E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari me tri akuza, dyshohet edhe për trafik ndërkombëtar armësh

Në mbyllje të hetimeve të dosjes, Pinari rezulton se ka trafikuar armatime. Laptopi tradhtoi ish-drejtorin e MEICO-s, i cili kontrollonte çdo shitje

Habjon Hasani

Tiranë - Pas dy akuzave( për “shpërdorim detyre” dhe “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e popullsisë civile në rrethana të cilësuara”) të shpallura prej kohësh ndaj tij, Ylli Pinari do të përballet edhe me akuzën e trafikimit të armëve. Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë klasifikuar së fundi edhe këtë akuzë në drejtim të ish-drejtorit të shumëpërfolur të “MEICO”-s, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje dhe drejtim të një aktiviteti antiligjor të shitblerjes së armatimeve shtetërore. Ka qenë laptopi personal i Pinarit prova më e fortë e prokurorëve, të cilët ia sekuestruan në zyrë laptopin pesë ditë pas shpërthimit në Gërdec. Menjëherë pasi prokurorët e shpallën laptopin e Pinarit si provë të lidhur me hetimin, ish-drejtori i “MEICO”-s, ndonëse i arrestuar, e paditi Prokurorinë në gjykatë duke kundërshtuar marrjen e laptopit dhe cilësimin e tij si provë fizike. Por tashmë që gjykatat kanë dhënë verdiktin e tyre, prokurorët kanë zbërthyer shumë të dhëna të gjetura në kompjuterin e Pinarit, duke arritur madje ta lidhin atë edhe me pistën e trafikimit të armatimeve.
Laptopi
Sipas Prokurorisë, Ylli Pinari ka drejtuar deri në detaje shumë shitje të dyshimta armësh duke qenë njëkohësisht dhe drejtori i “MEICO”-s si dhe “komisioneri” apo ndërmjetësi që çonte armët në destinacion kundrejt përfitimit. Ky fakt është vërtetuar nga të dhënat kompjuterike të laptopit të tij ku rezulton se në vitin 2005, Ylli Pinari ka regjistruar elektronikisht në Bahamas firmën “Elmotech”, një ishull ku biznesi kryhet në mënyrë “offshore”. Pinari e ka regjistruar me internet këtë firmë në Bahamas kundrejt një pagese prej 1 mijë e 300 dollarësh dhe kjo firmë edhe sot e kësaj dite rezulton në emrin e tij. Dokumentacionin e kësaj firme e disponon një zyrë ligjore në Bahamas, e cila ka kryer dhe regjistrimin e firmës kundrejt pagesës. Deri këtu gjithçka do të ishte normale nëse prokurorët nuk do të zbulonin disa fatura “të çuditshme” në dokumentet e “MEICO”-s që flisnin për blerje raketash dhe armatimesh të rënda nga firma “Elmotech”. Madje, për çudi, disa nga pagesat janë kryer në emër të kësaj firme edhe tri javë pasi Pinari ishte arrestuar, gjë që e ka bërë shumë të komplikuar “lojën”. Për të gjetur përgjigje dhe për këto pagesa të bëra nga një firmë në pronësi të Pinarit ndërsa Pinari ishte i arrestuar, prokurorët janë në pritje të letërporosive që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara.
Falsifikimi
Për Ylli Pinarin dyshohet nga prokurorët se ka ndërtuar dhe një skemë të tërë dokumentacioni fals që lidheshin me kontraktimin e kompanisë amerikane që punonte në Gërdec. Sipas dëshmisë së një punonjëseje protokolli, Ylli Pinari është paraqitur në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes me një kontratë në dorë (mes MEICO-s dhe Southern Ammunition) dhe u ka kërkuar punonjëseve ta protokollonin në regjistrin e muajit dhjetor. Dëshmia e punonjëses së Protokollit të Ministrisë së Mbrojtjes dhënë në prokurori disa javë më parë duket se ka “vulosur” jo vetëm falsitetin e kontratës, por edhe pistën e trafikimit ndërkombëtar të armëve. “Albania” ka mësuar se grupi hetimor i çështjes ka vërtetuar shkencërisht tashmë se kontrata e dytë e pretenduar si e lidhur mes MEICO-s dhe Southern Ammunition është e falsifikuar dhe, mbi të gjitha, këtë e mbështet dhe dëshmia e një punonjësi të Protokollit të Ministrisë. Bëhet fjalë për kontratën e dytë të lidhur më 28 dhjetor 2007, me anë të së cilës Ministria pretendoi se baza e Gërdecit ishte nën “kontrollin” e një firme amerikane. Por, të dhënat shkencore dhe dëshmitë e mbledhura e kanë zgjeruar gamën e hetimeve, pasi tashmë prokurorët nuk kanë më dyshime se kjo kontratë ka qenë një sajesë e ngutur e Pinarit dhe e bashkëpunëtorëve të tij. “Albania” ka mësuar se porsa u bindën për falsitetin e kësaj kontrate, prokurorët filluan të kuotonin maksimalisht pistën e trafikimit ndërkombëtar.

