konkurrim. Për sipërfaqe mbi 200 metra katrorë, dhënia me qira bëhet nga organet e varësisë administrative. Dokumentacioni për dhënien me qira përgatitet nga ndërmarrja, shoqëria apo institucioni dhe dërgohet për procedurë në ministrinë e linjës, e cila pasi e shqyrton dhe e miraton e dërgon në Bashkinë e Tiranës. Kjo e fundit bën shpalljen e konkursit për dhënien me qira të objektit.
Tarifat
Për marrjen me qira të një objekti shtetëror, i cili ndodhet brenda unazës së vjetër të kryeqytetit, tarifa dysheme (fillestare) është 300 lekë për metër katror në muaj. Ndërsa jashtë unazës së kryeqytetit çmimi është 200 lekë për metër katror në muaj. Në qytete të tjera tarifat dysheme janë nga 100-150 lekë për metër katror në muaj. Ndërsa ndërtesat e institucioneve me karakter kombëtar të kulturës kanë tarifën dysheme të qirasë 600 lekë për metër katror në muaj në Tiranë dhe 300 lekë për metër katror në muaj në qytetet e tjera. Tarifa e qirasë së truallit është sa 20 për qind e qirasë së ndërtesave.
Ulja e çmimeve
Subjektet që marrin objekte shtetërore me qira ose enfiteozë pësojnë ulje të çmimit në rast se ata punësojnë shumë persona ose në rastet kur kryejnë investime që kapin shuma të mëdha. Për punësimin mesatar vjetor, të vërtetuar nga dega e Sigurimeve Shoqërore, kur punësohen 50-150 veta, zbritja e objektit të marrë me qira është 10 për qind. Kur qiramarrësi punëson 151-200 veta, zbritja është 20 për qind. Kur punësohen 201-500 veta, zbritja është 30 për qind. Kur punësohen mbi 500 veta, zbritja është 40 për qind. Ndërkohë për investimet e kryera në shumën 50.000.000 (pesëdhjetë milionë) lekë deri në 80.000.000 (tetëdhjetë milionë) lekë, zbritja është 10 për qind. Për investime që shkojnë nga 80.000.000 (tetëdhjetë milionë) lekë deri në 100.000.000 (njëqind milionë) lekë, zbritja është 20 për qind. Ndërsa për investime mbi 100.000.000 (njëqind milionë) lekë, zbritja është 30 për qind.
Dokumentacioni që duhet të paraqesin subjektet private
1. Plan biznesi i hollësishëm për përmirësimin e pronës
2. Niveli i investimeve si dhe burimi i financimit
3. Oferta për tarifën mujore
4. CV e subjektit
5. Dokumentacioni ligjor dhe fiskal i subjektit konkurrues
6. Vërtetimi nga Dega e Tatimeve për shlyerjen e detyrimeve tatimore
7. Vërtetimi nga dega e doganës apo kontratat e eksportit, kur subjekti kryen eksport.
Tarifat e dhënies me qira për sipërfaqen e ndërtesës:
1. Brenda unazës së vjetër të Bashkisë Tiranë, jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj;
Jashtë unazës, brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë, jo më pak se 200 lekë/m2 në muaj;
b). Për ndërtesat që do të përdoren si zyra, zyra doganore, dyqane “duty free” dhe agjenci shërbimi në aeroporte dhe dogana, jo më pak se 2500 lekë/m2 në muaj.
2. Për truallin e lirë, tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2 në muaj.
3. Për truallin e lirë, funksional, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20 për qind e tarifës dysheme të detyrimit mujor, të përcaktuar për ndërtesat. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës.
4. Për terrenet sportive, tarifa dysheme e qirasë mujore është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit.
7 Mars 2009