Procedurat, si u ideua dhe u ndërtua fabrika e Gërdecit

Më datë 28 dhjetor 2006, në Qendrën e Regjistrit të Bizneseve regjistrohet firma “Albademil”. Sipas dokumentit, kompania e re kishte si aktivitet “Çmontimin, demilitarizimin, eksportin e armatimeve të të gjitha llojeve të kalibrave” etj. Kompania kishte si aksionar Mihal Delijorgjin, me 75 për qind të aksioneve dhe Patrick Cornelious Henry III, njëkohësisht dhe president i “Southern Ammunition Company Inc”, me 25 për qind të aksioneve. Në fillim të vitit 2007, pak kohë pasi kjo kompani ishte krijuar, Ministria e Mbrojtjes paraqet në qeveri një projektligj, i cili parashikonte lidhjen e një kontrate me procedurë të drejtpërdrejtë për çmontimin e predhave të kërkuar nga një firmë amerikane. Ky projekt u refuzua nga Kryeministria. Por insistimi i Ministrisë së Mbrojtjes vazhdoi edhe më vonë. Më datë 14.3.2007, qeveria “bindet” nga insistimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe miraton Vendimin Nr. 138, “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Në një nga pikat e këtij vendimi theksohet se, “armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive, të kërkuara për përdorim ushtarak, pas negociimeve i shiten kërkuesit më të parë, duke realizuar një çmim sa më të lartë, por jo më të ulët se çmimi i miratuar në pikën 1 të këtij vendimi”. Pas shpërthimit në Gërdec, Ministria e Mbrojtjes publikoi një kontratë të dytë, që, sipas saj, ishte lidhur me firmën “Southern Ammunition” më 28 dhjetor 2007 (fiks një vit pas krijimit të firmës “Albademil”), por që sot Prokurorisë ky dokument i rezulton një sajesë fund e krye.

Kontrata false, kontraktorët morën edhe të drejtën e eksportimit

Duke iu referuar kontratës së nënshkruar më 28 dhjetor ’07 mes ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të armëve “MEICO” dhe kompanisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc”, kjo e fundit ka pasur të drejtë vetëm të çmontojë dhe demilitarizojë municionin luftarak të blerë. Nga ana tjetër, shoqëria amerikane të gjithë këtë arsenal ushtarak, që ia ka blerë shtetit shqiptar, ia ka shitur tri ditë më pas kompanisë shqiptare “Albademil” sh.p.k, e cila, veç dy veprimtarive në fjalë, ka pasur të drejtë edhe të shesë një pjesë të këtij municioni. Më konkretisht, në kontratën e 28 dhjetorit ’07, të nënshkruar mes MEICO-s dhe SAC-së, shkruhet: “Shitësi (MEICO) i shet blerësit (SAC) municionin për çmontim dhe demilitarizim nga ana e SAC në territorin shqiptar”. Ndërkohë, në kontratën e nënshkruar më 31 dhjetor ’07, mes kompanisë amerikane “SAC” dhe asaj shqiptare “Albademil”, shkruhet: “Pala shitëse (SAC) i shet dhe i transferon palës blerëse (Albademil sh.p.k), që pranon të drejtat e pronësisë së municioneve të mëposhtme me qëllim çmontimin, demilitarizimin dhe tregtimin e materialeve që rrjedhin nga përpunimi i tyre”. Referuar kushtit të kësaj kontrate, i jepet e gjithë e drejta kësaj kompanie shqiptare për të tregtuar një pjesë të këtij municioni luftarak të përbërë prej predhash nga 20 mm deri në 152 mm. Vlera monetare në total e kontratës së shitblerjes së nënshkruar mes MEICO-s dhe SAC-së ka qenë në shifrën 582.326 dollarë amerikanë. E thënë ndryshe, ky ka qenë çmimi me të cilin kompania amerikane ka blerë municionin luftarak nga shteti shqiptar të cilin duhet ta demontonte. Ndërkaq, këtë municion SAC ia ka shitur kompanisë shqiptare “Albademil” sh.p.k tri ditë më pas 2 për qind më shtrenjtë në krahasim me atë që e ka blerë. Vlerat monetare në fjalë bëhen publike në kontratat respektive.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›